Kuvajti: OK ndryshimeve të sheshit “Skënderbej” nga Basha

Oct 8, 2011 | 12:15
Kryebashkiaku Basha dje me kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Shtetit të KuvajtitAl-Kharaf në sheshin “Skënderbej”

Ndryshimi i projektit për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej” nuk do t’i ndikojë aspak në mbështetjen që Kuvajti do t’i japë projekteve të Bashkisë së Tiranës. Madje, ai do të thellohet edhe me tej për infrastrukturën dhe krijimin e vendeve të punës. Gjithçka e konfirmoi dje Jassim Mohammad Al-Kharaf, kryetar i Asamblesë Kombëtare të Shtetit të Kuvajtit gjatë takimit që pati me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha. “Unë jam me atë çka i bën mirë popullit të Tiranës dhe Shqipërisë. Nëse vizioni është për të mirën e popullit dhe qytetarëve të Tiranës, politika jonë si kuvajtianë është të mos ndërhyjmë në çështje që i përkasin ekzekutivit”, tha Al-Kharaf. Kryetari i Bashkisë së Tiranës e njohu zyrtarin e lartë kuvajtian me projektet dhe planet e zhvillimit të qytetit të Tiranës.  Të dy palët biseduan për të forcuar marrëdhëniet midis investitorëve të biznesit kuvajtian dhe atij shqiptar, në veçanti të Tiranës, në funksion të zhvillimit ekonomik të Tiranës dhe krijimit të shanseve për punësimin e qytetarëve të Tiranës. Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit, shprehu mbështetjen e shtetit të tij për projektet e Bashkisë. Pas takimit, Basha dhe kryetari i Asamblesë Kombëtare të Kuvajtit, vizituan sheshin “Skënderbej” dhe panë nga afër punimet në këtë projekt të mundësuar nga ndihma financiare e Emirit të Kuvajtit, Sabah Al-Ahmed Al-Sabber Al-Sabah.

© Panorama.al

Te lidhura