Nesër do të nisë transmetimin spektakli i njohur “Portokalli”, duke nisur kështu sezoni i parë i të dielave të humorit në “Top Channel”. Të gjithë janë kureshtarë të dinë për natën e parë të humorit të spektaklit, që për të dytin sezon do të vazhdojë të prezantohet nga Eneda Tarifa dhe Salsano Rrapi. Për sa i përket konceptit të show-t, regjisori Altin Basha edhe këtë vit do të vazhdojë me të njëjtën formulë që ishte vitin e kaluar “Portokalli Channel”, ku aktorët sjellin pjesët e tyre si në një programacion të plotë televiziv. Për sa u përket largimeve dhe prurjeve të reja nga stafi i aktorëve në këtë sezon, deri tani janë larguar nga “Portokalli” dy aktorë, Niku nga Kosova, dhe Drilon Hoxha, djali që imitoi sezonin e kaluar kryeministrin Sali Berisha. Muajt e përgatitjeve për numrat e rinj të këtij sezoni janë shoqëruar paralelisht me audicionet e vazhdueshme për përzgjedhjen e aktorëve të rinj, që do të shfaqen për herë të parë në këtë sezon humori. Kështu që, nga ky audicion janë përzgjedhur dy aktorë të rinj e të panjohur, numrat humoristikë të të cilëve janë mbajtur disi sekret nga stafi deri në provën e tyre të parë televizive për publikun, që do të shfaqet nesër. Ndërkohë që, këtë vit nuk do të mungojnë paroditë e dy prezantuesve Salsano Rrapi, dhe këngëtares Eneda Tarifa. Për sa u përket të rejave të tyre, ata do të vazhdojnë të prezantojnë në të njëjtin stil dhe koncept si vitin e kaluar. Një nga momentet kulminante të protagonizmit të tyre është kënga e së dielës, që i kushtohet një qyteti të caktuar të Shqipërisë, si një dedikim artistik për kthimin e vëmendjes te qytetet e harruara.











