Përqindjet që qeveria ka vendosur si tarifa për legalizimin e parave apo aseteve të padeklaruara konsiderohen si inkurajuese për individët dhe biznesin, që do të bëhen pjesë e amnistisë. Për dy nga deputetët e maxhorancës në Komisionin e Ekonomisë, Sherefedin Shehu dhe Sybi Hida, përqindjet e vendosura si tarifa për legalizimin e parave apo aseteve të fshehura janë inkurajuese për të vetëdeklaruar. Një pikë tjetër, veç amnistisë së deklaruar, është ajo që lidhet me pjesëmarrjen e opozitës në këtë iniciativë. Sipas Hidës, pjesëmarrja e opozitës në këtë proces është e nevojshme, në mënyrë që biznesi të ndihet i sigurt dhe të kryhet një amnisti e plotë fiskale, ashtu siç është kërkuar.
Sherefedin Shehu
“Tarifat që do të zbatohen për legalizimin e parave apo aseteve për individët janë tarifa të zbatuara nga të gjitha vendet. Sidomos tarifa 3 për qind është tarifa më e argumentuar në raport me interesin e përfituesve, por njëkohësisht edhe të qeverisë që bën amnistinë. Ndërkohë që për biznesin, pjesa 6 për qind është një tarifë që mbetet për t’u parë. Është një tarifë që përfaqëson një element që mbase do të diskutohet, sepse ka një keqkuptim për këtë pjesë. Ky keqkuptim lidhet me vlerën kontabël. Mendoj që ndoshta duhet të jetë vlera e raportuar më pak sesa kostoja, dhe jo vlera kontabël ajo që tarifohet 6 për qind. Kjo është një çështje për diskutim dhe këtu kam parasysh tendencën për rritje të saj. Për makineritë, që është vendosur tarifa 7 për qind, apo për ndërtesat, mendoj se ndoshta edhe këto duhen parë në të njëjtin raport me paratë nëse i përkasin mosraportimit për efekte fiskale”.
Sybi Hida
“Përcaktimi i tarifave për të përfituar nga procesi i amnistisë është një nga elementet bazë për të zbatuar një amnisti serioze dhe të suksesshme. Tarifat e propozuara në draftin e përgatitur nga qeveria tregojnë një përpjekje serioze që në Shqipëri të kryhet një amnisti e suksesshme fiskale. Krahasuar me sistemin e kaluar dhe atë aktual të taksave, nivelet e tarifave të propozuara për amnistinë janë të ulëta dhe ato do t’i nxitin individët dhe biznesin të marrin pjesë vullnetarisht në procesin e amnistisë. Nivelet e propozuara nga qeveria vlerësohen të ulëta edhe po të krahasohen me nivelet e përdorura nga vende të ndryshme kur ato kanë zbatuar një amnisti fiskale. Sa i përket opozitës, mendoj që kjo e fundit duhet të jetë pjesëmarrëse jo vetëm për amnistinë, por për çdo nismë ligjore që ndërmerr qeveria, si për të diskutuar, ashtu dhe për të mbështetur ligjet që u duhen qytetarëve. Në rastin e amnistisë mendoj që do të ishte tepër e dobishme që opozita të përfshihet maksimalisht në diskutime dhe ta mbështesë atë. Mbështetja e opozitës nevojitet si në aspektin ligjor, ashtu dhe në atë moral. Miratimi i amnistisë në Parlament kërkon ndërhyrje në kod-ligje, që kërkojnë votat e opozitës, por, nga ana tjetër, mbështetja do të eliminojë frikën e biznesit. Nëse opozita nuk jep miratimin, të shpresojmë që kjo nuk do të ndodhë, por në qoftë se ndodh, siç ndodhi me Gjykatën Administrative, atëherë mendoj që mund të gjenden hapësirat ligjore që mos ta pengojë këtë proces. Pa pjesëmarrjen e opozitës, do të jetë e vështirë të zbatohet një amnisti e plotë fiskale. Uroj që këtë herë opozita do të dëgjojë thirrjen e biznesit për të kryer një amnisti të plotë fiskale.











