AK:Regjistrohuni,po grisni fletët për fenë e etninë

Oct 1, 2011 | 15:58

TIRANË- Aleanca Kuq e Zi ka ftuar shqiptarët të jenë pjesë masive e regjistrimit që nisi sot, por ka kujtuar të mos plotësojnë pyetjet për deklarimin fetar dhe etnik.

Në një deklaratë për shtyp para godinës së Institutit të Statistikave, përfaqësues të AK, kanë theksuar se procesi i regjistrimit është shumë i rëndësishëm, e për këtë duhet të bashkëpunijnë gjithë shqiptarët, por pa rënë pre e vetëdeklarimit etnik e fetar, i cili sipas tyre është antikushtetues.

“Gjykata Kushtetuese i vuri vulën Kuq e Zi procesit të censusit”- thanë përfaqësues të AK, duke iu refereuar vendimit të Kushtetueses për rrëzimin e dispozitës për kombësinë në ligjin e Gjendjes Civile.

Sipas tyre, qeveria po shpërfill institucionet, ndërkohë që parlamenti ka shpërfilluar hapur 40 mijë shqiptarë, që me peticion u shprehën kundër regjistrimit mbi baza fetare e etnike.

© Panorama.al

Te lidhura