Afërdita Shqau: U ktheva në djalë për t’u bërë shofere

Oct 9, 2011 | 14:15
Afërdita Shqau - Babë Dita, duke rrëfyer për “Unë Gruaja”

Babë Dita tregon si preu flokët e u bë ekskavatoristja e parë femër, e më pas kamioniste e taksiste. Martesa me shkuesi, ndarja dhe thyerja e një tabuje në fillim të viteve ’40

Banon në një nga rrugicat e lagjes “Namazgja”, shumë pranë tregut të madh. E quajnë Afërdita Shqau, por prej 50 vjetësh njihet me emrin “Babë Ditë”, madje-madje, nuk pranon ta thërrasësh teta apo gjyshe. Nuk bëhet fjalë të të kthejë përgjigje, por të sheh vëngër. Ajo është ekskavatoristja e parë femër dhe këtë ta dokumenton edhe me dekorata e urdhra si ekskavatoristja e kamionistja më e mirë. Sot është 83 vjeç, por në fillim të viteve ’40 nuk ishte veçse një vajzë e re, simpatike, me flokë të gjatë dhe me trup të hollë, por që vendosi të heqë veshjen femërore, për ta zëvendësuar me rrobat e burrit. Një zakon që njihej në Veri, por për hall e jo për profesion. Të pret në banesën e saj, në dhomëzën e vogël, ku edhe jeton, te familja e mbesës. Një dhomë e mbushur plot me kujtime, të vajzërisë, të shoferes së kamionit, e më pas të taksisë, që aq shumë e dëshironte. Të ofron një gotë raki, madje nuk mund të dalësh nga porta pa e provuar. Thotë se është prej thane. Vetë e ka lënë, qysh kur kaloi një paralizë, disa vite më parë, por duhanin e mban në dorë, të dredhur. E veshur pastër, me këmishën e burrave dhe pantallonat, madje edhe shapkat si të burrave, Babë Dita nuk i ka humbur disa instinkte femërore. Të qeras dhe të pret me mjaft delikatesë, si një femër e vërtetë, edhe pse as që nuk ka dëshirë ta quajë veten “femër”. Duket se ka nostalgji për ato vite, kur edhe pse e shanin, edhe pse e gjykonin, ajo është krenare që mundi të thyente tabutë e kohës dhe preferoi të bëhej djalë. “Realizova ëndrrën time, atë që prindërit nuk mundën të ma realizonin dot, duke më bërë vajzë”. Përgjigjet me qetësi dhe nuk harron të mbajë ndezur duhanin e dredhur mirë.
Na trego pak për fëmijërinë tënde…
Kam lindur në Elbasan, në vitin 1928. Babai më vdiq kur isha fare e vogël, po ashtu edhe nëna. U detyrova të shkoja të jetoja te motra ime, e martuar në një fshat të zonës së Shpatit. Kur mbusha moshën 17 vjeç, familja ku u rrita, më martoi me një burrë të madh, unë isha vetëm 17 vjeç, ndërsa ai ishte 49 vjeç. U martova me mblesëri në fshatin Shtërmen të Elbasanit dhe, mbaj mend se aty ku u rrita, morën prej kësaj martese 70 napolona flori. Burri im ishte polic, por unë nuk e doja. Dhe kështu vendosa ta lija, pikërisht kur shkova në aksion, ku Partia më kishte thërritur edhe mua për ndërtimin e hekurudhave. Kur mbaroi aksioni e lashë, nuk u ktheva më dhe erdha te motra ime në Elbasan.
Kur vendose të bëheshe “djalë”?
Kam nisur si fillim punën si ekskavatoriste në Elbasan, shkova në kursin e shoferëve dhe për një vit mora patentën. Isha ekskavatoristja e parë, madje mbaj mend se kam qenë e para dhe e fundit. Në atë kohë, në vitet ’50 nisën të më fyenin në rrugë, madje shumë djem edhe më ngacmonin, pasi isha ekskavatoriste me flokë të gjatë. U desh një moment që gjithçka të merrte fund. U qetha shkurt, hoqa fustanin, madje-madje, hodha çdo veshje femërore dhe vesha pantallonat. E më pas, dalëngadalë, preferova kostume me kollare dhe flokë të shkurtër të lyer me xhelatinë, e më pas erdhi rakia dhe duhani.
Çfarë automjetesh ke drejtuar gjatë jetës sate?
E nisa punën si ekskavatoriste, dhe më pas, kërkoja edhe më shumë. Këtu ruaj edhe një letër që ma ka sjellë një grua nga Bashkimi Sovjetik, Anastasia e quajnë, madje-madje, kam edhe një letër që më ka ardhur nga Shoqata e Grave Rumune. Anastasia më shkruan se “e vlerëson profesionin tim si ekskavatoriste, madje ajo më thotë se grua aviatore ka, edhe kamioniste, por ekskavatoriste është shumë e rrallë”. Ndërsa letrën e marrë nga Shoqata e Grave Rumune nuk kam mundur dot ta përkthej, pasi është frëngjisht. Kur isha 28 vjeç, mora patentën për drejtimin e automjeteve me benzinë dhe, pas një viti, patentën edhe për drejtimin e mjeteve me naftë. Kisha të drejtën të drejtoja çfarëdo lloj mjeti. Më pas, ndërmarrja më dha një kamion të tipit “Zis” dhe, çdo mëngjes, në orën 04.00 dilja dhe shkoja tek ish-parku i mallrave, i ngjitesha kamionit dhe nisesha për rrugë. Kam shëtitur të gjithë vendin me mjetet e mia. Çoja blloqe druri nga stabilimenti i sharrave në Stravaj e Qarrishtë, e deri në Bizë të Martaneshit, Sopotit të Elbasanit, në Gramsh etj. Punoja shumë, transportoja dy rrugë, dhe isha e gatshme të bëja edhe një të tretë. Por gëzim të paparë kam provuar kur më dhanë taksinë (EL 74 44). Imagjinoni, në ato vite ishin vetëm 4 taksi në qarkullim. Ikja dhe vija dhe asnjë nuk më kuptonte se isha shofere femër. Nuk kishte kënaqësi më të madhe se ajo që kur shoqëroja pasagjerët në ndonjë ndodhi, ndaja me ta gëzimin e hidhërimin. Por, më së shumti kënaqesha kur shkoja në dasma. Isha e detyruar që t’i prisja dhe kështu donin apo nuk donin ata, edhe unë bëhesha dasmor.
Hyje në odën e burrave apo të grave?

Afërdita para se të vishej si burrë

Në odën e burrave dhe i prezantohesha me emrin Tomorr. Dhe nisja pija e

Afërdita Shqau duke pozuar para taksisë, me të cilën punonte

këndoja me ta. Ata ngrinin shëndet për mua, Tomorrin, gjithashtu edhe unë për ta. Por asnjëherë nuk harroja ta laja taksinë, ta pastroja, ta bëja si nuse. Ku nuk kanë shkelur rrotat e asaj taksie, vetëm një pishman kam, që nuk kam shkuar asnjëherë në Përmet. Gjatë 25 viteve të punës sime si shofer, asnjë nuk vdiq apo u martua në Përmet…
Të kanë gjobitur ndonjëherë?
Po. Nuk e mbaj mend me saktësi se kur, por më kujtohet se Mehmet Shehu vinte në zonat malore të Librazhdit për të gjuajtur dhe unë isha pak me shpejtësi në rrugë. Një polic, i cili shoqëronte grupin e tij më ndaloi, dhe më mori patentën, madje as më njohu që isha femër. Shkoja larg në rrugë të Librazhdit dhe nuk e pashë që polici kishte nxjerrë tabelën. Të nesërmen në mëngjes, erdhi shefi i degës në ndërmarrje dhe më tha: “Të quanin Afërdita, po të quheshe Hysen apo Hasan do të kisha fluturuar patentën”. Por më kujtohet nga shokët se Mehmeti u habit shumë, kur mori vesh që isha shofere femër.
Ke bërë ndonjëherë aksident?
Asnjëherë. Kam qenë shofer i kualifikuar. Kemi qenë ndryshe atëherë, kurset ishin njëvjeçare dhe instruktori nuk ta jepte kurrë patentën pa qenë i sigurt se ishe i zoti në timon. Unë kam qenë shofer i zoti, madje edhe tani po të ma japësh kamionin, i ngjitem Stravajt më shpejt se këta shoferët që janë sot.
Të del pensioni që merr?
Tani sikur po përpiqem ta shtyj muajin, por kam qenë shumë keq. Kur pija raki, as që bëhej fjalë të kisha lekë nga pensioni, thuajse që 15-ditëshin e parë, edhe cigarja po e po. Por që kur u sëmura, e lashë rakinë, madje edhe duhanin e kam lënë, por vetëm një muaj. Nuk munda dot, dhe kështu u detyrova të shkoja të blija duhan me të dredhur dhe tani kam gjetur karar me këtë. Mjaftueshëm, të paktën e kam ndonjë kacidhe në fundin e muajit derisa marr pensionin sërish.

MIRANDA SADIKU

© Panorama.al

Te lidhura