
Deputetët e Partisë Demokratike dalin kundër procesit të nisur nga Ujësjellësi për zëvendësimin e matësve të ujit. Kryetari i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Jemin Gjana, ngriti dje shqetësimin gjatë një mbledhjeje të Komisionit. Sipas tij, në shumë familje punonjësit e Ujësjellësit kanë shkuar dhe kanë dashur të ndërrojnë matësit, duke i detyruar qytetarët të paguajnë shumën prej 3 mijë lekësh të pajisjes. “Vijnë i ndërrojnë dhe të sjellin një faturë ku të thonë se unë të pres ujin nëse ti nuk paguan këtë faturë se kaq bën matësi. Nëse ty të teket të ndërrosh matësin, ndërroje o vëlla, pse duhet ta paguaj unë atë? Kur matësi aktual është funksional, i kolauduar, i vënë po nga Ujësjellësi”, u shpreh deputeti i PD-së në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese. Ai vazhdoi edhe më tej duke thënë se lidhur me këtë problem do të thirret në një seancë dëgjimore dhe kreu i Entit Rregullator të Ujit. Sipas Gjanës, ka familje që kanë paguar deri në 6 mijë lekë të rinj faturat e ujit. “Ç’a është kjo?! Ndoshta duhet të thërrasim dhe Entin Rregullator të Ujit për këtë çështje, se edhe ai ka përgjegjësi për këtë punë. Janë disa shqetësime që ne duhet t’i prekim dhe t’i themi se ajo që është korrekte është korrekte, por kur ka gjëra që nuk shkojnë. E dini që ka pasur njerëz që kanë ardhur dhe më kanë thënë se i ka ardhur fatura e ujit 60 mijë lekë në muaj?”, vijoi më tej deputeti demokrat. Ndërsa anëtari tjetër i këtij komisioni, Selami Xhepa, propozoi që për kolaudimin e matësve të ujit të zbatohet e njëjta skemë si me ato të energjisë elektrike. “Ju prekët temën e kolaudimit të këtyre matësve të ujit. Mund të zbatohet e njëjta praktikë si për energjinë elektrike, që duhet të koncesionohet një subjekt i pavarur, i jashtëm, që të kontrollojë këta matës, sepse kështu si veprohet është në konflikt interesi, sepse subjekti që shet mallin kontrollon dhe matësin”, theksoi në fjalën e tij Xhepa. Në një njoftim të muajit korrik, Ujësjellësi u kërkoi qytetarëve që t’i lejojë punonjësit e tij për të bërë zëvendësimin e matësve. Duke iu referuar Kodit të Ujit dhe një vendimi i Këshillit të Ministrave, pagesën e pajisjeve të reja do ta bëjnë vetë qytetarët. Sipas të dhënave të Ujësjellësit, janë vendosur në të gjithë vendin 2200 matës të rinj dhe janë prerë 4600 lidhje. Nga këto, 2640 janë lidhje të debitorëve familjarë, 860 lidhje të debitorëve privatë dhe 1100 prerje të konsumatorëve që nuk pranojnë vendosjen e ujëmatësve.
1100 familje
Sipas të dhënave të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, numri i familjeve që nuk kanë pranuar të instalojnë matësit e rinj është 1100. Ndërkohë, 2200 familje kanë pranuar matësit e rinj dhe 4600 lidhje janë shkëputur
ADI SHKEMBI











