
Një 55 vjecar nga Përmeti, është aksidentuar për vdekje në orët e mbrëmjes së të shtunës në afërsi të Urës së Leklit rreth 7 km para se të hysh në qytetin e Tepelenës. Një automjet i tipit Mercedez-Benz me targa italiane BN 877 LN, ka përplasur për vdekje 55- vjecarin Flamur Hajdini nga Përmeti duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.
Burimet zyrtare policore, kanë bërë të ditur se ka qenë ora 20:30 minuta kur ka ndodhur aksidenti i rëndë. Mjeti i cili drejtohej nga 24 vjecari Eneid Haxhia me banim në Tepelenë, ishte duke ardhur nga qyteti i Gjirokastrës me drejtim për Tepelenë.
Rreth 20 metra pa shkuar tek kryqëzimi i Urës së Leklit në rrugën nacionale, ai ka përplasur viktimën Flamur Hajdini banor i Përmetit i cili po kalonte nga njëri krah i rrugës, në tjetrin. Mjeti i cili drejtohej nga Haxhia, ka humbur kontrollin dhe fillimisht u përplas me tabelat orientuese anës rrugës dhe më pas edhe me shtetasin e lartpërmendur duke e zvarritur disa metra.
Sipas të dhënave nga grupi hetimor, shkaku i këtij aksidenti, është shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e 24- vjecarit Haxhia pasi ka udhëtuar me shpejtësi tej normave të lejuara. Për këtë arsye, Eneid Haxhia, u arrestua në flagrancë për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.
Piro Nase
© Panorama.al











