Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, do të vizitojë Tiranën. Ambasadori i Malit të Zi në Shqipëri, Zeljko Perovic, flet në një intervistë për gazetën “Panorama” për një bisedë me homologun e tij serb në Tiranë lidhur me vizitën e presidentit serb në vendin tonë si dhe për marrëdheniet mes Shqipërisë dhe vendit të tij.
Presidenti Serb, Boris Tadiç, deklaroi në Samitin e fundit të SEECP që u mbajt në fund të qershorit në Mal të Zi, se çështjet e hapura po zgjidhen më mirë në nivel bilateral, siç është rasti i dialogut Beograd-Prishtinë. Sipas jush, si po shkon ky dialog?
Në aspektin e politikës së jashtme, bashkëpunimi rajonal është numër për ne malazezët dhe për ju shqiptarët. Ju përmendët samitin e SEECP, i cili rezultoi i suksesshëm. Aty mori pjesë edhe Presidenti shqiptar, Bamir Topi. Ndoshta pyetja juaj është më e përshtatshme nëse i adresohet ambasadorit serb, por gjithsesi dua të them se është e rëndësishme për të gjithë ne që të kuptojmë realitetin e ri në Ballkan. Kosova po ekziston si shtet. 76 shtete e kanë njohur pavarësinë e saj deri më tani. Nga ana tjetër, dua të them se dialogu Prishtinë-Serbi që po zhvillohet, mund të ketë uljet dhe ngritjet e tij si proces, por tek e fundit kjo gjë po ndodh. Zj. Tahiri dhe z. Stefanovic po diskutojnë çështje konkrete. Dy ditë më parë, pata një takim me ambasadorin serb në Tiranë, Miroslav Zaric, me të cilin diskutuam mbi konfirmimin e Z. Tadic për një vizitë historike në Tiranë. Tani së fundmi ai kreu një vizitë në Sarajevo dhe kjo ishte një vizitë me rëndësi, por vizita e tij në Tiranë është akoma më e rëndësishme.
A ka Mali i Zi ndonjë propozim për të çuar më parë dialogun Prishtinë-Beograd?
Ne ishim të parët që e njohëm pavarësinë e Kosovës. Ministri i Jashtëm malazez i ka konfirmuar homologut shqiptar, Z. Haxhinasto, se ne do të emërojmë ambasador në Kosovë në fillim të vitit 2012. Ne do të vazhdojmë të ndërmarrim hapa të tjerë në vazhdim e sipër. Sipas mendimit tonë, mënyra më e mirë është një dialog në mënyrë të drejtpërdrejtë midis Prishtinës dhe Beogradit me mbikëqyrjen e Brukselit.
Si po shkon Mali i Zi në procesin e anëtarësimit në NATO? A po mbani kontakte bashkëpunimi me Shqipërinë?
Ne po bashkëpunojmë me Shqipërinë në këtë aspekt. NATO është një prioritet tjetër i madh i yni. Ashtu siç deklaroi z. Sali Berisha ditën kur Shqipëria hyri në NATO, se kjo ditë është për shqiptarët si dita e themelimit të shtetit, edhe për ne do të jetë e njëjta gjë. Rreth tre javë më parë, ministri i Mbrojtjes dhe ai i Jashtëm malazez i dorëzuan NATO-s plan-veprimin. Dhe kjo është shumë e rëndësishme. Hyrja jonë në NATO do të jetë e rëndësishme për rajonin në përgjithësi dhe për lidhjet tona me Shqipërinë e kjo e fundit nuk lë takim të nivelit të lartë pa shprehur përkrahjen për vendin tonë. Tashmë, rreth 75 për qind e popullsisë malazeze mbështet hyrjen e vendit në NATO.
Si e vlerësoni situatën e përgjithshme në rajon?
Duke marrë parasysh të gjitha problemet e tij, mund të them se ai po ecën para. Nëse ka një problem në rajon, kjo është padyshim marrëdhënia Serbi-Kosovë. Gjithashtu, nuk ka ende një qeveri në Bosnjë, megjithëse zgjedhjet janë mbajtur rreth nëntë muaj më parë. Megjithatë, është e rëndësishme se të gjitha vendet e rajonit kanë shprehur dëshirën për të qenë pjesë e NATO-s. Si ne në Mal të Zi, ashtu edhe shqiptarët këtu i vënë shumë rëndësi zbatimit të Kartës së Adriatikut të Amerikës.
Po situatën në Shqipëri nuk e quani problematike?
Mendoj se kjo situatë është rezultat i disa gabimeve që u bënë. Megjithatë, pjesa më e vështirë kaloi. Në këtë moment është shumë i rëndësishëm roli i BE dhe OSCE këtu në Tiranë. Këto organizma theksojnë vazhdimisht fjalën “bashkëpunim.” E njëjta gjë siç i theksohet Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur gjuhën e përbashkët. Unë mendoj se roli i LSI është shumë i rëndësishëm. Për më tepër që udhëhiqet nga një lider i talentuar, si Ilir Meta, i cili e ka kuptuar plotësisht rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, që në kohën kur mori postin e ministrit të Jashtëm.
Thuhet se bashkëpunimi dypalësh midis Malit të Zi dhe Shqipërisë vjen natyrshëm. Pse?
Para se të merrja këtë post, 4 vite më parë, u përgatita për rreth 6 muaj. Dhe kur erdha këtu, ajo që dëgjova ishte se marrëdhëniet midis dy vendeve tona ishin shumë të mira dhe isha i kënaqur për këtë. Një nga eprorët e mi më tha në atë kohë të mos sforcohesha në organizimin e asnjë takimi në nivel të lartë, sepse do ta shikoja vetë se si do të kisha më shumë takime dhe kontakte se çdo vend tjetër fqinj në Ballkan. “Dhe me të vërtetë, vizitat në nivel të lartë dhe shumë të lartë midis dy vendeve tona janë të larta në numër. Pika jonë e fortë është rajoni. Mund të citoj ish-ministrin e Jashtëm shqiptar, Ilir Meta, i cili ka thënë se marrëdhëniet Shqipëri-Mali i Zi përbëjnë modelin ideal të bashkëpunimit rajonal. Nuk ka regjim vizash midis dy vendeve tona dhe kjo është zbatuar që shumë kohë më parë, ndërkohë që një marrëveshje e tillë u nënshkrua vetëm pak ditë më parë midis ambasadorit Serb në Tiranë dhe Ministrisë së Jashtme shqiptare. Së dyti, po diskutohet për kalimin e pikave kufitare pa paraqitur as edhe një lloj dokumenti. Së treti, po bisedohet për hapjen e dy pikave të tjera kufitare përveç 4 ekzistueseve.
Nëse flasim për rezultate konkrete të këtij bashkëpunimi, mund të them se ne mbështesim njëri-tjetrin për të hyrë në BE. Shqipëria është mbështetësi më i fuqishëm për Malin e Zi në strukturat Euro-Atlantike dhe anasjelltas. Ne jemi shumë të kënaqur me këtë bashkëpunim, në çdo fushë, përveç asaj ekonomike.
Çfarë nuk shkon këtu sipas jush?
Shqipëria ka qenë vend i izoluar gjatë komunizmit. Kjo krijoi pengesa. Së dyti, është problemi i mungesës së infrastrukturës. Megjithatë, vendi juaj po ndërton rrugë të reja. Ka filluar ndërtimi i 36 km rrugë autostrade midis Shkodrës dhe Hanit të Hotit. Për një vit ndoshta ajo përfundon. Duhet thënë se Mali i Zi nuk ka bërë shumë në këtë drejtim. Megjithatë, kryebashkiaku i Podgoricës ka premtuar ndërtimin e një rruge që të çon te Hani i Hotit në 5 vitet e ardhshme. Së treti, dy vendet tona ishin të parat që thyen akullin mbas ftohtësisë së krijuar nga lufta në ish-Jugosllavi. Nuk duhet të harrojmë se 5 vjet më parë, malazezët zhvilluan një referendum historik për pavarësinë. Ndryshe nga vendet e tjera, si Bosnja e Kroacia, ku minoritetet votuan kundër pavarësisë, minoriteti tek ne votoi plotësisht në favor të pavarësisë. Kjo tregon se minoriteti ndihet mirë në Mal të Zi. Gjithashtu, edhe autoritetet shqiptare u bënë thirrje organeve lokale malazeze të votojnë për pavarësinë.
Po bashkëpunimi në fushën e turizmit si po shkon?
Nëse flasim për një aspekt produktiv të fushës ekonomike midis dy vendeve tona, ky është turizmi. Në 5 vitet e fundit, ky bashkëpunim ka ecur para. Unë, së bashku me këshilltarin ekonomik të Ambasadës, Z. Met Gjoni, kemi kryer shumë takime lidhur me zhvillimin e turizmit. Kam bërë të mundur ardhjen e shumë operatorëve turistikë malazezë në Shqipëri, duke ndjekur idenë e shkëlqyer të ish-kryetarit të komitetit të turizmit, Z.Agim Sinojmerit, të quajtur “Go Regional.” Kjo ide konsiston në vizitat në 4 a 5 vende të rajonit një pas një nga ana e turistëve. Ajo çka vihet re në 3 vitet e fundit është një numër i madh turistësh nga Shqipëria dhe vende të tjera të Ballkanit që vizitojnë jo vetëm një vend të caktuar në vendin tonë, po edhe Kotorrin, Budvën e të tjera. Nga ana tjetër, edhe Malazezët duan të vizitojnë vende të përmendura vetëm së fundmi në vendin tuaj si plazhin e Jalës apo Çorovodën!! Kjo tregon një interes në rritje.
A mund të flasim për një prezencë të kompanive malazeze në Shqipëri?
Ndryshe nga dy forumet e mëparshme ekonomike, të cilët nuk rezultuan shumë efektive për sa i përket rritjes së shkëmbimit tregtar midis dy vendeve tona, një i tretë pritet të mbahet në tetor a nëntor. Ne po bashkëpunojmë ngushtë me përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme shqiptare, Selim Belortaja e Genc Mucaj për të prurë disa biznesmenë malazezë këtu. Vjet u diskutua ndërtimi i një rruge prej 23 km nga Plava për në Shqipëri, e cila do të shkurtojë këtë distancë të përshkuar për 4 orë, në 2.5 orë. Gjithashtu, do të fillojë ndërtimi i një rruge që do të lidhë Lezhën me Ulqinin (Lezhë-Shëngjin-Velipojë-Ulqin)dhe kjo distancë do të mbulohet për 35 minuta. Gjithashtu, do të përmend edhe sektorin energjetik. Nëpërmjet Ambasadës sonë u bë e mundur ardhja e disa kompanive malazeze të paneleve diellore dhe kontaktet e para janë të kënaqshme. Interes ka edhe për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla në Shqipëri.
Përse i keni kushtuar rëndësi kulturës?
Sepse ne jemi dy vende me histori dhe interesa të njëjta. Së pari, mund të përmend një bashkëpunim të shkëlqyer me drejtorin e TOB, Zhani Ciko, i cili ka qenë dy herë në Mal të Zi. Në sajë të këtij bashkëpunimi, tre tenorë shqiptarë do të japin koncerte në Mal të Zi. Së dyti, filma malazezë do të marrin pjesë në festivalet e ndryshme të filmit që do të organizohen këtu në Pogradec dhe Vlorë. Së treti, ne po punojmë fort për përgatitjen e vizitë së shkrimtarit Ismail Kadare në Podgoricë në fund të këtij viti. Një bashkëpunim i mirë ekziston midis dy akademive të shkencave, të cilat po punojnë me projekte që kanë të bëjnë me Liqenin e Shkodrës.
RUDINA HOXHA
© Panorama.al











