Shqipëria do të mikpresë ditën e sotme Samitin për Planin e Rritjes, “Rruga jonë drejt BE”.

Samiti do të bëjë bashkë liderët e Ballkanit Perëndimor, Komisioneren për Zgjerimin e Bashkimit Europian Marta Kos, përfaqësues të lartë nga Komisioni Europian, si dhe nga organizatat rajonale, në një diskutim për Planin e Rritjes, integrimin ekonomik dhe transformimin e rajonit drejt Tregut të Bashkimit Europian.
Kryeministri Rama do të mikpresë liderët e rajonit, si të Kosovës, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, si dhe Komisioneren për Zgjerimin e BE-së Marta Kos, në Pallatin e Brigadave, në Tiranë.
Ndërsa Samiti do të zhvillojë punimet i konceptuar në dy panele diskutimesh: “Formimi i nismave të reja, me përfitime për qytetarët dhe biznesin” dhe “Përmbushja e angazhimeve të përbashkëta – Rezultatet dhe përshpejtimi”, ku do të lançohet Udhërrëfyesi për Ballkanin Perëndimor e do të flitet mbi pozicionimin e rajonit në ekosistemin AI të BE, korsitë e gjelbra, bashkëpunimin në fushën e turizmit, mbi progresin dhe hapat e ardhshëm drejt tregut të përbashkët rajonal.
Kryeministri Edi Rama dhe Komisionerja për Zgjerimin e BE-së Marta Kos, do të adresohen me një fjalë në nisje të punimeve të Samitit, ndërsa pas zhvillimit të tij, ata do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
© Panorama.al











