
Akademisë Politike të PS, e para e këtij lloji pranë partive politike shqiptare, diplomoi studentët e parë të saj. Ishte kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, që shpërndau dje diplomat e 37 studentëve, të cilët do të nisin punë në strukturat e Partisë Socialiste të Tiranës. “Në këtë Akademi mësuat politikën e lexuar, tani do mësoni politikën e jetuar”, u shpreh Rama, duke përshëndetur pedagogët dhe lektorët e shumtë që marrin pjesë në këtë akademi. Akademia Politike e PS është një nismë e përbashkët e fondacionit “Qemal Stafa” dhe “Friedrich Ebert”. Drejtues i Akademisë Politike të PS është anëtari i asamblesë kombëtare, Maqo Lakrori, ndërsa ajo u ideua nga fondacioni “Qemal Stafa” si një vazhdim i projektit të mbështetur nga fondacioni gjerman “Friedrich Ebert”. “Është qëllimi i Akademisë të shprehë një preferencë të fortë për studentë të talentuar, aktivistë të shoqërisë civile, intelektualë të rinj, me qëllim aktivizimin e tyre në politikë si profesionistë, të gatshëm të marrin dhe të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre në të gjitha cilësitë e liderit të së majtës moderne”, thuhej në qëllimet që shoqëronin ftesën për t’u bërë pjesë e akademisë. Njerëzit që dhanë kontributin e tyre në Akademinë Politike të PS-së, janë emra të njohur të kësaj partie, me një jetë dhe kontribut të gjatë në këtë parti, por dhe emra të rinj të talentuar. Servet Pëllumbi, Arta Dade, Pëllumb Xhufi, Maqo Lakrori, Arben Malaj, Mimi Kodheli, Shkëlqim Cani, Adriana Berberi, Fatmir Xhafaj, Erion Braçe, Ditmir Bushati, Luan Omari, Luan Hajdaraga, Valentina Leskaj, Ben Blushi, Gramoz Ruçi, Bashkim Fino, Namik Dokle, Blendi Klosi, Ermelinda Meksi janë disa nga lektorët e kësaj akademie. Aplikimet për të marrë pjesë në këtë akademi u bënë online, ndërsa përzgjedhja e aplikantëve u bë nga Bordi Drejtues i Akademisë mbi bazën e kritereve të formimit.











