Lë spitalin ish-presidenti Rexhep Meidani. Ai u aksidentua mbrëmjen e së enjtes nga një motoçikletë shumë pranë banesës së tij. Për pasojë, u dërgua menjëherë në Urgjencën Kirurgjikale të qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”. Pas ekzaminimeve të nevojshme, ish-Presidenti rezulton se ka pësuar një frakturë të pjesshme, ndërkohë pas diagnostikimit është larguar për në banesën e tij. Mjekët bëjnë me dije se gjendja e Meidanit është jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që ka marrë gjithë mjekimet e nevojshme. ”Pacienti e kaloi natën në spital dhe pas marrjes së ndihmës së parë iu kryen sot të gjitha diagnostikimet e nevojshme. Ka një frakturë, por asgjë serioze. Pas kësaj, nga konsulta që ne bëmë u ra dakord që të lërë spitalin”, thanë mjekët. Pas zgjedhjeve të 1997, të cilat u fituan nga koalicioni i majtë i drejtuar nga Partia Socialiste, më 24 korrik 1997, me propozim të PS-së, Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi zotin Meidani President të Republikës, detyrë të cilën e ushtroi deri më datë 24 korrik 2002, kur u zëvendësua nga pasardhësi i tij, Alfred Moisiu.











