“Violina e thyer”, projekti-amanet i Agron Alisë

May 18, 2012 | 14:56
Agron Aliaj dhe balerina Enada Hoxha. Fotografia na është vënë në dispozicion nga balerina, e cila e kujton këtë seancë fotografike, si një nga kujtimet më të bukura dhe të fundit me profesorin e saj

Qysh ditën e aksidentit fatal, më shumë se dy muaj më parë, gati të gjithë u përgatitën për më të keqen, por kur e keqja vjen, çuditërisht, ajo sërish të lë pa fjalë. Ndarja nga jeta e koreografit Agron Aliaj, dje në mesditë, ka tronditur gjithë trupën artistike të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, dhe jo vetëm. Që nga ata që mësuan hapat e para prej tij, mësuan si të dilnin në skenë e të rriteshin, tek ata që qenë bashkudhëtarë në ditë të mira e të vështirë, deri tek ata që i adhuronin mjeshtërinë. Pas më shumë se dy muajsh përpjekjeje mes jetës dhe vdekjes, zemra e koreografit 78-vjeçar u ndal dje, duke lënë pas shumë projekte të papërfunduara. Meraku i mjeshtrit ishte të ringjiste në skenë veprat kombëtare, ashtu si bëri me veprat “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Lumi i vdekur” apo “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, rivënien e së cilës ishte duke e përgatitur, kur ndodhi aksidenti. Homazhet për lamtumirën e fundit ndaj mjeshtrit të koreografisë do të zhvillohen sot në orën 12:00-14:00 në hollin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
PROJEKTET E LËNA PËRGJYSMË

Njohja e maestro Zhani Cikos me Agron Aliajn është e hershme, qysh në vitet ’70, kur ky i fundit vuri në skenë një nga veprat e tij më të rëndësishme, “Cuca e maleve” dhe Ciko ishte koncertmaestër në fillimet e tij në Teatrin e Operës. Pastaj më vonë, kur Aliaj vuri “Historia e një kënge”, me muzikë të Nikolla Zoraqit, e mbështetur mbi një vepër të Ismail Kadaresë, titulluar “Riviera” e që u kritikua shumë atë kohë, pas Plenumit IV. Sipas Cikos, ishte një vepër që tronditi ambientin tradicional të kohës. “Për mua ishte një fat i madh, që me kthimin tim në TKOB e gjeta vital, me

Agron Aliaj, gjatë mësimdhënies në liceun artistik “J. Misja”

moshë krijuese shumë aktive, që e vazhdoi deri në fund të jetës. Agroni shfaqej në TKOB vetëm kur kishte diçka të re për të propozuar. Dhe një nga ditët e mia të trishtuara në fillim të këtij viti, futi kokën në zyrë dhe tha vetëm një titull që më rrëqethi, një titull shumë shprehës dhe domethënës: “Violina e thyer”. Një vepër shumë konfidenciale, mbështetur mbi një vepër letrare. Folëm shumë shkurt mbi të, por ai, si të parandiente diçka, dëshironte ta ngjiste në skenë në vjeshtë. Duke qenë viti i 100-vjetorit të pavarësisë i thashë që ndoshta nuk e ngjisnim dot në skenë në vjeshtë, por të paktën deri në atë kohë ai ta kishte përfunduar koreografinë. Ndoshta s’do të bëhet kurrë si dëshironte ai, por ndoshta ne do t’i gjejmë forcat artistike për të plotësuar këtë amanet të tij”, thotë Ciko, ndërsa dhimbja e humbjes ndihet qartë në zërin e tij. “Sa i përket repertorit botëror, kishim dëshirë të rivinim në skenë vepra si “Liqeni i mjelmave” apo “Bajaderën”, të cilat tashmë nuk ka asnjë vështirësi për t’i vënë, pasi të gjitha janë të regjistruara. E gjithë krijimtaria e Agron Aliajt është në një DVD. Unë jam i hidhëruar dhe lotoj për atë që Agroni do të bënte në të ardhmen e që s’do të bëhet kurrë. Së fundi kishim diskutuar se si mund të rivihej “Cuca e maleve”, një vepër me shumë simbolika, e cila mund të nxirrej jashtë kontekstit ideologjik, ngarkesë e cila mund korrigjohet thjeshtë, koreografikisht. Ky ishte një nga synimet e tij”. Por për Cikon, e veçanta e Aliajt qëndronte në përmasën erudite të tij. “Ishte piktor i shkëlqyer, ulej në piano dhe shkrihej në muzikën e Shopenit, por ishte dhe poet. Kishte një ndjeshmëri të jashtëzakonshme dhe detaje fare të vogla, si hapja e një jake, apo një mëngë e frymëzonin atë për lëvizje koreografike. Dhe kjo rridhte prej njohurisë së madhe që ai kishte mbi artin bashkëkohor”, thotë Ciko, ndërsa përmend baletin “Migjeniana”, që ndonëse e krijuar nën ndrydhjen e kohës, erdhi me një frymë të re nga Aliaj. “Ai ecte instinktivisht me kohën, nuk ankohej kurrë për vitet që iknin. Ishte një vullkan eruptiv i fuqishëm. Humbja e Agronit është e parikuperueshme për jetën artistike të vendit”.

AKSIDENTI
Ishte data 7 mars, kur sapo kishte dalë prej provave të baletit “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, koreografi Agron Aliaj është përplasur nga një makinë teksa kalonte rrugën pranë Teatrit. Artisti është shoqëruar në urgjencën e Spitalit Ushtarak në kryeqytet nga drejtuesi i automjetit. Koreografi Agron Aliaj u nda nga jeta në reanimacionin e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”. Pas mjekimit në Spitalin Ushtarak dhe trajtimit në QSUT, iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, në spitalin “Hygeia”, por gjendja e tij shëndetësore nuk u përmirësua. Me anë të një letre të hapur, familjarët e koreografit iu drejtuan Ministrisë së Shëndetësisë për krijimin e mundësisë për një trajtim më të specializuar, jashtë shtetit. Por kjo nuk u pa e arsyeshme për shkak të gjendjes së tij shumë delikate.

Koreografi
Agron Aliaj u lind më 30 tetor të vitit 1933 në Delvinë. Krijimi i grupit të valleve në Shtëpinë e Pionierëve në vitin 1946 në Tiranë, nën drejtimin e mjeshtrit Panajot Kanaçi, qe një nxitje për të. Është ndër të parët solistë të Filarmonisë Shqiptare (1948). Studimet e larta i kreu në shkollën koreografike pranë Teatrit Akademik të Moskës (1950- 1956). Emërohet solist i parë i trupës së baletit të Teatrit të Operës dhe Baletit, ku realizoi disa kryerole të literaturës së baletit kombëtar dhe atij botëror: “Halili dhe Hajria” (1963), “Delina” (1964), “Cuca e maleve” (1970) apo te baletet klasike: “Kujdesi i kotë” (1957), “Romeo dhe Zhulieta” (1957), “Franceska da Rimini” (1962), “Lola” (1958), “Paganini” (1963), “Fadeta” (1960) etj. Aktiviteti artistik pasurohet me veprën e tij krijuese koreografike. Pas realizimit të shumë valleve dhe numrave koncertorë, është autori i shumë baleteve kombëtare: “Cuca e maleve”, “Tokë e pamposhtur”, “Para stuhisë”, “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, “Halili dhe Hajria”, si dhe “Zhizel”, “Don Kishoti”, “Romeo dhe Zhulieta”, “Hirushja”, “Katedralja e Parisit”, “Liqeni i Mjelmave”, , “Migjeniana”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Lumi i vdekur”, etj. Deri në çastin e ndarjes nga jeta ka qenë pedagog në Akademinë e Dansit dhe Akademinë e Artit, Tiranë. Është nderuar me çmimin e Republikës dhe mban titullin e lartë Artist i Popullit.

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura