
Vendimi i ri për dispozitat zbatuese të ligjit të akcizave është një shtojcë që përforcon ligjin e hedhur poshtë nga biznesi. Kreu i BiznesAlbania, në një intervistë për gazetën sqaron të gjitha pikat që shtojnë kostot e biznesit. Pse nuk duhet parapaguar akciza, kundërshtimi i garancisë dhe si veprohet në vendet e BE.
Qeveria ka përgatitur vendimin për dispozitat zbatuese të ligjit të akcizave. Biznesi ndërkohë ka ngritur shqetësime të forta për ligjin, i cili ka ngrirë në Kuvend? Ky vendim u jep zgjidhje shqetësimeve tuaja?
Dispozitat zbatuese që kanë ardhur për t’u diskutuar në Këshillin Konsultativ të Biznesit kanë ardhur tri-katër ditë përpara dhe koha ka qenë e pamjaftueshme për t’i parë me kujdesin maksimal, nëse në to janë reflektuar vërejtjet që ka bërë sipërmarrja private. Gjithsesi, në mënyrë të shpejtë ne pamë që asnjë nga vërejtjet që kemi bërë në Komisionin e Ekonomisë nuk është marrë parasysh, sidomos për dy çështje themelore: e para lidhet me mënyrën e pagesës së akcizës dhe e dyta me vlerën e pullave të akcizës, e cila duhet të themi që në fillim që është shumë e lartë. Një problem tjetër që lidhet me akcizën është ajo e mos specifikimit të qartë nëse këto pagesa do të bëhen pas daljes së produkteve nga territori i fabrikave dhe jo si paradhënie në momentin e porosisë së pullave të akcizës. Në këto pika ne gjejmë mospërputhje me direktivat e BE-së dhe për këtë kemi sjellë dhe argumente.
Si është praktika europiane lidhur me pagesën e akcizës?
Në vendet e Bashkimit Europian, akciza për prodhimin vendës paguhet një muaj më pas. Do të thotë që mbasi rakordohen pullat e blera dhe sasia e produktit të shitur gjatë një muaji, llogaritet akciza në vlerën që e ka ligji dhe paguhet një muaj më vonë. Ne konkludojmë që mënyra jonë, pra mënyra shqiptare, ka dy defekte: e para nuk është në përputhje me praktikën e BE-së dhe e dyta i krijon kosto shumë të larta prodhimit vendës, kjo edhe në kushtet e krizës ekonomike që ka përfshirë vendet e rajonit dhe eurozonën. Do shtoja që vendosja e pullave të akcizës është një praktikë tërësisht shqiptare dhe aspak e ngjashme me atë europiane. Megjithatë, fakti që kompanitë prodhuese kanë pranuar këtë model, nuk duhet të inkurajojë vendosjen e parapagimit të pullës dhe bashkë me të edhe të akcizës. Ne kemi pranuar të parapaguajmë vlerën e pullës, pasi jemi pro formalizimit të tregut të brendshëm, por nuk mund të pranojmë, për arsyet që parashtrova, që së bashku me vlerën e pullës të parapaguhet edhe vlera e akcizës. Le të marrim një shembull: akciza e birrës nuk është një vlerë e vogël, nuk është njëlloj si akciza që ka vera apo konjaku, produkte që e kanë vlerën në total shumë të lartë në raport me vlerën e pullës. Pra, nëse një shishe konjak kushton 3 mijë lekë të rinj, nuk është problem që t’i vendoset një pullë akcize që kushton 40 lekë. Por çdo shishe birre që kushton 40 lekë, vlera e pullës është e barbarët me vlerën e produktit. Pra, kostoja e vlerës së akcizës është shumë e lartë, dhe për këtë arsye ne kemi kërkuar që kjo të paguhet një herë në muaj.
Një pikë tjetër që biznesi e kundërshtoi me forcë ishte ajo e garancisë. Si e shihni të reflektuar këtë në dispozitat zbatuese?
Po, nuk është marrë parasysh në këtë projektvendim heqja e garancisë për lëndët e para, prodhimin në proces dhe produktin e gatshëm. Kjo i shton jashtë çdo logjike normale kostot e kompanive, të cilat detyrohen që të angazhojnë në formë garantimi vlera financiare të pallogaritshme, duke i vendosur ato në pozita falimentimi të detyruar. Kompanitë tani e tutje duhet të garantojnë nëpërmjet një garancie në cash në banka gjithë sasinë e prodhimit të vlerës së akcizës. Ne i kemi kërkuar qeverisë përmes Komisionit të Ekonomisë që të gjejë një formë tjetër më të mirë, më praktike dhe pa kosto për garancinë e kompanive prodhuese.
Pra, ju mendoni se vendimi i ri nuk është i zgjidh problemet që ju keni ngritur më herët për ligjin?
Projektvendimi i ri nuk sjell asnjë ndryshim në raport me ligjin që ka kaluar një muaj më parë. Përkundrazi, përforcon ligjin i cili realisht u kundërshtua nga shoqatat e biznesit.
Një tjetër problem duket se është edhe afati kohor i zbatimit të ligjit. Duhet që biznesi të kalojë brenda datës 1 korrik të gjitha procedurat nga Tatimet te Doganat. Nga ana tjetër, ligji ende nuk është miratuar. Si mendoni se do të zgjidhet ky ngërç?
Ne kemi diskutuar që ky ligj, me gjithë dëshirën që ka Ministria e Financave për ta implementuar si praktikë të administrimit të akcizës nga Tatimet te Doganat, nuk është absolut. Është një praktikë në disa vende të BE-së që akciza administrohet nga Doganat, por ka vende të tjera që administrimin e kanë nga Tatimet, madje ka vende që po e kalojnë administrimin në të kundërt. Franca që deri para pak kohësh e administronte akcizën përmes Doganave e ka kthyer atë te Tatimet. Megjithatë, ne nuk e kemi kundërshtuar administrimin e akcizës nga Doganat, problemi që kemi ngritur ne lidhet me afatet kohore të mbetura. Kjo dispozitë ligjore ka vështirësinë e implementimit të këtij ligji pasi së pari është në kundërshtim me direktivën e BE-së. Kjo direktivë thotë që duhet një vit minimumi që të përshtatet një ligj i ri me kushtet e reja kur ai ndryshon. Ky ligj nuk është miratuar akoma, që do të thotë që për dy muaj hyn në fuqi dhe produkti do të jetë vetëm konfuzioni i madh midis administratës doganore dhe kompanive private. Jemi në mes të një eksperience të re për pullat fiskale, që nuk ka qenë më parë dhe nuk është në asnjë vend të BE-së. Është një volum i madh të rejash, si futja e koncesionarit, vendosja e pullave te birra, mungesa e eksperiencës së administratës doganore, koha e shkurtër. Për këtë arsye, ne kërkojmë që implementimi të shtyhet për një vit.











