“AKSHI i ka eksportuar të dhënat tek armiqtë e NATO-s!”- Berisha ngre akuzat e forta: Ergys Agasi caktoi personin që merret me sigurinë kibernetike!

Jan 10, 2026 | 14:56

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, hodhi akuza të forta ndaj Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), duke deklaruar se ka eksportuar të dhëna sensitive te armiqtë e Shqipërisë dhe NATO-s.

berisaaa

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Demokratike, Berisha u shpreh se ngjarjet e lidhura me AKSHI-n janë të paprecedenta në historinë e Europës, duke përmendur abuzimet e rënda me tenderët dhe fondet publike.

Berisha shtoi se personi i emëruar për sigurinë kibernetike në ministri, sipas tij, ka lidhje “jashtëzakonisht të dyshimta” dhe është emëruar nga Ergys Agasi.

“Ngjarjet e AKSHI-t nuk janë të regjistruara në historinë e Europës. Ndërmarrje shtetërore që merr peng për tendera, kjo tejkalon çdo lloj… merr peng se tenderat duhet t’i fitojë baxhanaku. Ndërmarrje shtetërore ku tenderat i dikton Linda e Surrelit me Lindën e AKSHI-t. Ndërmarrje ku qindra milionë vidhen me zero investim. Me zero blerje. Me zero shitje. Zero import dhe transferim i të gjitha shumave në llogarinë…

Ndërmarrje shtetërore që të gjitha të dhënat i eksporton në akt kriminal tek armiqtë e Shqipërisë, armiqtë e NATO-s. Duke vendosur në pozitat më kyçe njerëz të tyre. Këtu nuk ekziston asnjë mekanizëm i sigurisë kombëtare. Por kjo e AKSHI-t ngjitet në nivelin e tradhtisë së lartë kombëtare. Personi i caktuar në sigurinë kibernetike të ministrisë është person me lidhje jashtëzakonisht të dyshimta. Dhe i emëruar nga Ergys Agasi, njeriu që shoqëronte Ramën në Davos. Njeriu që festonte dhe stërfestonte me Ramën sa në vilën e Gjushit, aq edhe në vilën e tij.

Dhe këto tani janë publike. Fatmirësisht këto janë të njohura, sepse dëshmitarët e marrë peng i kanë dëshmuar këto. Pra, gjithçka është në favor të opozitës. Gjithçka është premtuese për opozitën. Opozita duhet të ngrihet e betuar që do ta largojë nga pushteti. Dhe unë kam besim se këtë mision do ta përmbushim me sukses.”, tha Berisha.

© Panorama.al

Te lidhura