
TIRANE- Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kremton sot 20 vjetorin e rihapjes së saj në Tiranë.
Në çelje të festimeve të 20 vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shetetve të Bashkuara dhe hapjes së ambasadës në Tiranë, ambasadori Aleksandër Arvizu falenderoi shqiptarët, që siç tha ai, na kanë bërë pjesë të tyren.
“20 vite më parë u shënu një risi për këte vënd. 20 vite më parë u shënua një nisje të re për SHBA-të në Tiranë. Në këto 20 vite na keni sjellë në zemra, në shtëpi, në zyra dhe na keni lejuar që të behemi pjesë e arrijeve tuaja të mrekullueshme të këtyre 20 viteve. Na keni lejuar që të behemi pjesë e juaja, të së shkuarës, të tashmes dhe të ardhmes, ndërsa ju punoni për të krijuar një të ardhme më të mirë për Shqipërinë”- shpreh ambasadori Arvizu.
Ai falenderoi Bashkinë e Tiranës, Polcinë e Shtetit dhe mediat për mbështetjen që i kanë dhënë këtij aktiviteti.
Basha: Rihapja e ambasadës, ngjarje me rëndësi kombëtare
Ndërsa, kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha e quajti ngjarje me rëndësi kombëtare rihapjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.
“Amerika ka qenë dhe do të mbetët më shumë se një vend, më shumë se një komb, është një ide e madhe. Ideja se liria është e mundur, se njerëzit janë krijuar për të qenë të lirë dhe se vetëm në liri njeriu mund të realziojë potencialin e tij të plotë”- tha Basha
Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol të rëndësishëm në këto 20 vite, vazhdoi më tej ai, duke shtuar se, kemi shumë arsye për tu shprehur mirënjohje; për rolin vendimtar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe për mbështetjen e fuqishme për anëtarësimin në NATO.
Duke vlerësuar se nuk mund të kemi një mik më të mirë së Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Basha kujtoi të gjithë djemtë shqiptarë që shërbejnë përkrah ushtarëve amerikanë në gjithë botën, ndërsa shtoi se SHBA-të kanë investuar mbi 700 milionë dollarë në këto 20 vite për zhvillimin e Shqipërisë.
Ceremonitë festive po zhvillohen në Rr. Murat Toptani, ku janë mbledhur shumë qytetarë shqiptarë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rivendosur marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë në mars të 1991, ndërsa ambasada ka nisur punën në 2 tetor.
Ambasadori i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë Ulysses Grant-Smith, i cili ka qëndruar në detyrë nw vitet 1922-1925.
Nga viti 1939 deri në vitin 1991, Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike. Më 1 tetor të viti 1991 ka mbërritur në Tiranë i ngarkuari me punë nga SHBA Kristofer Hill, duke shënuar kështu edhe rihapjen e Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.
© Panorama.al











