Agjencia zyrtare e Bashkimit Europian, “Euobserver” publikon pjesë të progres-raportit dy ditë përpara se ai të dalë zyrtarisht nga Brukseli. Sa i përket Shqipërisë, raporti pritet të flasë për një progres të limituar për shkak edhe të zgjedhjeve lokale. “Mali i Zi dhe Maqedonia janë në krye të klasës në drejtim të progresit të reformave. Por, Komisioni nuk do të thotë se kur të dy kandidatët e Bashkimit Europian mund të fillojnë bisedimet për t’u pranuar. Për Shqipërinë thuhet se ka bërë ‘progres të limituar’ në mes të një bllokimi politik mbi zgjedhjet e majit. Bosnja është përshkruar si në një gjendje ‘paralize dhe konfrontimi’ midis serbëve dhe myslimanëve me ‘mungesën e një kuptimi të përbashkët për drejtimin e përgjithshëm dhe të ardhmen e vendit’”, thuhet në një raport të Euobserver gjatë ditës së djeshme. Pas dështimit të klasës politike në Tiranë për të zgjidhur krizën, sipas të gjitha gjasave Shqipëria edhe këtë vit nuk do ta marrë statusin e vendit kandidat. Top Channel ka publikoi pak ditë më parë pjesë nga raporti i KE-së, që do të bëhet publik në Bruksel. “Skena e brendshme politike e Shqipërisë u dominua gjerësisht nga vazhdimi i ngërçit politik dhe zhvillimet e konfrontueshme më tej. Përleshjet e dhunshme ndërmjet protestuesve kundër qeverisë me policinë çuan në vdekjen e 4 personave dhe amplifikuan klimën e mosbesimit mes forcave politike, sikundër dhe ndaj disa institucioneve shtetërore. Zgjedhjet lokale në maj, megjithëse të vlerësuara si konkurruese e transparente, u shënjuan vendosmërisht nga parregullsitë që nevojitet të adresohen. Në veçanti, polemika rreth numërimit të votave për kryebashkiakun e Tiranës rriti polarizimin mes shumicës qeverisëse dhe opozitës”, thuhet në raport. Sipas këtij dokumenti të KE-së, Shqipëria ka bërë progres të kufizuar në arritjen e kritereve politike për anëtarësim dhe në 12 prioritetet për hapjen e negociatave.
Raporti i KE
“Megjithatë, përpjekje të mëtejshme kërkohen për të garantuar efektshmërinë dhe plotësimin e veprimeve të parashikuara, përfshirë bashkëpunimin e ngushtë me opozitën. Shqipëria do të duhet të bëjë përpjekje të qëndrueshme dhe të arrijë progres të tregueshëm në të gjitha këto çështje, përpara se Komisioni të mund të rekomandojë status kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE”, thuhet në draftin e progres-raportit.











