TIRANË- Plot 40 konsuj nderi të Republikës së Shqipërisë nëpër botë, me mision përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në vendet përkatëse nisin sot një vizitë dy ditore në vendin tonë.
Ministria e Jashtme, sipas axhendës së vizitës bën me dije se sot ata do të priten nga zv.Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto në një ceremoni, ku do jenë të pranishëm dhe ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumci dhe ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Nasip Naco. Pas takimit është parashikuar edhe një prononcim për mediat.
Më pas, konsujt e nderit do të priten në takime të veçanta nga Kryeministri, Sali Berisha, kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, kryebashkiaku, Lulzim Basha dhe në mbrëmjen e datës 28 nëntor, do të jenë të ftuar në një pritje nga Presidenti i vendit, Bamir Topi.











