“Metodat kontraceptive i nisin 8000 gra në vit “

Oct 10, 2011 | 10:27
Drejtoria e Planifikimit Familjar, Adriana Cenaj

Rreth 8000 gra në vit dalin nga materniteti “Koçio Gliozheni” të bindura për të nisur një metodë të re kontraceptive. Të dhënat vijnë nga Drejtoria e Planifikimit Familjar pranë këtij materniteti. Drejtoresha Adriana Cenaj pohon se gratë pas moshës 40 vjeç janë të frikësuara nga metodat kontraceptive, ndërsa mosha më e ndërgjegjësuar është ajo nga 20-40 vjeç. Sipas saj, ndonëse është rritur numri i femrave që përdorin këto metoda, sërish aborti shihet si metodë e planifikimit familjar nga një pjesë e tyre. Drejtoresha e Planifikimit Familjar shpjegon edhe mënyrën si ofrohet këshillimi për përzgjedhjen e metodës më të përshtatshme. “Materniteti ofron shërbim falas për të gjitha gratë dhe vajzat që duan të marrin informacion mbi metodën e duhur të planifikimit familjar. Zgjedhja u takon atyre. Fillimisht, duhen bërë një sërë ekzaminimesh, të cilat janë të domosdoshme dhe pa to nuk duhet të vendoset për një nga këto metoda. Prandaj, është domosdoshmëri këshillimi me mjekët specialistë”, thotë Cenaj. Sipas saj, metodat më të shpeshta janë tri. “Kemi kontraceptivët oralë, sterilen dhe kirurgjikalja (ose mbyllja e tubave). Pjesa më e madhe e grave zgjedhin kontracepsionin oral. Por edhe metodat e tjera, sidomos sterilja, vazhdojnë të përdoren. Kemi rreth 200 gra që kërkojnë t’i vëmë spiralen çdo vit. Ajo ndërrohet njëherë në 5 vjet”, tha Cenaj. Sipas saj, gratë e martuara janë ato që e përdorin më shumë këtë metodë. “Gjithashtu, ne ofrojmë dhe informacione për të gjitha gratë që kryejnë lindje në këtë maternitet. Nga të dhënat tona rezulton se të paktën 8000 gra ndërgjegjësohen për të filluar një nga metodat e planifikimit familjar çdo vit. Është shumë i domosdoshëm informacioni. Pavarësisht se situata është përmirësuar, sërish ka shumë punë për të bërë. Ne u theksojmë gjithmonë edhe vajzave, edhe nënave të reja që të mos e shohin në asnjë mënyrë abortin si një nga metodat e planifikimit familjar. Kjo është një zgjedhje e gabuar. Sot ka disa metoda moderne, dhe femrat janë të lira të bëjnë zgjedhjen e tyre”, tha Cenaj. Kontraceptivët oralë janë ata që këshillohen më shumë për femrat. Jo vetëm si metodë e planifikimit familjar, por edhe si zgjidhje për probleme që shkaktohen nga çrregullimet hormonale të femrave apo cisteve, që shpesh u krijojnë atyre shqetësime madhore e deri në sterilitet. Sipas mjekëve specialistë, përdorimi i kontraceptivëve është i nevojshëm sidomos në periudhën e dytë të fertilitetit, pas moshës 30 vjeç, kur shprehen edhe më shumë çrregullime të tilla. “Duhet të hiqet ideja se kontraceptivët japin efekte anësore. Në vendet e Bashkimit Europian, deri në 40% e femrave përdorin normalisht një kontraceptiv. Te ne shifrat flasin për më pak se 11%. Megjithatë, ne ua përshkruajmë pacienteve tona problemet e ndryshme hormonale që kanë, Qlaira është njëra prej tyre. Por ka edhe një sërë kontraceptivësh të tjerë që ne përshkruajmë në receta. Është pothuajse e njëjtë me hormonet që prodhon trupi i gruas dhe me një progresteron, i cili i mbron prej të gjitha efekteve anësore”, sqaroi mjekja. Pilula kontraceptive redukton gjakrrjedhjen menstruale me 88 për qind, pas gjashtë muajve trajtim, krahasuar me pikënisjen. Reduktimi fillon të ndihet që pas muajit të parë. Niveli i ulët në gjak i hekurit (ferritinës), si pasojë e humbjes se gjakut që ka pasur gruaja, arrin të rikuperohet menjëherë në mënyrë sinjifikative nga përdorimi i Qlairas. Mjekët në fund këshillojnë që grupmosha e femrave që rekomandohet të përdorin pilulën e kombinuar, duhet të jetë mbi 35 vjeç dhe të mos pinë duhan.

200 gra
në vit kërkojnë t’u vendoset spirale (sterile) për të mos mbetur shtatzënë. Të dhënat vijnë nga materniteti “Koço Gliozheni”.

Gjimnazistët
Rritet numri i gjimnazistëve që kryejnë marrëdhënie seksuale të mbrojtura. Rreth 75% e gjimnazistëve përdorin prezervativë. Këto të dhëna vijnë nga Instituti i Shëndetit Publik. Në studimin e vitit 2005, shifrat ishin rreth 61%. Por, ndërsa janë të informuar për këtë lloj metode, nxënësit e shkollave të mesme kanë pak informacion për metodat e tjera moderne kontraceptive.

© Panorama.al

Te lidhura