“Ndryshon tradita, komunikimi degë e së ardhmes”

Oct 10, 2011 | 10:58
Shefi i departamentit të Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Publikun në UET, Dr.Artur Japuaj

Komunikimi dhe marrëdhëniet publike do të jenë degë e së ardhmes, siç janë tashmë në Perëndim. Me këtë këndvështrim në intervistën e tij shefi i departamentit të komunikimit dhe marrëdhënieve me Publikun në Universitetin Europian të Tiranës, Dr.Artur Japuaj, nxit kandidatët e rinj të studiojnë në këto degë
Ju jeni profesor në shkencat e komunikimit dhe keni investuar në këtë fushë për vite me radhë. Çfarë është shkenca e komunikimit në këndvështrimin tuaj?
Komunikimi në fakt është më i hershëm se shkenca e komunikimit dhe nuk konsiderohet thjesht si një bashkëveprim mes dy individëve apo grupeve shoqërore, ai nuk përqendrohet thjesht e vetëm te përçimi i informacionit dhe te dialogu mes dy aktorëve (persona, grupe, apo publik), ai shkon përtej. Është përçim i kulturës, simboleve, kodeve të moralit, të zakoneve, etj.
Pse duhet shkenca për të kuptuar sesi ne komunikojmë?
Shkenca  e komunikimit analizon dhe shqyrton komunikimin. Madje, edhe disa nëndisiplina, siç janë marrëdhëniet me publikun, tentojnë të lehtësojnë dhe perfeksionojnë këtë komunikim. Komunikimi tashmë është shkencë e konsoliduar, për këtë është rënë dakord prej dekadash. Madje, edhe për nëndisiplina të saj si marrëdhëniet publike, po debatohet sot nëse janë shkencë apo art, apo diçka e ndërmjetme mes të dyjave.
A njihet dhe a i tërheq mjaftueshëm studentët shqiptarë kjo degë?
Kryesisht, shkencat sociale në Shqipëri kanë qenë pak të njohura. Tradita jonë ka qenë e kufizuar ngushtë në kornizën e teorive marksiste dhe shkencave politike që vërtiteshin rreth këtij boshti. Por sot, thuajse çdo universitet në vendin tonë ka një fakultet të shkencave sociale, por jo domosdoshmërisht një departament komunikimi. Është naive të flitet se shkencat sociale në përgjithësi janë konsoliduar tashmë, por të paktën po vihen re disa shenja serioze që si universitetet, ashtu edhe studentët po i kushtojnë rëndësi.
Për sa i përket tematikës, kolegët tuaj nga Universiteti Europian i Tiranës, si Fatos Tarifa dhe Tonin Gjuraj, kanë hapur  një debat, madje edhe në gazetën “Panorama”, se ç’duhet të bëjmë për të shpëtuar shkencat sociale. Cili është komenti juaj rreth kësaj?
Brenda këtij debati, unë dua të përqendrohem te komunikimi si disiplinë. Studentët kanë pak njohuri se me çfarë merret në të vërtetë  komunikimi dhe kush janë nëndisiplinat e tij. Kjo degë ka pak vite që është prezantuar për studentin shqiptar, kështu që njohuritë rreth saj janë të kufizuara, megjithatë, ne kemi pasur një numër të konsiderueshëm studentësh dhe të interesuarish në UET, me të cilët kemi komunikuar dhe u kemi qartësuar  se me çfarë merret në të vërtetë Komunikimi.
A mendoni se kjo degë gjen terren për t’u aplikuar në tregun e gjerë apo është specifike, duke kushtëzuar kështu edhe kërkesën nga vetë studentët?
Tregu si koncept është shumë i gjerë dhe  çdokush e çdo gjë e gjen rolin e tij brenda sistemit. Po marr vetëm nëndisiplinën e marrëdhënieve publike, e cila është e njohur si frazë për shqiptarët. Vetëm për MP si profesion,  tregu ka uri dhe mungesë të madhe profesionistësh. Kjo ka ardhur si mungesë e traditës për marrëdhënie publike. Marrëdhëniet publike në Shqipëri, si nga institucionet shtetërore edhe nga kompanitë private deri vonë, madje edhe në vazhdim, konsiderohen si marrëdhënie thuajse ekskluzive me median dhe reklamën.
Pse, a nuk është ky roli i MP-ve?
Ky është gabim që në perceptim. Marrëdhëniet publike tejkalojnë marrëdhëniet me median. Ato  lidhen me reputacionin, imazhin, krijimin e një klime miqësore mes institucionit (privat apo publik) dhe komunitetit, ku ushtron veprimtarinë ky institucion. Më vjen mirë që disa kompani të mëdha kanë investuar përpjekje serioze për të krijuar departamente të mirëfillta komunikimi me publikun, ku media është një nga shumë publikët.
Pse duhet të zgjedhë një student shkenca komunikimi ?
Komunikimi dhe nëndisiplinat e tij janë degë të së ardhmes. Do  të jetë degë e së ardhmes në vendin tonë, siç është degë e të sotmes në Perëndim. Komunikimi aty është konsoliduar si traditë edhe në rrafshin teorik, ku studiohet duke u mbështetur në qasjet kritike teorike, duke analizuar faktorë dhe aktorë brenda komunikimit si disiplinë shkencore, ndikimet e medias në shoqëri, ligjërimet publike të aktorëve politikë dhe aktivë, ashtu edhe në sferën praktike, siç janë marrëdhëniet publike. Sot për shembull, numri i punonjësve në marrëdhëniet publike e tejkalon numrin e gazetarëve në shume shtete të zhvilluara.
Ku janë të vendosur konkretisht specialistët e marrëdhënieve publike?
Thuajse çdo institucion shtetëror dhe organizatë private ka departamentin e marrëdhënieve publike, i cili nuk merret thjesht e vetëm me njoftime shtypi, por me një gamë shumë të madhe aktivitetesh, që nga organizimi i eventeve në emër të organizatës për të tërhequr vëmendjen e publikut, aktivitetet me bazë përgjegjësinë shoqërore si bamirësia, etj., deri te mbledhja e feedback-ut nga njerëzit, komunitetit dhe partnerët e firmës, feedback i cili i shërben drejtimit për të hartuar dhe ekzekutuar politika efektive. Vetëm monitorimi i faqeve të internetit, blogjeve, forumeve, rrjeteve sociale, etj. është një punë e pashtershme për punonjësit e MP-së.
Po në vendin tonë ka gjasa që kjo disiplinë  të gjejë hapësira po aq sa në Perëndim?
Në  vendin tonë janë dhënë shenjat e para të interesit për këtë sektor shumë të rëndësishëm. Kompanitë e mëdha e kanë kuptuar që vetëm me reklamën klasike nuk mund të kenë të garantuar suskesin 100%, klientët potencialë  mund t’i arrijnë vetëm nëpërmjet krijimit të një klime miqësore mes saj dhe mjedisit ku ajo vepron. Hap i rëndësishëm është marrë dhe nga partitë politike, të cilat prej disa vitesh ua besojnë fushatën kompanive të huaja të marrëdhënieve publike. Pra kjo praktikë nuk është krejt e re, ajo i ka dhënë shenjat e para, madje suksesshëm, dhe tregu ka uri për këto profesionistë.

© Panorama.al

Te lidhura