Agim Sulaj ekspozon në Firence “Fratelli d’Italia”

Oct 10, 2011 | 11:43

Një ekspozitë që mbledh punë, të titulluara njëlloj. “Fratelli d’Italia”, kështu titullohet ekspozita e hapur mbrëmjen e së shtunës në Firence, ku merrte pjesë edhe piktori e karikaturisti shqiptar Agim Sulaj. Ai paraqitej në këtë ekspozitë përmbledhëse me një nga punët e tij më të famshme, me të cilën ka fituar edhe vendin e dytë në konkursin që mbante titullin “Fratelli d’Italia”. Një flamur italian, që tërhiqet me forcë si nga e majta, ashtu edhe nga e djathta, derisa shqyet në mes. Në konkurs merrnin pjesë 300 artistë italianë dhe 189 nga e gjithë bota, të cilët në punët e tyre trajtojnë tema mbi identitetin, kombësinë etj. Mes tyre edhe artisti shqiptar, i cili arriti të fitonte vendin e dytë. Ky vit ka qenë plot ngjarje për Sulajn, i cili prej 20 vitesh jeton në Itali. Hapi një ekspozitë personale më Atelier An-Girard në Paris, fitoi çmimin e dytë në konkursin kombëtar “Teatro di Rimini”, një tjetër çmim i dytë në konkursin “World Press Cartoon” në Portugali, çmimin e tretë  në International Cartoon Contest “Shoes” në Kruishoutem, Belgjikë, çmimin e tretë në një tjetër konkurs ndërkombëtar karikature në Luksemburg etj. Ndërkaq, disa prej punëve të tij do të qëndrojnë të ekspozuara në ekspozitën lëvizëse “Fratelli d’Italia”, në Firence, në Villa La Pietra.

© Panorama.al

Te lidhura