TIRANË – Fakti që municionet e demontuara në Gërdec, para shpërthimit të 15 marsit 2008, nuk ishin të dala jashtë përdorimit, është bërë sërish objekt debati në Gjykatën e Tiranës. Në seancën e djeshme të dosjes me 29 të pandehur të akuzuar për shpërthimin tragjik, Gjykata vijoi me dëgjimin e përgjigjeve të ekspertëve për akt-ekspertimit tekniko-ushtarak. Të pranishëm në seancë ishin pesë ekspertët që kanë përpiluar aktin, në fazën e hetimeve pas shpërthimit të fabrikës së demontimit. Në përgjigjet e dhëna dje para Gjykatës, ekspertët pohuan se municionet e dërguara për demontim në Gërdec nuk ishin të dala jashtë funksionit. “Ne nuk kemi konstatuar që në Gërdec të jenë dërguar municione të përcaktuara më parë në laborator si ushtarakisht të rëna dhe të cilësuara për asgjësim”, pohuan ekspertët në përgjigjet e tyre. Më parë ata sqaruan se praktika e vlerësimit të municionit është i ligjëruar në rregullore të vitit 1992 si edhe të një VKM-je, të mëvonshme. Sipas tyre, pasi përcaktohen dhe përzgjidhen disa mostra të municinit, i nënshtrohen disa testeve laboratorike ku në përfundim, të dhënat regjistrohen. “Kur rezultati është nën parametrat e sigurisë, rekomandohet asgjësimi”, sqaruan ekspertët. Gjithashtu, ekspertët pohuan dje se për kryerjen e akt-ekspertimit kanë filluar punën në 10.11.2008 dhe kanë përfunduar në 11.12.2008. Në lidhje me rregulloren e sigurimit teknik në fabrikë, ekspertët thanë që nuk kishin parë një të tillë. “Nuk kemi parë ndonjë rregullore, që të themi nëse janë zbatuar, apo nuk janë zbatuar rregullat”, u përgjigjën ekspertët. ar.ba











