Shtypi e mediat shqiptare, si dhe agjencitë ndërkombëtare të lajmeve kanë lajmërue vdekjen e ish-presidentit të Shqipërisë, Ramiz Alia, ish-sekretar i parë i PPSH-së. Në mbështetje të Rregullores së Presidencës, kufomës iu dha mundësia e një funerali dinjitoz dhe një varrimi të përshtatshëm për çdo qytetar të lirë të Republikës së Shqipërisë. Kam njohë voglushin Ramiz Alia si fqinj në lagjen time “Dudas” të qytetit Shkodër. Kemi lindë në të njëjtin vit, 1925, dhe kemi ndjekë së bashku disa klasë të shkollës fillore, si dhe kemi kalue orët e lira si fëmijë, sidomos me ndeshje futbolli në rrugët e lagjes sonë. Kujtimet që kam sot janë ato të nji filloristi me edukatë, të sjellshëm, me natyrë paqësore. Rreth moshës 8 ose 9-vjeçare, Ramizi u largue familjarisht nga Shkodra dhe zuni vend në Tiranë. Që nga ajo kohë nuk kam pas asnji kontakt me atë. Për nji ironi të fatit, në shkurt 1942, ai dhe unë kemi kalue dy eksperienca që kanë përcaktue të ardhmen tonë. Si aktivist i grupeve studenteske mikste të rezistencës në Liceun e Shkodrës, nji ditë u gjeta i papërgatitun në nji mbledhje konspirative me nji aktivist komunist, që ma vonë kuptova se kishte qenë Qemal Stafa. Që në minutën e parë u ballafaqova kur ai e cilësoi mbledhjen si “mbledhje komuniste”. Protestova. “Unë nuk jam komunist”, i thashë. Ai i tërhoqi vrejtjen “shokut” që më kishte shoqnue dhe më kërkoi të vendos nëse dëshirojsha me marr pjesë. “JO!”, i thashë, e dola nga mbledhja.
Deri atë ditë, lëvizja jonë e përbashkët ishte përqendrue në “luftën për çlirimin e Shqipërisë e kthimin e pavarësisë së humbun”; ajo kishte nji karakter të fortë kombëtar. Mbas hymjes në luftë të Bashkimit Sovjetik, qershor 1941, filloi propaganda “me ndihmue Bashkimin Sovjetik” dhe indoktrinimi për ndërtimin e socializmit në Shqipëri simbas modelit të Bashkimit Sovjetik.
Lëvizja mori karakter social dhe ideologjik. Lufta tani bahej kundër “fashizmit”, jo kundër dy shteteve okupuese. Lëvizja e re u përqendrue në marrjen e pushtetit me çdo kusht. “Na duhen vetëm dy javë në pushtet, – më tha nji aktivist komunist, – dhe nuk ka zot që na heq nga dora”.
Ndamja në mes nesh u ba e plotë. Që nga dita e incidentit, “shokët” më anashkaluen dhe me zhvillimin e ngjarjeve, unë mora nji qëndrim të premë ndaj valës së re prokomuniste. Si rrjedhim, pa kalue shumë kohë, me ardhjen në fuqi të komunistëve, erdhi edhe arrestimi im, torturat, burgosja, internimi i familjes, arratisja dhe mërgimi politik që vazhdon akoma. Megjithatë, asnjiherë nuk e mallkova fatin tim!
Pikërisht në shkurt 1942, Ramiz Alia anëtarësohet në organizatën e rinisë komuniste dhe për të gjithë jetën e tij i qëndron besnik ideologjisë marksiste dhe praktikës leniniste-staliniste. Zhvillimi i karrierës së tij politike ashte tashma i njohun nga të gjithë.
E paprituna e madhe për mue, si shok fëminije, ka qenë dhe mbetet akoma enigma e transformimit të nji natyre të qetë në nji element të egër që përkrah, dhe përkryen akte krimesh masive, qoftë si militant, qoftë si udhëheqës. Shumë sekrete të llahtarshme ngjarjesh në Shqipëri dhe Kosovë kanë vdekë së bashku me autorin e tyne. Megjithatë, edhe ajo sasi e kufizueme që ashtë e njohun, mjafton me gjykue veprimtarinë e komunistit Ramiz Alia si veprimtari kriminale me vrasje viktimash të pafajshme.
Disa nga oratorët që folën para kufomës së tij lavdëruen veprimtarinë e tij gjatë Luftës Antifashiste (1942-44). Unë jam dakord, natyrisht me disa rezerva. Nji sqarim: Të gjithë ata shqiptarë që patën guximin me kundërshtue, me armë ose mjete të tjera, okupatorin, meritojnë mirënjohjen tonë. Ata kanë krye detyrën e
tyne ndaj popullit e atdheut; por nuk kanë fitue asnji privilegj. Njikohësisht, të gjithë ata që nuk kanë kundërshtue okupatorin, nuk kanë krye detyrën e tyne ndaj popullit e atdheut, por ata nuk kanë humbë të drejtën me qenë qytetarë të lirë me të drejta të barabarta në nji shtet shqiptar. (Këtu përjashtohen ata që kanë bashkëpunue me okupatorin).
Por, karriera e Ramiz Alisë shtrihet kryesisht mbas vitit 1944; për këtë folësit preferuen heshtjen.
Me fitoren e lëvizjes Nacional-Çlirimtare dhe marrjen e pushtetit në dorë nga drejtueset e saj (nandor 1944) fitimtarët reklamuen të drejtën absolute të sundimit dhe qeverisjes, dhe përsëri të drejtën absolute me imponue me dhunë mbi popullsinë vendase formën e regjimit të ri. Kundërshtarët, tue përfshi edhe mendjet e ndrituna dhe ndërgjegjet e pastra që kishin dhanë aq shumë për çlirimin e vendit nga i hueji, u shtypën pa mëshirë, ose u eliminuen fizikisht.
Arrestimet, torturat, burgosjet, internimet dhe pushkatimet me gjyq e pa gjyq me qëllim të frikësimit të popullsisë u bënë rendi i ditës së “rendit të ri” që reklamonte “bukë, paqe dhe liri” dhe që imponoi, de fakto, uri, luftë klasash dhe diktaturë.
Në këtë ndërmarrje kriminale ku nuk sundonte ligji, por individi i veshun me petkun e autoritetit partiak, Ramiz Alia luejti nji rol të damshëm dhe ndihmoi në krijimin e situatave shumë të vështira, me nji rrjet të gjanë dhe të komplikuem spiunazhi dhe terrori, e nji sadizëm dhe urrejtje nga e cila asnjeri nuk mund të ikte, qoftë zyrtar ose qytetar i thjeshtë. Nji qëndrim i këtillë kriminal dhe antinjerëzor i siguroi atij mundësinë e ngritjes në hierarkinë e shtetit e të PPSH-së derisa arrijti kulmin. Ma në fund, për afër dhjetë vjet, ai ka qenë violina e parë e koncertit vdekjeprurës të luejtun nga PPSH-ja dhe xhelatët e saj të pakorrigjueshëm.
Si komisar politik i divizionit shqiptar në Jugosllavi, Ramiz Alia akuzohet për bashkëpunim në masakrimin e elementit rezistues kosovar gjatë sulmeve kriminale serbo-malazeze të viteve ‘44-‘45 (tregimet e ish-gjeneral Rrahman Përllaku) dhe sidomos për aprovimin e masakrës së Tivarit, ku humbën jetën disa mijëra rekrutë kosovarë, viktima të brigadave partizane serbo-malazeze. Burime të besueshme tregojnë se i pyetun nga udhëheqsi komunist Tuk Jakova, çfarë ngjau me mijëra kosovarët që u përcollën nëpër Shqipëri (shkurt-mars 1945), ai përgjegji: “I kemi vra si qentë rrugës… të gjithë ishin kundërshtarë”!
Më 1951 ai formalisht aprovoi ekzekutimin e 21 intelektualëve të pafajshëm të akuzuem për hedhjen e bombës në Ambasadën Sovjetike. Ramiz Alia ashtë nji nga të paktët “elitistë” të PPSH-së që u dërguen në Moskë për arsimim të naltë ideologjik dhe së bashku me kryekriminelin Kadri Hazbiu, u ngritën në pozita kyçe të administratës së vendit. Ai ashtë vetëdeklarue si “iniciator” i lëvizjes së rinisë kundër institucioneve fetare dhe klerit, sidomos të klerit katolik, qendër shekullore e shqiptarizmit. Si ideolog i PPSH-së ai ashtë përgjegjës për indoktrinimin e rinisë me frymën e urrejtjes dhe ideve kriminale të komunizmit stalinian, nji orientim që shërbente shumë mirë interesat diktatoriale të satrapit aziatik E. Hoxha, padroni tij i padiskutueshëm.
Edhe me ardhjen e tij në fuqi si sekretar i parë i PPSH-së, 1985, ai kurrë nuk gjeti guximin e duhun me ndryshue orientimin e gabuem, megjithëse gjithë bota rreth tij po ndryshonte me shpejtësi. Edhe mbas ligjit të majit 1988 për dekriminalizimin e arratisjes nga shteti, besohet se 82 qytetarë, shumica të rij e të reja që tentuen arratisjen nga skëterra 45-vjeçare, u vranë nga rojet e kufinit. Asnji nuk u arrestue ose dënue për këto krime. Ai heshti edhe kur xhelatët e PPSH-së (si Koço Danaj në Sarandë) tërhiqshin me litar në grykë kufomat e viktimave nëpër rrugët e qyteteve. Zani i arsyes së errësueme dhe i ndërgjegjes së flliqun nuk kërkoi falje. Ramiz Alia heshti!
“Ai nuk diti për asnji moment të ishte lider, dhe ky ishte fataliteti i tij i madh”, shkruente analisti Blendi Fevziu. Ky “fatalitet” i tij ka qenë edhe tragjedia e Shqipërisë që në momentet kyçe të historisë së saj, ajo ishte pa udhëheqje. “Tragjedia” e Ramiz Alisë ka qenë dikotomia e karakterit, butësia natyrale e personalitetit të tij nga njena anë, dhe nga ana tjetër egërsia e krimit komunist që e mori me vete dhe e detyroi me veprue kundër natyrës së tij. Ai ishte kthye në nji automaton, nji mekanizëm që reagonte simbas udhëzimeve të marruna nga nalt, ose nga frika e rrjedhimeve të aktit të tij. Ramiz Alia ka jetue dhe veprue në “mauvaise foi”, siç thonë francezët, në nji botë të gënjeshtërt që në mbrendinë e vetes ndoshta ai nuk e pranonte, por që antiheroi nuk gjente forcën e duhun me kundërshtue…!
Nji shembull: Mbas vdekjes se satrapit aziatik E. Hoxha, ai gjeti kurajën me amnistue gruen e divorcueme dhe djalin e kryekriminelit Haxhi Lleshi, ish-kryetar i Komisionit Shtetnor për Internimet, dy viktima të capkunerisë komuniste. Por ai nuk gjeti guximin e duhun me amnistue ma shumë se 15 000 viktima, burra, gra e fëmijë të internueme në kampet e dbimit, disa prej tyne për 45 vjet me radhë…! Nji qëndrim i këtill tregon fatalitetin e karakterit të tij, dobësinë e antiheroit që nuk e lejon asnjiherë me qenë “besnik i vetes”, me mendue e veprue autentikisht me gjithë konfliktin e mbrendshëm e frikën e botës së jashtme…! Tragjedia përcaktohet edhe si dialogu i individit me ngjarjet e ditës, ose me vetveten, ku ai nuk asht i kënaqun me ekzistencën e caktueme nga fati. Ifriksuem nga tragjedia kolektive që ai kishte përgatit me duert e veta, Ramiz Alia përfundoi në nji figurë kuazi-komike. Ai nuk u ndërgjegjsue asnjiherë me pranue botënisht zhgënjimin, sepse nji pranim i këtill do të kishte sjellë revoltimin që përfundon në “aktin e lirë e heroik”, nji zgjidhje që ai nuk ishte i përgatitun me ballafaque. Duket se karakteri i tij dhe butësia e tij natyrale nuk i lejojshin “me refuzue”, por “me u nënshtrue”… dhe fatkeqsiht, të paktën në dukjen e jashtme, me pranue këtë nënshtrim me entuziazëm. Ramiz Alia ka jetue nji jetë “jo-autentike”!
* * *
Fakti që Ramiz Alia vdiq në krevat, me shërbimet ma të plota mjekësore, tregon humanizmin e shoqënisë shqiptare sot. Por nuk mund të heq nga mendja dhjetëra mijëra viktima të komunizmit që ai nuk mbrojti e që vdiqën rrugave, në këneta e kanale, të harruem… pa shtrat, pa mjek, pa plang, pa shtëpi!
Dëshiroj me veçue nji rast të vetëm: poetin kuksian Havzi Nela, i varun në litar, – e përsëris, i varun në litar, – sepse shkroi nji poemë ku denonconte kriminalitetin e pushtetit komunist e paralajmëronte ardhjen e ditës së re. Trupi i tij u mbajt në litar për dy ditë me radhë që të frikësohej popullsia e vendit nga “forca e pushtetit popullor”. Imazhi makabër më del para sysh vazhdimisht e me rikujton poetin francez të shekullit 16, Francois Villon, e poemën “La ballade des pendus” (1555), si ai përfytyronte veten të varun, trupin që kalbëzohet, korbat që i nxjerrin sytë dhe përfundon: “Vëllazën të racës njerëzore! Kini mëshirë për ne!”.
Ramiz Alia nuk pati mëshirë për poetin, as për familjen e tij!
Afër pesë shekuj ma vonë, Ramiz Alia urdhënon varjen e nji poeti… dhe dekreton varrimin e tij pa shtrat, pa mjek, pa funeral. Ai refuzon kërkesën e familjes për faljen e jetës dhe nënshkruen pa bremje ndërgjegjeje nji vendim gjyqësor politik që turpënon sot gjithë kombin tonë shqiptar.
© Panorama.al












