Abetarja, Ivanoviç: Frymë e ‘Shqipërisë së Madhe’

May 18, 2012 | 19:56
Oliver Ivanoviç

BEOGRAD- Sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Oliver Ivanoviç, ka thënë se promovimi i abetares së përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës është mesazh i qartë se fryma për “Shqipëri të Madhe” nuk është tejkaluar.

“Kjo ide, e cila, të paktën në mënyrë deklarative është e papranueshme për Evropën dhe botën, është edhe një pretendim serioz për territorin e Serbisë. Prandaj, ajo duhet të hasë në një reagim të fortë, jo vetëm të Beogradit”, ka thënë Ivanoviç për mediat serbe.

Ai ka thënë se askush në Serbi nuk është kundër bashkëpunimit kulturor të shqiptarëve, por, sipas tij, promovimi i abetares zbulon edhe prapavijën politike se “fryma për Shqipërinë e Madhe nuk është shuar”.

Promovimi i abetares së përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës u bë të enjetën në qytetin e Prizrenit, në prani të dy kryeministrave, Sali Berisha dhe Hashim Thaçi. Abetarja e përbashkët do të nisë të përdoret me fillimin e vitit të ri shkollor.

 

© Panorama.al

Te lidhura