Gaxha: Vendimin e morëm bashkë me Gjebrenë.
“Vendosa vetë të largohem nga konkurrimi. Kam biseduar me Arditin dhe vendosëm që më mirë të largohem vetë nga konkurrimi tek festivali dhe të mos futem në finale. Edhe babai im bisedoi me Arditin dhe ashtu vendosëm për të mirën tonë. Kam shumë projekte të tjera për të realizuar dhe nuk mendoj që është fundi i botës për mua. Më shumë vendosa për shkak të reagimeve të të tjerëve, sepse nuk e shoh të udhës që të ketë skualifikim nga festivali. Ka dhe shumë gjëra të tjera të rëndësishme që duhen të shihen e jo vetëm tek unë të analizohen të gjitha gjërat në detaj”. Kështu ka rrëfyer Adrian Gaxha gjatë një bisede që realizuam me të për shkak të largimit nga festivali “Kënga Magjike”. Lajmi se Gaxha është duke konkurruar në dy festivale me të njëjtën këngë, mori dhenë në disa media dhe për këtë shkak drejtuesi i festivalit, Ardit
Gjebrea, vendosi të marrë masa ndaj Adrianit. “Këtë lajm e di kush e ka dhënë në media, e di që është një i afërm imi, emrin e të cilit nuk dua ta përmend dhe nuk dua t’i bëj reklamë, por nuk e di qëllimin për çfarë e ka bërë, sepse ka shumë këngë të njëjta të cilat konkurrojnë nëpër festivale të ndryshme dhe për to nuk shkruhet asgjë. Por mua nuk më ka krijuar asnjë problem për shkak se me këtë gjë nuk mund të më prishin karrierën, përkundrazi mua akoma më shumë më shtyjnë të punoj në karrierën time dhe të mos ndalem aspak”, tregon më tej Adriani, i cili dukej pak i indinjuar për faktin se kënga ishte pëlqyer shumë nga publiku dhe performanca e tij zgjoi interes të veçantë te fansat e tij. Gjatë bisedës telefonike që realizuam me Adrianin, ai tregon se këtë gjë nuk e kishte bërë me qëllim, por për vetë faktin se ishte krijim personal nga studioja e tij në bashkëpunim me Robert Bilbilov. “Unë përderisa e punoj vetë këngën me bashkëpunëtorin tim Robertin, asnjëherë nuk mendoj që kam thyer ndonjë regull, sepse veç unë e di se si jetoj për atë këngë dhe punoj ditë e natë me muzikën, me orkestrimin, me koreografi me styling, me gjithçka, ashtu siç unë mendoj që duhet të prezantohet një artist në skenë dhe ashtu siç e ndiej veten më së miri kur jam në skenë. Mua nuk më duket problem nëse një këngë e këndoj në dy vende.
Kënga “Me ty” u këndua dhjetë ditë para paraqitjes tek “Kënga Magjike” në një festival në Maqedoni, ku kënga këndohej në maqedonisht, por muzika si dhe paraqitja skenike ishin të njëjta. Por sipas kontratës së pjesëmarrjes te “Kënga Magjike”, kënga që sillet për konkurrim duhet të jetë një krijim i ri, i paprezantuar më parë në asnjë kompeticion, madje as në ndonjë bar ku këngëtarët mund të ndiqen nga një numër i kufizuar njerëzish dhe kurrsesi të konkurrojë në një festival tjetër.
BLERAND REXHEPI











