
Mark Ndreu, njëri nga të plagosurit e masakrës që ndodhi mëngjesin e së pre-mtes në Gjykatën e Lezhës, ndodhet ende i shtruar në spitalin e këtij qyteti. Mbrëmjen e së premtes, rreth orës 22:15, ai rrëfeu për “Panorama” gjithë tmerrin që i kishin parë sytë. Deri në ato momente, policia nuk kishte mbërritur në spital për të marrë dëshminë 75-vjeçarit për ngjarjen e rëndë që tronditi Lezhën. I moshuari pohoi se të shtënat e armës ishin dëgjuar që brenda Gjykatës, e më pas sipas tij, rreth 6 persona të armatosur kanë dalë jashtë, duke ndjekur e qëlluar njëri-tjetrin. Madje, një person të cilin ai nuk ishte në gjendje ta identifikonte, e kishte marrë atë forcërisht, duke e mbajtur para vetes për t’i shpëtuar plumbave teksa qëllonte kundërshtarin me pistoletë.
Ju keni qenë një ndër dëshmitarët e ngjarjes që ndodhi në Gjykatën e Lezhës, madje keni mbetur dhe u plagosur nga të shtënat me armë zjarri. A mund të na thoni çfarë ndodhi konkretisht të premten në Gjykatë?
Ndodhi një kasaphanë e vërtetë. As vetë nuk e di si kam shpëtuar nga plumbat. Kam marrë një plumb në kofshë, por fatmirësisht shpëtova pa pasoja serioze. Unë nuk kisha punë me personat që ishin përfshirë në konflikt, u ndodha rastësisht si qytetar, duke qenë se kisha një proces civil për të zgjidhur.
Sa veta ishin në konflikt?
Kanë qenë të paktën gjashtë persona të armatosur, të cilët kanë vijuar të qëllonin njëri-tjetrin, madje në fund fare, filluan edhe duke u fshehur pas makinave dhe duke u qëlluar. Kam parë më sytë e mi momentin kur njëri ra përtokë e gjeti vdekjen.
Po ju si u plagosët. Ku ishit?
Një person më kapi dhe më vendosi përpara vetes dhe qëllonte me pistoletë në drejtim të kundërshtarit të tij. Vendi u mbush me tym e gjak, plumbat bënin rikoshetë dhe ishte tamam një luftë e vërtet.
Më pas çfarë ndodhi?
Kisha pak dhimbje, djemtë e mi që kanë qenë në vend më erdhën menjëherë në ndihmë, pasi nga trupi filloi të më rrihte gjak. Kisha marrë një plumb në kofshë, por mjekët më thanë se nuk kishte rrezik.
Tani është ora 22:15 e mbrëmjes, ka ardhur policia për t’ju pyetur për ngjarjen?
Jo, deri tani ju jeni i pari që po flas për këtë ngjarje. Policia nuk ka ardhur ende të më pyesë në cilësinë e dëshmitarit.
Pas plagosjes, ju dërguan menjëherë në spital?
Në spital për pak do të përfundonte me një tjetër kasaphanë. Pasi si mua, edhe të plagosurit e tjerë, na dërguan në fillim në një dhomë në urgjencë. Pa e ditur se palët ishin në konflikt, mjekët nxituan për të na dhënë ndihmën e parë. Fatmirësisht folën djemtë e mi dhe na hoqën nga dhoma, duke na lënë më vete. Por nuk kam për ta harruar një ngjarje të tillë, një masakër që e kam përjetuar. Të ndodhi një gjë e tillë në Gjykatë për mua është papranueshme. Një turp dhe skandal për shtetin. Jeta jonë është e pasigurt.
Kishit njohje me palët në konflikt?
Jo, nuk i njoh, madje edhe tani të më dalin para besoj se nuk do t’i njoh. Por, të qëllosh e të luftosh në atë mënyrë në mes të njerëzve të pafajshëm është një krim. Unë s’kam pasur asnjë lidhje dhe as nuk kam me ta, po si unë kishte edhe të tjerë. Nuk kishim as ku të futeshim dhe të fshiheshim.
A kishte prezencë police në momentin e konfliktit me armë ?
Jo, nuk kishte asnjë polic më uniformë. Fillimisht, kur dëgjova të shtëna me armë brenda Gjykatës, pa dalë në oborr, kujtova se po arrestonte policia ndonjë person. Por më pas pashë se personat e armatosur që ishin qëlluar që brenda, disa prej të cilëve të plagosur dhe që vijonin me të shtëna, dolën në oborr. Ishin të gjithë civilë.
Pra të shtënat nisën që brenda Gjykatës?
Po, por nuk e di nëse ka vijuar në korridor apo në seancë. Unë isha te dera në momentin kur u plagosa.
Procesi
Procesi në Gjykatën e Lezhës ndërmjet familjeve Deda e Ndreu kishte nisur pak kohë më parë, madje sipas gjykatës, ishte ende në fazën përgatitore. Dy vëllezërit, Nikolin e Dedë Deda, nga Shëngjini pretendonin se Mëhill Ndreu, ish-kryetar i PD-së së Lezhës, kishte ndërtuar në truallin në pronësi të tyre një lokal e hotel. Pasi nuk kishin arritur ta zgjidhnin çështjen mes tyre, vëllezërit i ishin drejtuar Gjykatës, duke depozituar një padi civile për këtë pronë.
Lezhë, arrestohen pesë persona për ngjarjen në Gjykatë
LEZHE- Policia e Lezhës arrestoi pesë persona pas ngjarjes së ndodhur në Gjykatën e këtij rrethi, ku mbeti i vrarë një 38-vjeçar e katër të tjerë u plagosën. Të arrestuarit janë shtetasit Alban Deda, Viktor Bershimi, Ermal Lulashi, Sokol Sejdia dhe Mëhill Ndreu. Sipas burimeve të Policisë së Lezhës, konflikti ka nisur për motive pronësie, pasi familja Deda kishte hapur gjyq me familjen Ndreu, duke pretenduar se kjo e fundit kishte ndërtuar një lokal dhe hotel në tokën truall në pronësi të tyre në qytetin bregdetar të Shëngjinit. Policia deklaroi se përplasja me armë ka nisur në oborrin e Gjykatës mes fiseve Ndreu dhe Dedaj, por pamjet e siguruara hedhin dyshime se konflikti ka vijuar edhe brenda ambienteve të Gjykatës. Si pasojë e konfrontimit mbeti i vdekur Endri Betaj, të cilit iu gjet në xhep një dokument i falsifikuar policie me foton e tij, por me emrin Endri Pepa. Burime nga spitali rajonal i Lezhës pohuan se regjistrimi i viktimës në urgjencë është bërë me emrin Endri Pepa. Policia ka zbuluar se ky dokument ishte i falsifikuar. Mëhill Ndreu, njëri prej të arrestuarve, është një person i njohur në zonën e Lezhës, pasi disa vite më parë ka mbajtur postin e kryetarit të PD-së në këtë qytet. Në mes të plagosurve, në ambientet e Gjykatës së Lezhës mbeti i plagosur edhe 75-vjeçari Mark Ndreu, nga fshati Rrejë i Velës së rrethit të Mirditës. Gjithashtu, të plagosur mbetën edhe shtetasit Alban Deda, Arben Nikulaj dhe Sokol Sejdia.
LEZHE/ ROLAND NIKOLLI
© Panorama.al











