72 minatorë kërcënuan me grevë,ACR:Do zgjidhet

Oct 11, 2011 | 19:41

Kompania konçesionare ACR ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në zonën D në minierën e Bulqizës ku 72 minatorë kanë ndërprerë punë, pasi pretendojnë se nuk janë paguar nga kompania.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, ACR ka shpjeguar se minatorët në fjalë nuk kanë qenë pjesë e kompanisë ACR, ndaj dhe nuk janë paguar. Por, po sipas kompanisë, METE ka urdhëruar që zona D do t’i kalojë ACR-së, ndaj dhe 72 minatorët do të bëhen pjesë e kompanisë, duke shtuar, se ajo ka marrë përsipër edhe zgjidhjen financiare për ta

METE tha se momentalisht puna në këtë zonë është e pezulluar, ndërsa stafi i saj është duke punuar për rifillimin e punës.

72 minatorë të Bulqizës kanë kërcënuar sërish me grevë. Shkak, sipas tyre është bërë moskorrektesa e administratës së firmës, pasi ata deklarojnë se nuk kanë marrë ende pagën e 13-të.

Minatorët pretendojnë se nuk kanë marrë pagën e 13-të si dhe 22 ditë leje dhe kjo situatë është krijuar pas një përplasje mes firmës koncesionare ACR dhe asaj nënkontraktore.

Minatorët kanë deklaruar se asnjëra palë nuk paguan rrogën e 13 dhe 22 ditë leje, duke hedhur përgjegjësitë njëra tjetrës ndërsa janë shprehur se do të vijojnë protestat në zonën D të galerisë së Bulqizës deri në marrjen e rrogave.

Minatorët e Bulqizës u rikthyen në punë pas 3 muajve ndërprerje të saj, pas arritjes së marrëveshjes me kompaninë konçesionare ACR, e cila plotësoi shumicën e kërkesave të minatorëve, përfshirë rritjen e pagës, rritjen e sigurisë në punë etj.

© Panorama.al

Te lidhura