Neglizhencë të pacienteve, shkelje të orarit të punës, mosplotësim të formularit të vizitës së të sëmurit. Për të gjitha këto shkelje, Insituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka penalizuar 121 mjekë. Abuzime të mëdha janë vënë re në qendrat e Dibrës, Elbasanit Korçës.
“Janë marrë dhe masa administrative me gjobë, me kusht penal, masa të zhdëmtimit të dëmit ekonomik. Dëmet ekonomike janë vendosur për shkelje të kufizimit të listës së barnave, shkelje të kontrollit të përdorimit të barnave, shkelje të akteve normative që nxjerr ISKSH”, tha Pjerin Kodracaj, drejtor i kontrollit parësor dhe farmacive në ISKSH. Sipas tij, është marrë masë zhdëmtimi për shkelje të kontrës në pikën që ka të bëjë me detyrimin për mjekimin me rimbursim të të sëmurëve, mbështetur në listën e barnave, aktet e ISKSH-së dhe protokollet e përdorimit të barnave dhe për shkelje të udhëzimit që përcakton se recetat tip të miratuara për të sëmurët invalidë të gr. I-II”. Mjeku duhet të përshkruante medikamente të sëmundjes përkatëse për të cilën pacienti përfiton (invalid i gr. I-II falas 100%)… Për këtë kategori të sëmurësh, për medikamente që nuk i takojnë sëmundjes për të cilën përfiton, mjeku do të përshkruajë receta të zakonshme tip. Masa e zhdëmtimit është në vlerën 520 421.6 lekë”, tha Kodracaj. Shkelje janë vënë re dhe në shumë subjekte farmaceutike në Tiranë, Elbasan, Shkodër, Fier dhe Vlorë, për mungesë dokumentacioni, për mosrespektim të kontratës në tregtimin e barnave. “Është bërë gjithashtu zgjidhje kontrate për një subjekt farmaceutik për shkelje të kontratës për mosushtrim të profesionit nga drejtuesi teknik apo farmacisti i lartë i deklaruar në DRSKSH”, sqaroi drejtori i kontrollit parësor dhe farmacive pranë ISKSH-së.
Masat
.Penalizime për 121 mjekë dhe 82 farmaci:
.Masë zhdëmtimi, në total në vlerën 3 014 049 lekë.
.Masë administrative, në total në vlerën 170 000 lekë.
.Masë administrative, gjobë, në total në vlerën 155 500 lekë.
.Zgjidhje kontrate për një subjekt farmaceutik.
© Panorama.al











