Ngrihet Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve. Në vendimin e djeshëm të qeverisë janë përcaktuar funksionet e këtij institucioni. Agjencia do të hartojë plane dhe programe për zhvillimin e sistemit të arsimit e formimit profesional dhe programe për realizimin e politikave për zbatimin e Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve. Po kështu do të hartojë programe për zbatimin e sistemit të sigurimit të cilësisë nga institucionet ofruese të AFP-së. Funksionet kryesore të Agjencisë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve janë rishikimi dhe hartimi i listës kombëtare të profesioneve dhe i përshkrimeve përkatëse dhe kuadrit kombëtar të kualifikimeve profesionale. Në to do të bëhet përshkrimi i standardeve për nivelet, drejtimet dhe kriteret e vlerësimit e të certifikimit. “Ky institucion ka për funksion akreditimin e institucioneve që ofrojnë arsimim e formim profesional, si dhe përcaktimin e standardeve të trajnimit fillestar dhe të vazhdueshëm të personelit mësimdhënës të arsimit dhe formimit profesional”, thuhet në vendim.











