
Prokuroria e Tiranës i kërkoi dje gjykatës dënim me burgim të përjetshëm të Lavdërim Tufës, të akuzuarit si një nga autorët e vrasjes së biznesmenit Fatmir Rama, i njohur dhe si Miri i Xhikes, në vitin 2003. Sipas Prokurorisë, Tufa është një nga dy personat që mbrëmjen e 29 marsit të këtij viti qëlluan me breshëri automatike drejt tavolinës ku ishte ulur Miri i Xhikës, duke vrarë atë, si edhe dy persona të tjerë pranë tij, një prej të cilëve, kamerieri i restorantit. Prokuroria i kërkoi gjykatës deklarimin e fajshëm të Tufës për akuzat e “vrasjes në rrethana cilësuese”, në bashkëpunim, si edhe të “armëmbajtjes pa leje”. Pasi u njoh me kërkesën e organit të akuzës, gjykata i dha dy javë kohë avokatit të Tufës për të përgatitur konkluzionet e mbrojtjes. Lavdërim Tufa është duke u rigjykuar në Gjykatën e Tiranës, pasi vendimi që e dënoi atë më “burgim të përjetshëm” në vitin 2006 për këtë ngjarje, u rrëzua nga Gjykata e Lartë.
NGJARJA
Referuar pretencës së lexuar dje nga prokurorët e çështjes, në datën 29.03.2003, rreth orës 20:00, i pandehuri Lavdërim Tufa në bashkëpunim me një person tjetër të paidentifikuar, pasi ishin armatosur me dy automatike të tipit “Kallashnikov” dhe të maskuar me kapuça, kanë hyrë në territorin e kompleksit Kartodrom 2000, i cili ndodhet në afërsi të fshatit Lundër, Tiranë, vend ku banon edhe i pandehuri. Në këtë kohë, në një nga sallat e kompleksit jo larg portës së jashtme, në katin e parë të tij, ndodhej i ulur edhe shtetasi Fatmir Rama, pronar i këtij kompleksi. Ai ishte ulur në një nga tavolinat e sallës së restorantit, së bashku me shtetasit Kristaq Cani, Flamura Rrapaj, Nazmi Çela e Ylli Kelmendi dhe së bashku po shikonin në televizion ndeshjen e futbollit Shqipëri-Rusi, e cila po zhvillohej në ato momente. Sapo i janë afruar sallës, i pandehuri dhe bashkëpunëtori i tij kanë filluar të shtijnë me armë që nga jashtë vetratave të sallës, në drejtim të tavolinës ku ka qenë i ulur Fatmir Rama me Kristaq Canin, Falmuar Rrapajn, Nazmi Çelën e Ylli Kelmendin. Personat e përmendur më sipër kanë qenë të ulur me shpinë nga vetrata dhe nuk e kanë vënë re afrimin e dy personave të armatosur, gjë e cila bëri të pamundur dhe reagimin e tyre ndaj autorëve. Nga goditjet me armë zjarri janë vrarë shtetasit Fatmir Rama, Kristaq Cani dhe Julian Durishti, i cili punonte si kamerier në kompleks dhe gjendej pranë tavolinës duke shërbyer në momentin që është shtënë me automatik prej të pandehurit dhe bashkëpunëtorit të tij. Përveç personave të mësipërm, është plagosur dhe shtetasi Flamur Rrapaj. Nga personat e pranishëm në sallë në ato momente, vetëm Nazmi Çela dhe Ylli Kelmendi nuk janë dëmtuar nga plumbat. Në momentet kur i pandehuri dhe bashkëpunëtori i tij po gjuanin me armë në drejtim të tavolinës ku ishin ulur viktimat, Ylli Kelmendi ka marrë një pistoletë të cilën e kishte me vete Fatmir Rama dhe me të ka shtënë në drejtim të autorëve, duke plagosur njërin prej tyre. Menjëherë pas kryerjes së vrasjeve, i pandehuri dhe bashkëpunëtori i tij janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes në drejtim të fshatit Lundër. Fakti penal i paraqitur u provua plotësisht nga dëshmitë e shtetasve Ylli Kelmendi e Flamur Rrapaj dhe përputhet plotësisht me atë që është pasqyruar në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, i datës 29.03.2003. Nga aktet e ekspertimit mjekoligjor nr.58, i datës 29.03.2003 dhe procesverbali i këqyrjes së kufomës së viktimës Fatmir Rama, rezulton se në trupin e tij janë konstatuar katër plagë, prej të cilave dy në kokë dhe dy në ekstremitetet e poshtme, dy plagë tangentciale, si dhe një frakturë e kockave të kyçit të dorës së djathtë. Shkaku i vdekjes sa qenë shoku i rëndë traumatizo-hemorragjik, si pasojë e kalimit të disa predhave në trupin e tij.
PROVAT
Rezulton se në vendngjarje janë fiksuar dhe sekuestruar rreth 26 gëzhoja të ndryshme. Në afërsi të lokalit në rrugën që të çon për tek magazinat e Lundrës, janë fiksuar dhe më pas sekuestruar dy krehra automatiku model 56 të bashkuar me natriban, i cili kishte njolla gjaku në sipërfaqen e tij. Është e qartë që dy autorët e veprës penale janë larguar në këtë drejtim, duke hedhur një pjesë të municionit që kanë pasur me vete. Nga këqyrja e zonës përreth është arritur që në fshatin Lundër, tek lagjja e Dallashëve, në një kanal uji, të zbulohen, fiksohen dhe më pas sekuestrohen një automatik model 56, pa qytë, me një fishek të paplasur në fole. Së bashku me automatikun është fiksuar dhe sekuestruar edhe një kapuç ngjyrë blu e errët, i trikotuar me mbishkrimin “Champions”, i ndotur me njolla të ngjashme me ato të gjakut, po ashtu si automatiku.
DEBATI PËR ANALIZEN E ADN
Një nga debatet më të nxehta në rigjykimin e dosjes në ngarkim të Lavdërim Tufës ishte ajo e analizës së ADN-së, prova kryesore e prokurorisë në gjykim. Gjatë gjykimit të parë, gjykata kishte administruar përfundimet e ekspertimit të kryera në Itali nga eksperti Renato Bjondo. Një nga detyrat e caktuara nga Gjykata e Lartë kur ktheu dosjen për rigjykim, ishte paraqitja para gjykatës e ekspertit Bjondo. I thirrur gjatë gjykimit të tanishëm të Tufës, Bjondo tha se përputhshmëria mes ADN-së së gjetur në njollat gjak-pështymë të gjendura pranë vendngjarjes, është 90.47 për qind. Po sipas detyrave të Gjykatës së Lartë, në gjykim u thirrën edhe një grup prej katër ekspertësh shqiptarë, të cilët do të interpretonin akt-ekspertimin e Bjondos. Tre prej katër ekspertëve shqiptarë, të cilët interpretuan ekspertimin e italianit, pohuan në gjykim se probabiliteti i përputhshmërisë duhet të ishte mbi 99.99 për qind, që njollat e gjetura të konsideroheshin të lëna nga Tufa. Ky kusht nuk plotësohej në rastin e Tufës. Ndërkohë që, eksperti i katërt pohonte se profili gjenetik i Tufës nuk mund të përjashtohej nga profili miks gjak-pështymë i gjetur në vendngjarje. Kështu, sipas prof.dr. Vahe Mokini, prof.as.dr. Grigor Zoraqi dhe msc.Ervin Marku, mbetjet e ADN-së, të gjetura në një kapuç pranë vendit të ngjarjes, nuk përputhen me ADN-në e të akuzuarit Tufa. Në kundërshti me ta ishte ekspertja msc.Ela Zaimi, sipas së cilës profili gjenetik i Tufës nuk mund të përjashtohej nga profili miks gjak-pështymë i gjetur në vendngjarje. Dje, në konkluzionet përfundimtare, prokurorët pohuan se ekspertët kanë dhënë disa përfundime para gjykatës, krejtësisht të kundërta, që kanë krijuar konfuzion mbi provën kryesore. “Ky grup ekspertësh u paraqit me dy akte tërësisht kontradiktore me njëri-tjetrin, ku konkluzionet e ekspertëve të propozuar nga mbrojtja, më e pakta mund t’i quajmë të pasakta dhe tej aftësive të tyre profesionale. Gjatë seancës kemi debatuar shumë për këtë ekspertim, që arrin në konkluzione antishkencore, tërësisht të kundërta me ato të ekspertëve nga institutet më të mira europiane të kësaj shkence ligjore. Këta ekspertë dalin në konkluzione fyese ndaj kolegëve të tyre, duke i konsideruar ata të paaftë apo si ekspertë që nuk njohin metodat shkencore të analizës së ADN-së”, thanë dje prokurorët.
Dosja “Tufa”
Në gjykimin e tij të parë për akuzën e “vrasjes”, Lavdërim Tufa u dënua me “burgim të përjetshëm”. Ky vendim u shpall nga Gjykata për Krimet e Rënda në shtator të vitit 2006. Ky vendim u la në fuqi edhe gjatë shqyrtimit të dosjes nga Gjykata e Apelit, ndërsa pas rekursit në Gjykatën e Lartë vendimi u prish dhe dosja u rikthye në Apelin e Krimeve të Rënda. Gjykata e Lartë la disa detyra për Gjykatën, mes të cilave edhe thirrjen e ekspertit italian, që kishte kryer analizën e ADN-së, Renato Bjondo, për të dhënë sqarime përpara gjykatës. Pasi u rikthye në Apel, kjo gjykatë shpalli moskompetencë për shqyrtimin e dosjes dhe e dërgoi për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë.
ARMAND BAJRAMI











