
Flet kuratori holandez, Vincent van Gerven:Të dashurin e kam shqiptar.
“Për nga burokracitë Shqipëria është më e lirë se ne”
I ardhur nga një vend i lirë si Holanda, prisnim që Vincent van Gerven ta shihte të zymtë realitetin shqiptar, sidomos atë të komunitetit gay, lezbike, trans e biseksualë.
Krejt e kundërta. Profesori 28-vjeçar i Filozofisë e, njëkohësisht edhe kuratori i ekspozitës së djeshme “Kukafshehti”, e sheh vendin tonë me një frymë mjaft optimiste. Ka një të dashur shqiptar e pohon se shteti prej nga vjen, pavarësisht se është më i hapur, ka mjaft pengesa burokratikë që pengojnë krijimtarinë e komunitetit. “Në Shqipëri s’ka para, s’ka mbështetje, por ka hapësira publike për të zhvilluar veprimtari krijuese”, thotë Vincent van Gerven. Në intervistën e tij për gazetën, është ndër të paktët që pranon hapur se është gay e këtë e ka thënë me plot gojën edhe përpara studentëve të tij.
Jeni kuratori i kësaj ekspozite, mund të na thoni çfarë përfaqëson kjo ekspozitë dhe ç’mesazhe përcjell për nga mënyra si është konceptuar?
Është një ekspozitë që ka aksion dhe synon të shfaqë komunitetin dhe lidhjen e tij të fortë me shoqërinë shqiptare në mënyrat e jetesës. Siç e shihni, është konceptuar si një labirint dhe një pjesë e fotografive janë të fshehura.
Në fakt, sa të lirë e shihni komunitetin LGBT tek ne në krahasim me vendin tuaj?
Mendoj se ka probleme, është i diskriminuar, shoh që vuajnë për mënyrën si do t’i shohin familjet. Por me lejoni të them se edhe në Holandë ekzistojnë paragjykimet. Ndoshta jo kaq shumë, por janë. Madje, për disa gjëra mund të them se Shqipëria është më e lirë se Holanda.
Në çfarë kuptimi tingëllon pak e çuditshme?
Në kuptimin që në Holandë ka shumë para, ka shumë mbështetje, por ka burokraci të shumta për të gjitha veprimtaritë e komunitetit. Ashtu siç ka edhe paragjykime. Në Shqipëri ka pak para, ka pak mbështetje, por ka vend, ka hapësira për të ndërtuar një ekspozitë si kjo, për një aktivitet të lirë për të gjithë. Komunitetin LGBT e shoh me mjaft potencial.
Ju jeni gay apo jo, ndiheni i pranuar në Shqipëri?
Jam ndier i pranuar nga të gjithë. E kam deklaruar edhe përpara studentëve të mi. Kam më shumë se një vit këtu dhe jam në një marrëdhënie me një djalë shqiptar.
Çfarë ju bëri të lini Holandën për të ardhur këtu, lidhja juaj?
Më pëlqeu si vend që në fillim. Isha për pushime dhe vendosa të vij këtu. Jo jo, nuk ka lidhje me të dashurin tim. Atë e kam njohur më vonë.
Cila është gjëja që ju ka bërë më shumë përshtypje në mënyrën si trajtohet LGBT tek ne?
Më ka bërë shumë përshtypje se si mund të jetë e lejueshme që një politikan të dalë hapur dhe të bëjë deklarata publike, ndërkohë që duhet të garantojë ligjin.
Sequi: Dënojmë deklaratën e Spahisë
Ambasadori i BE në Shqipëri, Ettore Sequi, dënoi me forcë çdo retorikë diskriminuese të përdorur nga politikanë kundrejt komunitetit LGBT. “U informova mbi komentet e zotit Ekrem Spahia të datës 15 maj. Komentet dhe thirrja e bërë lidhur me kolegun tim të Bashkimit Europian janë për të ardhur keq dhe të papranueshme”, tha Sequi. Ai risolli në vëmendje se Shqipëria është angazhuar në përmbushjen e 12 prioriteteve kyçe të opinionit të Komisionit Europian dhe lufta kundër diskriminimit është një prioritet shumë i rëndësishëm.Berisha: Spahia nuk shpreh qëndrimin zyrtar
Kryeministri i vendit e cilësoi një qëndrim krejtësisht personal atë të deputetit Ekrem Spahia për ambasadorin e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në vendin tonë, zoti Henk van den Doo. “Është një qëndrim personal dhe tërësisht i papranueshëm e që nuk shpreh qëndrimin zyrtar dhe vlerësimin më të lartë të qeverisë shqiptare”, tha Berisha. Ai vlerësoi rolin dhe kontributin e ambasadorit të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta si përfaqësues i një vendi mik, siç është Mbretëria e Bashkuar. “Shprehim mirënjohje të thellë për të gjithë mbështetjen që i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë”, tha Berisha.
Ekspozita, politika shqiptare braktis LGBT
Sot përpara Parlamentit, sensibilizim nga “Mjekët e homofobisë”

Ambasadorët e huaj, të gjithë të pranishëm te “Kukafshehti”
Sot manifestojnë në shesh, ndërsa dje në prag të Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Aleanca Kundër Diskriminimit, LGBT, çeli në Tiranë, në një mjedis pranë ish-Stacionit të Trenit, ekspozitën “Kukafshehti”, e para e këtij lloji që adreson jetën dhe dashurinë e komunitetit gay, si pjesë integrale e shoqërisë shqiptare. Në të mori pjesë e gjithë trupa e ambasadorëve të huaj ndërkohë që, pavarësisht ftesave, asnjë nga poltikanët shqiptarë nuk ishte i pranishëm. Në çeljen e ekspozitës ishte i pranishëm edhe ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu, si dhe titullarë të tjerë të përfaqësive të ndryshme diplomatike në Tiranë. Në ekspozitë dokumentoheshin karaktere dhe aksione të këtij komuniteti, në përpjekjen e tij për të arritur ndërgjegjësimin publik. Ekspozita synon të shfaqë komunitetin dhe lidhjen e tij të fortë me shoqërinë shqiptare në tërësi, në mënyrat e jetesës, erotizmit dhe mendimet e tyre. Sot ndërkaq përfaqësuesit e komunitetit të veshur me maska në Dita Ndërkombëtare Kundër Homofobisë do të përkujtojnë heqjen e homoseksualitetit prej klasifikimit ndërkombëtar të sëmundjeve, bërë nga OBSH më 17 maj 1990. Në të gjithë botën, kjo ditë kujtohet me ekspozita, manifestime dhe evente të tjera. Aleanca Kundër Diskriminimit është një organizatë jo qeveritare, e cila parafytyron një shoqëri shqiptare të lirë, të hapur, e cila përfaqëson diversitetin dhe është gjithëpërfshirëse, pavarësisht orientimit seksual dhe identitetit gjinor. Ajo synon të mbështesë dhe fuqizojë komunitetin lezbik, gej, biseksual, transxhendër dhe rrit ndërgjegjen publike dhe edukimin mbi çështje të orientimit seksual dhe identitetit gjinor.
LGBT
. 2700 anëtarë
të regjistruar online. 250 persona kanë kartë anëtarësie
Sot manifestimi te parku “Rinia”
Myslimanët, protestë ndaj homoseksualëve në Ditën e familjes

Myslimanët, sot në protestë paqësore ndaj homoseksualëve. Forumi Mysliman Shqiptar ka njoftuar se do të organizojë një manifestim me rastin e Ditës së familjes. Ky aktivitet do të mbahet në të njëjtën orë më atë të lajmëruar nga komuniteti LGBT në vendin tonë. Roland Hysa, sekretari i Forumit, ka deklaruar dje se aktiviteti synon të sensibilizojë shoqërinë për vlerat që mbart familja. Ai pohoi faktin se kjo është edhe një lloj proteste ndaj homoseksualëve, që sipas tij pretendojnë se po diskriminohen. Aktiviteti do të zhvillohet në sheshin para Galerisë së Arteve dhe parkut “Rinia”, ndërsa është marrë leje në Polici për organizimin e tij. Ndërkohë, Policia ka marrë masa edhe për aktivitetin që shoqata pro-LGBT do të zhvillojë përpara Parlamentit. Drejtuesit e saj na sqaruan se të veshur me maska mjekësh synojnë të përcjellin mesazhin e kurimit të homofobisë. “Mjekët e homofobisë”,do të qëndrojnë përballë parlamentit ndërkohë që nuk do të ketë paradë nga ato që jemi mësuar të shohim në vendet e tjera. Burime nga Policia e kryeqytetit kanë bërë të ditur se aktiviteti, sipas lejes së dhënë, pritet të zgjasë rreth 3 orë, ndërsa do të zhvillohet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Për këtë arsye, në këtë orar policia, si në çdo aktivitet tjetër të ngjashëm, do të bllokojë qarkullimin, ndërsa ka marrë masa për shmangien e çfarëdolloj incidenti apo përplasjeje.
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











