
Komisioni i Sigurisë nuk arriti dje të zhvillojë seancën dëgjimore me ministrin e Jashtëm, Edmond Haxhinasto. Shkak u bë mosarritja e një konsensusi për zhvillimin e saj me dyer të mbyllura për shkak të materialeve sekrete që kreu i Diplomacisë shqiptare do të lexonte në këtë mbledhje. Deputetët e opozitës kërkuan që ajo të bëhej e hapur për t’u informuar edhe publiku me informacionet që do të jepte ministri. “Kjo i hap rrugë një precedenti tjetër, që çdo anëtar i kabinetit mund të shkojë në çdo komision parlamentar, të thotë që nuk do prezencën e medias, sepse informacioni që do të japë është informacion i klasifikuar”, tha deputeti Gazmir Bizhga. Ndërsa Haxhinasto theksoi se “ju interesin e keni që të flas unë para medias për situatën e sigurisë në shërbimin tonë të jashtëm, apo keni merak që të shikoni që si është shërbimi? Se po të ishit të interesuar ju si komision, besoj që do të pranonit që të mos kishte media dhe pastaj mund të bëni intervista dhe ta merrni ju përgjegjësinë për ato që thoni në publik”. Kreu i Komisionit, Leonard Demi, nuk e hodhi në votim zhvillimin e mbledhjes me dyer të mbyllura për shkak se deputetët e PD-së ishin më pak në numër se ata të PS-së. Në fund u vendos që ministri të sjellë në Komision një raport me shkrim dhe më pas do të gjykohet si do të zhvillohet mbledhja.











