“Zhduken” 39 procesverbalet e notave të Bossi-t te “Kristal”

May 17, 2012 | 14:59
Diploma e Renzo Bossit

TIRANE – Zhduken në universitetin privat “Kristal” procesverbalet e 39 provimeve të shtetasit italian Renzo Bossi, në të cilat pretendohej pjesëmarrja e tij e rregullt në shkollë. Prokuroria e Tiranës, e cila po kryen hetime për mundësinë e falsifikimit të diplomës së menaxhimit të biznesit në emër të Renzo Bossit, tha dje se nuk ka arritur të gjejë në zyrat e universitetit “Kristal” asnjë procesverbal që të mbështesë listën e notave të shtetasit italian. Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria, dy herë me radhë anëtarët e grupit të hetimit shkuan në zyrat e universitetit privat dhe kërkuan procesverbalet e notave, por nuk i gjetën ato. Më pas, Prokuroria i dërgoi një kërkesë zyrtare me shkrim universitetit për të vënë në dispozicion procesverbalet e provimeve, por dokumente të tilla nuk janë dorëzuar në Prokurori. Sipas burimeve nga organi i akuzës, në këto rrethana rezulton se janë zhdukur dokumentet në fjalë, ndonëse në universitetin në fjalë është sekuestruar një listë e rregullt notash në emër të shtetasit italian Renzo Bossi. “Sipas rregullores, kjo listë notash sipas lëndëve duhet të ishte bazuar në procesverbalet përkatëse të nënshkruara nga secili pedagog”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, për vendosjen e secilës notë, duhet të ekzistojë një procesverbal me datën e dhënies së provimit dhe me firmën e pedagogut. Në mungesë të procesverbaleve të notave, Prokuroria ka nisur të marrë në pyetje me radhë pedagogët e lëndëve ku rezulton të jetë vlerësuar shtetasi italian. Ai rezulton se është regjistruar në universitetin “Kristal” në Tiranë, në një kohë kur nuk kishte mbaruar shkollën e mesme në Itali. Po kështu, pa hyrë asnjëherë në Shqipëri, Renzo Bossi është diplomuar në korrik 2011 në degën Menaxhim Biznesi, ndërkohë që diploma në fjalë është sekuestruar në Itali pak javë më parë, në fillim të muajit prill. Gjetja e kësaj diplome gjatë kontrolleve për financat e Lega Nord, partisë së udhëhequr nga babai i Renzos, Umberto Bossi, shkaktoi edhe skandalin që u bë shkak për hapjen e hetimeve nga ana e Prokurorisë shqiptare. Burimet nga organi i akuzës kanë thënë se ka dyshime, sipas të cilave procesverbalet mund të jenë fshehur.

© Panorama.al

Te lidhura