A do të hapë Britania kampe refugjatësh në Shqipëri? Përgjigjet Rama: Ne i jemi besnik “martesës” me Italinë, pjesa tjetër është thjesht dashuri…

May 15, 2025 | 13:21

Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot në konferencën e përbashkët me homologun britanik, pyetjes nëse Britania planifikon në ngrejë në vendin tonë kampe refugjatësh, njësoj siç ka bërë Italia.

Rama tha se diçka e tillë nuk do të ndodhë.

Me batutë kryeministri tha “ne i jemi besnik martesës me Italinë dhe pjesa tjetër është thjesht dashuri”.

Pyetja: Kryeministër, ju nga mënyra se si folët, thatë sikur nuk do të bëhet një qendër e tillë, si ajo me Italinë, pra në Shqipëri. A është e vërtetë kjo për këtë model që ne dëshirojmë të kemi për ta trajtuar këtë çështje tonën? Ndërsa ju kryeministër britanik, folët për tato vende dhe përmendët disa vende ku mund të çoni për përpunimin e rasteve të këtyre personave, si dhe hotelet emigrante që ne kemi në Britaninë e Madhe që po boshatisen.

Edi Rama: Kam qenë shumë i qartë qysh prej ditës së parë kur nisëm këtë proces me Italinë që kjo ishte një marrëveshje e vetme me Italinë për shkak të marrëdhënies sonë të veçantë por edhe falë situatës gjeografike që është mjaft kuptimplotë. Për të qenë shumë i sinqertë me ju, na kanë kërkuar një sërë vendesh nëse ishim të hapur për një gjë të tillë dhe u kemi thënë jo, sepse jemi besnik “martesës” me Italinë dhe pjesa tjetër është thjesht “dashuri”.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer: Në lidhje me pyetjen tuaj, në fakt po, po diskutojmë këtë çështje me një sërë shtetesh për sa u përket këtyre qendrave për kthimet dhe këtë e shoh si një çështje novatore, të re e të rëndësishme, e cila është në përputhje me punën që ne kemi bërë për, për shembull uljen e numrave nga Shqipëria, puna që kemi bërë dhe për zbatimin e ligjit edhe me vendet e tjera. Marrëveshjet e kthimit që ne kemi, numrin rekord të kthimeve që kemi pasur dhe ajo që dëshiroj të arrij është dhe që të shtojmë këto qendra kthimi sepse po i bëjmë këto diskutime tashmë dhe në kohën e duhur, do t’ju jap dhe hollësira të mëtejshme.

Në lidhje me hotelet e azilantëve siç i quajmë ne, duhet të jemi shumë të qartë pse e kemi këtë problem që kemi dhe kjo është për arsyen se qeveria e mëparshme në  mbretërinë e bashkuar, ka patur, ka bërë një eksperiment me kufij të hapur dhe përveç kësaj nuk kanë kryer të gjitha ekzaminimet për kërkesat për azil që do të thotë që dhjetëra e mijëra azilantë mbetën sepse situata e tyre ishte e atillë që as nuk u jepej përgjigje, as nuk i kthenin dhe numri i tyre u bë gjithnjë e më i madh dhe u desh që ato të akomodoheshin diku e këto ishin paratë e tatim paguesve dhe kjo është ajo situatë skandaloze që kemi gjetur.

Mënyra se si duhet zgjidhur është kjo punë që po bëjmë, që personat ti ndalojmë që të mos vinë në mbretërinë e bashkuar në formë të jashtëligjshme dhe për këtë arsye, ky samit, puna që kemi bërë me Shqipërinë dhe vendet e tjera është jetike, por dhe të ekzaminojmë të gjithë kërkesat e tyre që personat të kthehen në vendet e tyre e më vjen shumë mirë që edhe një herë kemi përveshur mëngët, kemi bërë punën e duhur dhe kemi kthyer 24000 persona që nuk kanë pasur të drejtë të qëndronin në Mbretërinë e Bashkuar dhe kjo është shifra më e lartë në 10 vjet e do të vazhdojmë ta bëjmë këtë unë edhe në të ardhmen. Faleminderit!

© Panorama.al

Te lidhura