Një Kolegj Penal i Gjykatës së Lartë shtyu dje për një datë të re shqyrtimin e kërkesës së prokurorisë në lidhje me “riprangosjen” e dy prej gardistëve të dyshuar për vrasjet e ndodhura në demonstratën e 21 janarit në Tiranë.Seancat gjyqësore në ngarkim të gardistëve Gazmend Ahmetaj dhe Mark Nikolli në Gjykatën e Lartë nuk u zhvilluan, për shkak të mungesave në palët mbrojtëse. Ditën e djeshme, Gjykata e Lartë kishte caktuar seancat ku do të shqyrtohej rekursi i prokurorisë mbi vendimin e 3 marsit të Gjykatës së Apelit të Tiranës. Bëhet fjalë për vendimin që liroi dy gardistët, Gazmend Ahmetaj dhe Mark Nikolli, nga masa e sigurisë “arrest me burg”. Në dy seanca të njëpasnjëshme përfaqësuesit e akuzës u prezantuan para palëve, ndërkohë që banka e avokatëve në sallë qëndronte e boshatisur. Në seancën në ngarkim të gardistit Gazmend Ahmetaj, avokati i tij mbrojtës kishte paraqitur një kërkesë para gjykatës. Në kërkesë, avokati pretendonte se nuk mund të paraqitej në seancë, për arsye familjare dhe kërkonte shtyrje të seancës. Ndërsa, në seancën në ngarkim të gardistit Mark Nikolli, nga pala mbrojtëse nuk ishte paraqitur askush. Në të tilla kushte, në të dyja seancat Kolegji Penal vendosi shtyrjen e seancave në data të reja, të cilat do të shpallen në ditët në vijim. Rekursi i prokurorisë mbi gardistët Gazmend Ahmetaj dhe Mark Nikolli, si edhe Sadik Çelës, i liruar nga Apeli në të njëjtën ditë me ta, u regjistrua në Gjykatën e Lartë në ditët e fundit të muajit mars. Si objekt i tyre ishte “caktim mase sigurimi ‘arrest me burg'”. Pak ditë më parë, Gjykata e Lartë ka nisur shqyrtimin për rekursin ndaj gardistit Sadik Çela, por edhe ajo seancë është shtyrë. Ndaj tyre, Gjykata e Shkallës së Parë caktoi në 7 shkurt masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 30-ditor. Në 3 mars, Gjykata e Apelit e ndryshoi këtë masë në “detyrim paraqitjeje”, për shkak të mungesës së provave. Sipas dosjes penale në lidhje me ngjarjen e 21 janarit, verifikimet në vendin e ngjarjes kanë gjetur se tre efektivat e Gardës që u arrestuan, që bënin pjesë në grupin e zjarrit, kishin qëlluar nga 10 deri në 35 herë me plumba ushtarakë. Edhe pse ekspertiza provoi se armët e grupit të zjarrit kishin kryer qitje me plumba luftarakë, ekspertiza nuk ka provuar se predhat që kanë vrarë katër viktimat apo kanë plagosur personat të tjerë në ngjarje, kanë dalë nga armët e këtyre oficerëve të Gardës.
Arrestimi i gardistëve
Gardistët Gazmend Ahmetaj, Çela dhe Nikolli u arrestuan për llogari të hetimeve të Prokurorisë së Tiranës mbi vrasjet e ndodhura në demonstratën e dhunshme të 21 janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Nga hetimet rreth ngjarjes, është vërtetuar se nga armët e tyre janë bërë qitje gjatë demonstratës. Njëkohësisht me ta u ndalua edhe gardisti Agron Malaj, i cili u lirua në Shkallën e Parë.
Armand Bajrami
© Panorama.al











