Portieri i Realit të Madridit dhe Andoni Zubizarreta, ish-portieri i kombëtares spanjolle, do të regjistrojnë paraqitje të barabarta me kombëtaren e vendit të tyre. Kasijas do ta fiksojë këtë prag prej 126 ndeshjesh me “La Furia Roja” në “Wembley”, në miqësoren e 12 nëntorit me Anglinë. Në kohën kur kapiteni i Spanjës përgatitet për të festuar një tjetër pikë referimi në kombëtare, po shikojmë mbrapa, në disa prej pikave kryesore të karrierës së tij vezulluese.
Duke marrë në konsideratë vetëm 11 vitet e tij në kombëtare, për të arritur këtë pikë referimi, në krahasim me Zubizarretën, në kohëzgjatjen 13-vjecare me “furinë e kuqe”, Kasijas e ka ende të ardhmen përpara, për ta përshkruar, duke vendosur rekorde të tjera në këtë drejtim. Ai është vetëm 30 vjeç, por kjo i mjafton për të qenë tashmë një nga portierët më të suksesshëm të të gjitha kohërave, nëse jo ende më i suksesshmi, gati të eklipsojë edhe disa nga të mëdhenjtë e këtij roli në futboll, si Lev Yashin, Gordon Banks, Dino Zoff, Oliver Kahn dhe Edwin van der Sar. Për t’u bërë lojtari me më shumë ndeshje për Spanjën i është dashur “testamenti” me Realin e Madridit, ku ka fituar shumë tituj e trofe, por ka dëshmuar edhe qëndrueshmëri e jetëgjatësi, e ka kryer në nivelin më të lartë të mundshëm detyrën si portier. Sidomos në këtë periudhë të epokës së futbollit të vendit të tij, ai ka fituar lavdinë e madhe, sepse Spanja nuk ka prodhuar shumë portierë të klasit botëror, ndërsa është shquar për mesfushorë të jashtëzakonshëm. Pepe Reina, Victor Valdes, David de Gea mund të bëjnë pjesë në “valsin” e portierëve me nivel të lartë kombëtar dhe ndërkombëtarë, por ata janë “mbajtur në gji” nga kapiteni i Spanjës.
| IKER KASIJAS | TROFETE |
| |
|
“Top 10” e Spanjes per ndeshje
| Nr. | Lojtari | Nd. |
| 1 | Andoni Zubizarreta | 126 |
| 2 | Iker Casillas | 125 |
| 3 | Xavi | 105 |
| 4 | Raul | 102 |
| 5 | Carles Puyol | 96 |
| 6 | Xabi Alonso | 90 |
| 7 | Fernando Hierro | 89 |
| – | Fernando Torres | 89 |
| 9 | Jose Antonio Camacho | 81 |
| 10 | David Villa | 80 |
| – | Sergio Ramos | 80 |
Kasijas mund të ketë treguar ndonjë “parregullsi” në formën e vet sportive kohët e fundit. Si cdo sportist, edhe ai ka dobësitë e tij. Por, ndryshe nga shumica e superstarëve me profil të lartë në futbollin botëror, Iker është një lojtar që bën përshtypje dhe të tërheq në të gjitha ndalesat e tij. E ka treguar veten çdo kohë, sidomos në ndeshje të mëdha, në fazat madhështore të kompeticioneve të ndryshme. Ai e ka shpëtuar në mënyrë të panumërt Realin e Madridit. Rezistencën e tij këmbëngulëse ndaj Bayer Leverkusen, në finalen e Ligës së Kampionëve të sezonit 2001-2002 s’mund ta harrojë askush. Vetëm 20 vjeç, asokohe, Iker Kasijas vendosi themelet e asaj që duhej të bënte gjatë dekadës së ardhshme. Ai kishte ardhur në futboll edhe për ta shpëtuar kombëtaren e vendit të tij, në shumë raste. Performanca e këtij portieri në çerekfinale të Euro 2008 e ndihmoi Spanjën drejt suksesit të parë, fitimit të këtij Kampionati Europian. Një sukses që shumë pak vetë e besonin, por kombëtarja iberike, me në krye portierin Kasijas, i mposhti një e nga një kundërshtarët në këtë kompeticion dhe fitoi titullin, duke ndryshuar historinë e futbollit spanjoll. Ai bëri një paraqitje të rëndësishme për ta shpëtuar Spanjën kundër Paraguajit, në një të tetat e finaleve të Kupës së Botës 2010, sikurse regjistroi mrekullinë më të rëndësishme të karrierës së tij, kur me majën e këmbës së djathtë i mohoi Arjen Robenit golin në kohën shtesë të finales së Kupës së Botës së Afrikës së Jugut, kundër Holandës. Edhe falë tij, Spanja fitoi Botërorin e këtij viti, të parin në historinë e vet. Kasijas nuk mund të ketë praninë fizike të një Peter Shmajkeli, ndoshta as duar të sigurta prej një Oliver Kahni, as pagabueshmërinë e Dino Zofit, por, në fund të ditës, rolin e tij si portier, si lojtari i fundit i mbrojtjes, e bën me një efikasitet absolut. Ai është një portier, i cili, edhe kur topi po shkon në mënyrë të pashmangshme drejt rrjetës së tij, bën mrekulli për ta evituar golin. Qoftë me Realin e Madridit, ashtu edhe me kombëtaren spanjolle. Ksavi, një nga lojtarët më të spikatur të Spanjës, duke e përshkruar Kasijasin, tha: “Kur çdo gjë duket e humbur, ai të kursen. Ai na jep një kredi shtesë, një shans ekstra ne të tjerëve, në fushën e lojës.”
© Panorama.al












