
TIRANE – Familjarët e 25-vjeçarit Vilson Përleka, i cili u vra mbrëmjen e së martës në Sauk të Tiranës, deklaruan dje se autori e ka kryer krimin në bashkëpunim dhe nuk është vetëm ai personi që duhet arrestuar. Sipas tyre, edhe dy persona të tjerë, të afërm të Erald Sinës, që u arrestua me akuzën e “vrasjes”, kanë qenë në vendin e ngjarjes dhe e kanë ndihmuar autorin, duke mbajtur babanë e viktimës që të mos ndërhynte për të shpëtuar të birin. “Ne e dimë shumë mirë se autori nuk ka vepruar i vetëm, edhe pse e ka mbajtur vetë përsipër krimin. Aty kanë qenë edhe dy persona të tjerë që duhet të arrestohen. Nëse shteti nuk vepron sipas ligjit, atëherë ne do të veprojmë sipas kanunit. Por do të presim nëse familja e djalit të arrestuar do të vijë te ne për të ngushëlluar”, u shprehën dje familjarët e Vilson Përlekës, tek shtëpia e tyre në Kamzë. Vilsoni, djali i madh i familjes Përleka, të ardhur nga Burreli në Kamzë të Tiranës, i cili u vra me sëpatë mbrëmjen e së martës në Sauk të Vjetër, u përcoll dje në orën 15:00 për në banesën e fundit. Viktima, i cili ka një vëlla dhe një motër më të vegjël, punonte bashkë me të atin me një kamion në vendin ku do të kalojë Unaza e Madhe dhe ishin personat e vetëm të punësuar në familjen e tyre. Edhe mbrëmjen që u godit për vdekje nga i dyshuari Erald Sina, 21 vjeç, ka qenë bashkë me të atin duke u kthyer nga vendi ku punojnë dhe ka kaluar nga Sauku i Vjetër, për të dalë më pas tek Rruga e Elbasanit. Në një ndalesë që kanë bërë at e birë, që udhëtonin me kamion, për shkak të trafikut, ka nisur konflikti me 3 persona të tjerë, për shkak të bllokimit të rrugës dhe, pas këtij konflikti, ka ndodhur vrasja. Babai i Vilson Përlekës, për shkak të gjendjes së rënduar nga fakti që ishte i pranishëm kur djali i tij u godit për vdekje, nuk ishte në gjendje të fliste rreth ngjarjes së rëndë. Por nga bisedat që ai ka bërë me familjarët, ata na treguan dje se Vilsoni nuk është goditur nga një person i vetëm. Në vendin e ngjarjes janë mbledhur disa persona, të paktën tre aq sa mban mend babai i viktimës dhe dy prej tyre kanë mbajtur të atin e 25-vjeçarit që të mos ndërhynte. “Vilsoni ishte djalë i qetë, që shikonte punën e tij dhe punonte shumë për të kontribuuar në këtë familje. Në rast se ai do të kishte bërë ndonjë gjë të rëndë, ndoshta sot mund të flisnim ndryshe. Por të na e vrasin djalin pse zuri rrugën me makinë, i bëri makinën me pluhur autorit apo edhe e gërvishti, këtë nuk mund ta pranojmë dhe kjo ngjarje që na ndodhi ne, nuk do kalojë lehtë”, u shprehën familjarët. Nga ana tjetër, ata thanë se 25-vjeçari nuk ka vdekur vetëm nga goditjet me një send të prehtë, që ata nuk e dinë ende se çfarë ka qenë, por nga përplasja e fortë e kokës në asfalt.











