“Pse nuk shkrova recensionin për ‘Titistët’ e Enverit”

Oct 19, 2011 | 12:45
Baton Haxhiu

Edhe nëse do ta kishte pranuar ofertën, recensioni i tij nuk do të ishte botuar. Ai nuk ishte ndonjë dashamirës i madh i regjimit të Hoxhës e as atij jugosllav. Kur në Tiranë sapo ishte botuar libri i Enver Hoxhës, “Titistët”, gazetarit dhe studiuesit Shkëlzen Maliqi i kërkohet të bëjë një recension mbi të. Nuk pranoi ta bënte një gjë të tillë, edhe pse i “hanin” duart që të bënte ndonjë krahasim mes Enverit dhe politikanit slloven Eduard Kardel, të cilin e shihte si një alterego të Titos. Nëse do të bënte një libër lavdërues siç e donte koha, nuk ia kishte ënda t’i bënte elozhe regjimit, nga ana tjetër ta shante atë, ishte e rrezikshme. Në një intervistë me gazetarin Baton Haxhiu, Maliqi shpjegon arsyet e refuzimit të recensionit për librin e ish-diktatorit shqiptar.

Ti, a ke pas këso detyra të shfaqjes së lojalitetit?
Unë nuk isha në parti e as në universitet. Në një moment pata një ofertë nga “Rilindja”, që të bëja një recension të librit të Enver Hoxhës “Titistët”, që sapo ishte botuar në Tiranë. Nuk ishte as urdhër, as kërkesë me presion, thjesht redaktorët e kishin hallin që ta gjejnë një person që do ta bënte këtë punë, sepse e kishin marrë për detyrë nga instancat më të larta. Dhe dikush ish kujtuar të më ftonte mua.
E pranove? Kush ta bëri kërkesën?
Po ka qenë dikush i redaksisë së brendshme, Zenun Çelaj ose Mustafa Rushiti, nuk më kujtohet saktë, dhe nuk është me rëndësi, ata vetëm e bënin detyrën që kishin, sepse edhe ata ishin nën dyshime se nuk janë vigjilentë dhe nuk po kontribuojnë sa duhet në luftimin e nacionalizmit shqiptar dhe enverizimit. Por, unë vërtet isha shumë kureshtar për ta lexuar librin, nuk kisha lexuar asnjë gjë nga Enveri… U thashë se do të doja ta lexoj dhe pastaj të vendos, dhe ata ma sollën pas disa ditësh. Ishte libër zhgënjyes, tepër i dobët, as histori, as analizë e proceseve. Nuk e bëra recensionin. Jo që nuk më kruhej dora, kishte shumë sende që kisha qejf t’i komentoja, por nuk isha aspak i gatshëm që të bëja shërbimin regjimit të atëhershëm kosovar dhe jugosllav. E ndieja vetën gjysmëdisident. Edhe pse babain, Mehmetin, e kisha në pushtet, ishte madje në postin e frikshëm të ministrit të Rendit, unë kisha rezerva ndaj pushtetit, sikur që edhe pushteti kishte rezerva ndaj meje. Nuk më pranonin e as nuk më ofronin asgjë dhe pse t’i bëja një shërbim të tillë. Nga ana tjetër, të shkruaja kundër Enverit, ishte diçka tepër obliguese, ta bënte një stigmë të propagandistit, që unë nuk doja ta mbaja. Po ajo “Rilindja” që shumicën e teksteve të mia nuk i botonte, ose i mbante në sirtarin e teksteve që pëlqeheshin, por për të cilët thuhej se “për momentin nuk janë për botim”, tani kërkonte të futesha në lojë, të bëhem lojal ndaj regjimit. Nuk ishte, pra, ndonjë zgjidhje e lirë prej intelektuali që ka pikëpamje të veta kritike për Enverin, por edhe për komunizmin jugosllav. Një ide që kisha atëherë, kur e shqyrtoja mundësinë e shkrimit të këtij  recensioni, ishte që ta bëja një krahasim me Eduard Kardelin, sepse e shihja si një alterego të Titos që zhvillonte teorinë e komunizmit jugosllav, duke i krahasuar dhe kritikuar edhe njërin, edhe tjetrin, për të dalë te përfundimi se Enveri më dukej shumë më dogmat, më malok i pagdhendur në teori se Kardeli, i cili po ashtu më dukej si teoricien shumë i dobët. Por, nëse do ta bëja këtë, shkrimi do të bëhej i pabotueshëm. Por, pos kësaj, problemi më i madh që kisha, ishte se unë nuk kisha ndonjë qëndrim dhe teori pozitive, të themi të liberalit, demokratit apo social-demokratit etj., nga e cila do të bëja shqyrtimin dhe kritikën. Unë e kisha vetëm shijen e keqe më shumë estetike, më shumë të lexuesit të zhgënjyer, që nuk bindej aspak me ato politika dhe diskurse komuniste, që kishin shkruar me një fjalor shumë të varfër, ideologjik, propagandistik dhe manipulativ. Një farë dore e kisha po atë konfuzionin dhe paqartësinë e vitit 1968, kur kinse u rebeluam e ne në të vërtetë nuk dinim për çka ishim rebeluar, e kishim të tabuizuar monizmin dhe kapitalizmin, besonim në progres dhe se nuk ka kthim prapa në pluripartizëm dhe ekonominë e tregut.

Dialog me Shkëlzenin

Baton Haxhiu

Skelzen Maliqi

Të pranuarit për të rrëfyer, është rrëfim në vete. Ky është dhe ka qenë motivi personal që ta bëjë Shkëlzen Maliqin të flasë për veten e tij.
Ideja ka qenë e vjetër, fillimisht e bazuar në gjashtë intervistat me Shkëlzenin që i pata realizuar në vitet ‘90. Do t’i shtonim këtyre pastaj edhe një intervistë aktuale, që do të ishte kapak dhe do të reflektonte historinë dhe zhvillimet sot. Por, kur u nis kjo bisedë e re, ajo u dimensionua ndryshe, lëvizi në disa drejtime. Nuk mjaftonin më intervistat që dokumentonin kohën, por unë po bëhesha kureshtar dhe insistues që të dëgjoja një zë që rrëfente një kohë të thyerjeve historike, njëkohësisht edhe si protagonist, edhe si analist. Mendoja se kjo është e rrallë, që dikush të reflektonte në pjesën e dytë të shekullit XX në Gadishullin e Ballkanit, përmes përjetimeve dhe përvojës së tij në disa hapësira dhe kultura, me zig-zage të fatit dhe vetëdijesimeve për sfidat e kohës.
Ky nuk është një rrëfim thjesht moralizues për të nxjerrë një biografi të Shkëlzenit. Libri është rrëfim që del nga stereotipi dhe krijon një kundërstereotip ballkanik, me Shkëlzenin rrëfimtar.
Kam jetuar me shkrimet dhe mendimet e Shkëlzenit për më shumë se dy dekada. I kam dëgjuar shpesh copëzat e rrëfimeve të tij, që vetëm disa i bëri edhe me shkrim. Dhe aty në të thënat dhe të shkruarat, më ravijëzohej rrëfimi i tij për shkatërrimin e një shteti, që mendoja se do të jetë interesant për opinionin. Andaj, mëtova që me të, të eksplorojmë dhe mësojmë për jetën e një shteti, për “mrekullinë” e nacionalizmit shkatërrues, për lirinë, për liderët dhe liderucët, për atë shtetin hibrid, për vrasjen, për politikën, për pafuqinë, për rezistencën dhe inatet, për Ballkanin, Europën dhe Amerikën.
Kur i biseduam temat sipas një plani që plotësohet dhe mbindërtohej gjatë kohës, herë duke i shpejtuar, herë duke i lënë pezull dhe në pritje, ato intervistat e viteve ‘90 u zhdukën nga horizonti, dhe rrëfimi mori formën që e keni në këtë vëllim.
Çka është e rëndësishme, pasi që erdhëm te një pikë kur libri do ta shihte dritën, ishte se rrëfimi në shumë pjesë mbetej disi i pjesshëm dhe i hapur, gjithnjë më dukej se ka çka të thuhet më shumë për ato çka janë thënë,  edhe gjëra të pathëna, apo që mund të thuhen edhe ndryshe. Vetëm se rrëfimi mori formën që ka, dhe unë kam bindjen, tash pasi që u tregua, se jam mbështetur jo vetëm në rrëfimin si formë e shprehjes, por edhe në dijet që i ka Shkëlzeni, – që ai me modesti nuk i thekson shumë, por ato shfaqen në trungun e rrëfimit brenda mendimeve dhe shqetësimeve që i thoshte për politikën, kulturën dhe fenomenet e jetës në Ballkan, si gadishull i vakive që prodhon më shumë histori sesa mund të konsumojë!
Shkëlzeni është bashkëbisedues i lehtë kur e motivon të flasë, por i përtueshëm në parim që të flasë për vetën. Ngandonjëherë, mendoja që mund ta bëj unë vetë portretin e tij prej mendimtari, analisti politik dhe kulturor. E kuptova se më mirë është që të flasë vetë, duke e nxituar shpesh dhe kapur në disponimet kur ishte i gatshëm të përgjigjet. Kur e kryenim një kapitull, ai e merrte në përpunim me mjaft dyshime, por rrëfimi përparonte dhe bëhej i saktë, i lexueshëm, vetëm se duhej kohë dhe durim. Kur e liroja nga përtesa për t’u rrëfyer, e ndieja një ndër kënaqësitë e punës sime si gazetar dhe publicist.
Ky libër nuk është letërsi e sofistikuar. Në formën e saj ideale, megjithatë është rrëfim i sofistikuar. Jam i vetëdijshëm për vërejtjet jo të pakta që i kam për veten dhe punën në të. Nuk kam qenë në gjendje që të nxjerr më shumë detaje të pasura dhe interesante nga Shkëlzeni, pse jo edhe të rralla.
Këto vite të fundit janë botuar një numër librash dhe rrëfimesh për Ballkanin, luftën dhe Kosovën në veçanti. Nisur nga shqetësimet e njëjta që i kam ndarë me Shkëlzenin, kam menduar se të tjerët do fitojnë shumë nga ky dialogim me të.
Unë dhe Shkëlzeni jetojmë këtu, në Kosovë dhe në Shqipëri. Prandaj adresa e parë e rrëfimit është hapësira shqiptare. Ne kemi jetuar në ish-Jugosllavi. E kemi parë se si po shembet ky shtet, ndoshta në mënyra të ndryshme, sepse nuk jemi brez i njëjtë. Shkëlzeni është më i vjetër, këtë muaj i mbush 64 vjet, dhe një pjesë të rinisë e ka jetuar i mërguar në Beograd si student dhe intelektual, kurse rinia dhe zhvillimi im intelektual kanë qenë të kushtëzuara nga gjendja e jashtëzakonshme e vazhdueshme në Kosovë.
Nuk ka qenë e lehtë ta bind Shkëlzenin që puna e bërë i dedikohet një publiku të interesuar për rrëfime të tilla. Ai ishte skeptik dhe thoshte: Kujt i interesojnë këto gjëra? Kush do t’i besojë rrëfimit? Shumë veta si edhe deri tash do ta shfrytëzojnë sinqeritetin për spekulime dhe shpifje të ndryshme.
Në rrëfimin tim me të, jam munduar ta kundërshtoj dhe të përfitoj diçka nga kundërshtimi im. Sepse e kam bindje tashmë, se në jetën që jetojmë, nuk ka protagonistë të heshtur. Ata që rrëfejnë, e ndërtojnë pjesën e tyre të jetës dhe të vërtetës. Dhe ata që e përshkruajnë të kaluarën përmes rrëfimit, nëse nuk i kanë lëvizur fijet me veprimet dhe shkronjat e veta, mund të kujtojnë situata dhe qëndrime të këtij brezi dhe atyre që vijnë, që të mos gabojnë.
Rrëfimin me Shkëlzenin po e zbardh jo pse dua që atë ta bëj me autoritet, ose ta vesh me potencën e rrëfimtarit të ditur. Ai i ka të gjitha këto dhe më shumë madje.
Rrëfimin e kam shijuar vetë. Tash i kam të qarta shumë situata të mjegulluara dhe rrëfime që janë përshkruar me ngërçe.
Në fund, nuk dua ta përjashtoj veten dhe Shkëlzenin nga përgjegjësia për shkak të ndonjë situate të papëlqyeshme. Kur kemi vendosur që rrëfimi të dalë si libër, nuk kam dashur të ngarkohem me kufizimet dhe kontrollin, duke llogaritur në leximet e ndryshme dhe që dikush mund të jetë i prekur. Meqë janë përmendur shumë emra, jam i vetëdijshëm se dikush mund të lëndohet. Janë qëndrime autoriale të Shkëlzenit dhe të ndjenjës së tij për faktografi, kur përshkruan ndonjë situatë dhe person, që e kanë parasysh idenë e tij për interesin publik. Nuk ka intenca për ofendime personale dhe etiketime kuturu. Nga ana tjetër, nuk dua që të vendos këtu rregulla se si duhet kuptuar dhe se si duhet përdorur ky libër. Kjo i mbetet ndërgjegjes së lexuesit dhe të kritikës.
Rrëfimi është autentik. Ka filluar më 2008-n dhe ka zgjatur tri vite. As unë dhe as Shkëlzeni nuk duam të jemi përjashtues për kritika, ose rrëfime të tjera që gjërat i ndriçojnë ndryshe, ose pretendojnë se përshtimet dhe analizat e tyre janë më të sakta seç i kemi paraqitur në këtë libër. Personalisht, vetëm do të përfitoja nga vërejtjet kritike dhe miqësore.

Shembja e Jugosllavisë sipas Shkëlzen Maliqit
Libri “Shkëlzen Maliqi, shembja e Jugosllavisë, Kosova dhe rrëfime të tjera”- Një dialog me Baton Haxhiun, pjesë e kolanës “Scripta Manent” të botimeve “UET Press”, u promovua mbrëmë në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës. “Kam botuar ndoshta 1000 artikuj apo më shumë dhe po aq, ndoshta edhe intervista. Unë vetë nuk e kam parë shumë nevojën për të bërë një libër dhe krejt merita e kësaj është e Batonit”, u shpreh filozofi dhe gazetari Shkëlzen Maliqi, duke vijuar se ishte këmbëngulja dhe dëshira e mikut dhe kolegut të tij që bënë që intervista e tyre e gjatë, e cila pasurohej herë pas here me pyetje të reja, të vinte në formën e një libri të plotë. “Dy autorët e librit, Shkëlzen Maliqi dhe Baton Haxhiu, janë dy autorë që vijnë nga Kosova, e që janë prezentë në shtypin shqiptar, nga më të integruarit mes Shqipërisë dhe Kosovës, por mbi të gjitha janë dy miq dhe dy intelektualë, të cilët debati publik, çështja e Kosovës, refleksioni mbi të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e shqiptarëve i ka shqetësuar prej kohësh”, u shpreh Henri Çili. Në këtë bisedë me mikun dhe kolegun Haxhiu, Maliqi rrëfen jetën e tij që nga vitet ‘60 si student në Beograd, deri në zhvillimet e vona në Kosovë. Ky rrëfim nuk është thjesht një biografi e tij, është një analizë e hollë e ngjarjeve të rëndësishme nëpër të cilat kaloi Kosova, veçanërisht pas qeverisjes së Titos, ndër ato vite kur nacionalizmi serb nisi të ravijëzohej nëpër Jugosllavi. Libri ndahet në periudha kohe dhjetëvjeçare, ku gjejmë figurat më të pushtetshme të kohës, Tito, Enver Hoxha e Ibrahim Rugova.

BATON HAXHIU

© Panorama.al

Te lidhura