TIRANË- I qetë, i kthjellët dhe i qartë shkrimtari Dritëro Agolli ka ndarë sot me miq, admirues të krijimtarisë së tij dhe shumë studiues emocionet e të qenit një 80 vjecar.
Në këtë përvjetor të lindjes Akademia e Shkencave në bashkëpunim me ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka organizuar në sallën ” Aleks Buda” një takim jubilar. “Shikoj të kaluarën time, vecanërisht kur shtrihem për të fjetur. Është bërë një kosh me po dhe me jo, që jam munduar t’i pakësoj. Por sa më mbeten mua tani, edhe një vit, 5 janë shumë”. Kështu nis të flasë para të pranishmëve që janë mbledhur ta nderojnë.
Me modesti Agolli pranon se pa gabime nuk ecet në jetë. “Unë mendoj që po nuk bëre gabime nuk krijon dot, as shkencë nuk bën dot. Mendoni për ligjin e Omit, krijuesi është mundur dhe mund të ketë bërë 1 milionë gabime, gjersa e nxori atë ligj. Dhe një artist në jetën e tij bën ndofta më shumë sesa shkencëtarët”- tha ai.











