Abetare e njëjtë për Shqipërinë e Kosovën

Oct 23, 2011 | 12:18

MASH: Teksti për nxënësit e klasave të para do të jetë i përbashkët

Nxënësit e klasave të para në Shqipëri e Kosovë do ta mësojnë gjuhën shqipe me të njëjtën abetare. Vitin e ardhshëm shkollor, në të dyja shtetet do të qarkullojnë tekste të përbashkëta. Pak muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes mes dy ministrave të Arsimit, do të hapet konkursi për tekstin më të mirë. Gjithçka e bëjnë me dije specialistët e MASH në vendin tonë. Sipas tyre, në nëntor nis konkursi mes shtëpive botuese. “Autorët e teksteve do të jenë të përbashkët, edhe shtëpitë botuese gjithashtu. Ky do të jetë libri i parë në marrëveshjen që do të pasohet me libra të tjerë. Këtë libër patjetër do ta fusim në muajin shtator të vitit 2012, aq më tepër që kombinon dhe me 100-vjetorin e lindjes së shtetit shqiptar në të dyja vendet”, kanë sqaruar specialistët e Ministrisë së Arsimit. Sipas tyre, i vetmi kriter në përzgjedhjen e shtëpisë botuese do të jetë që subjekti të jetë shqiptaro-kosovar. Pas marrëveshjes së nënshkruar mes dy ministrive të arsimit, është ngritur një grup pune që po punon për unifikimin e programeve mësimore mes dy vendeve. Sipas marrëveshjes, ky proces nis me abetaren dhe do të vazhdojë më tej me të gjitha tekstet shkollore”.  Unifikimi i teksteve është një proces i natyrshëm që zbatohet me lehtësi, pasi edhe vetë strukturimi edukativ publik në të dyja shtetet ka ngjashmëri. Atëherë një standardizim sipas modelit europian do të ndihmonte të gjithë ata nxënës dhe prindër të tyre që lëvizin nga Shqipëria në Kosovë, ose anasjelltas”, thonë specialistët. Në vendin tonë, krahas kësaj abetareje, sipas reformës së altertekstit, do të ketë në qarkullim edhe abetare të autorëve të tjerë, ndërkohë që në shtetin e Kosovës kjo do të jetë e vetmja abetare për fëmijët e klasave të para. Çmimi i tekstit të abetares do të vendoset në bazë të rregullores së përcaktuar nga MASH. Përveç abetares, pritet që vitin që vjen të operohet njësoj edhe për 2 tekste të tjera të arsimit fillor. “Grupi i punës po merret me studimin e teksteve në të dyja vendet. Gjasat janë të shumta që dy tekstet e tjera të unifikuara të jenë gjuha shqipe dhe leximi letrar, por nuk është vendosur ende asgjë”, thonë specialistët.
Projekti për hartimin e një teksti abetareje të përbashkët që të përdoret në të gjitha trevat shqipfolëse, do të vijojë të zgjerohet vit pas viti. Këtë kanë premtuar krerët e Arsimit për secilin nga shtetet.

3 tekste
për arsimin fillor do të jenë të parat që do të përdoren të njëjta si në Shqipëri, ashtu dhe në Kosovë, në sajë të marrëveshjes për unifikimin e teksteve.

Tafaj: Është keqkuptuar deklarata për modelin anglosakson
E ka quajtur keqkuptim deklaratën e Kryeministrit për orientimin e sistemit shkollor drejt modelit anglosakson. Dje, nga qyteti i Fierit, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, deklaroi se drejt këtij modeli do të orientohet vetëm skema e financimit që do të aplikohet në shkollat e larta, por pa cenuar sistemin e Bolonjës, që aplikohet aktualisht. “Ky është një keqkuptim. Kryeministri Berisha u shpreh se modeli anglosakson dhe sistemi i Bolonjës duhet të kenë bashkëpunim dhe të japin e të marrin nga njëra-tjetra atë çka është më e domosdoshme dhe më efikase”, tha Tafaj. Ministri Tafaj pohoi se po reformohen edhe planet mësimore dhe u kërkoi mësuesve të pranishëm të japin opinionet e tyre para zbatimit të këtyre planeve. Gjithashtu, ai kërkoi bashkëpunim nga të gjithë edhe në hartimin e teksteve, me qëllim për t’i bërë ato sa më të kuptueshme dhe efikase.

© Panorama.al

Te lidhura