Vrasja e Mirit të Xhikes, bie kërkesa për ADN e Tufës

Oct 6, 2011 | 12:58
LAVDERIM TUFA NE GJYQ

Gjykata e Tiranës dështoi dje tentativën e fundit të prokurorisë për një riinterpretim të rezultateve të ADN-së, provës “kyçe” të akuzës që lidh të pandehurin Lavdërim Tufa me ngjarjen e vitit 2003 në Lundër, ku u vra biznesmeni Fatmir Rama (Miri i Xhikes). Për shkak se palët nuk paraqitën prova të tjera, gjykata deklaroi të përfunduar shqyrtimin gjyqësor. Në seancën e datës 26 tetor pritet paraqitja e konkluzioneve përfundimtare të organit të akuzës në lidhje me të pandehurin Tufa. Në seancën e djeshme në ngarkim të Tufës, i akuzuar për vrasjen e biznesmenit Rama, gjykata nuk pranoi kërkesën e përfaqësuesve të prokurorisë për thirrjen në proces të një eksperti anglez. Sipas prokurorit, kjo kërkesë vinte për shkak të kundërshtive të shfaqura në konkluzionet e grupeve shqiptare të ekspertëve. Në seancat më të hershme, ekspertë shqiptarë të thirrur nga gjykata interpretuan ekspertimin gjenetik të ekspertit italian Renato Bjondo, të disa njollave “gjak-pështymë” të gjetura në vendngjarje. “Konkluzionet e dhëna nga grupet e ekspertëve, madje edhe brenda të njëjtit grup, kanë kundërthënie”, u shpreh prokurori para gjykatës. Po sipas tij, ekspertët shqiptarë konsiderohen si të kualifikuar për inspektimin e rezultateve të ADN-së. Ndaj, sipas prokurorit, lypej nevoja e thirrjes së një eksperti gjenetist të Policisë Shkencore të Londrës, si laboratori më i specializuar. Pretendimi i prokurorisë u kundërshtua dje nga mbrojtësi ligjor i Tufës, avokati Avni Shehu. Sipas avokatit, kjo kërkesë e prokurorisë bëhej veç për të zvarritur gjykimin ndaj Tufës, i cili ka nisur 8 vjet më parë. Pas tërheqjes në dhomën e këshillimit gjykata vendosi rrëzimin e kërkesës së Akuzës. “Gjykata e Lartë, në vendimin për rigjykim të dosjes ndaj Lavdërim Tufës, ka lënë si detyrë pyetjen e ekspertit Renato Biondo dhe thirrjen e një grupi ekspertësh, detyrë që konsiderohet e përmbushur nga Gjykata. Njëkohësisht, provat e marra janë të mjaftueshme për të konkluduar mbi përfundimet shkencore të analizave të ADN-së”, argumentoi gjykata.

Përputhja
Tre prej katër ekspertëve shqiptarë, të cilët interpretuan ekspertimin e italianit Biondo, pohuan në gjykim se probabiliteti i përputhshmërisë duhet të ishte mbi 99.99 për qind, kusht që nuk plotësohej në rastin e Tufës. Ndërkohë që eksperti i katërt pohonte se profili gjenetik i Tufës nuk mund të përjashtohej nga profili miks gjak-pështymë i gjetur në vendngjarje.

Analiza e ADN
Njollat “gjak-pështymë” të gjetura në vendngjarje janë ekspertuar në Itali gjatë gjykimit të parë të Tufës, nga eksperti Biondo, sipas të cilit, ato përputhen mbi 90 për qind me ADN-në e Tufës. Në vijim, në zbatim të detyrave të dhëna nga Gjykata e Lartë, që ktheu për rigjykim dosjen e Tufës, një grup ekspertësh duhet të interpretonin rezultatet e këtij ekspertimi.

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura