SARANDE – Kur ende punimet nuk kanë përfunduar për zgjerimin e rrugës Butrint-Sarandë, kjo rrugë vijon të mbetet e rrezikshme. Ky aks është bërë disa herë burim aksidentesh, që ka marrë edhe jetë njerëzish. Lënia përgjysmë e punimeve në të dhe mungesa e ndriçimit duket se e favorizojnë së tepërmi rrezikun ndaj drejtuesve të mjeteve. Në një udhëtim me makinë natën në këtë segment, të ndjek errësira totale që nis sa del nga qyteza e Ksamilit. Nga njëri krah mali e nga krahu tjetër liqeni, ky aks është kthyer në tmerr për kalimtarët. Gjysmë e asfaltuar, pa ndriçim, e herë-herë e ngushtë, ajo vazhdon të mbetet një rrugë larg standardeve dhe një rrezik konstant për aksidente. Shtatori i vitit 2010 ishte përcaktuar afati për përurimin e rrugës Kanali i Çukës–Butrint. Por, sot përballesh me një rrugë të nisur e të papërfunduar, pa sinjalistikë e ndriçim rrugor e natyrisht një rrugë e predispozuar për aksidente. Se sa do të zgjasë kjo gjendje, askush nuk të jep përgjigje. sh.d











