Duket se producenti dhe moderatori i festivalit “Kënga Magjike”, Ardit Gjebrea, këtë vit ka menduar të sjellë një konkurrencë të egër mes këngëtarëve, të cilëve do t’u duhet të sfidojnë jo vetëm kolegët e tyre, por në disa raste motrën, shokun, shoqen e ngushtë apo mikun e vjetër. Edhe pse jemi ende në fillim të prezantimit të këngëve të reja për edicionin 2011 të këtij festivali në programin e “E diela Shqiptare”, janë prezantuar këngët e para, ndërkohë që mund të bëhemi kureshtarë se cilët do jenë konkurrentët e tjerë të javëve në vazhdim, që do të garojnë për çmimet e këtij viti. Kështu, në garën e festivalit të “Kënga Magjike 2011”, konkurrojnë motrat Greta dhe Eni Koçi, duke e përsëritur këtë konkurrencë mes motrash për herë të dytë. Po ashtu në garë do të jenë miq të vjetër, Redon Makashi dhe Aleksandër Gjoka, një rikthim sërish në garë i Eranda Libohovës, apo një konkurrim këtë vit i Albërie Hadërgjonaj, si dhe një rikthim pas shumë vitesh i Seldi Qalliut. E po ashtu mbase nuk mund ta kishit imagjinuar një duet mes Pirro Çakos dhe Vedat Ademit, dy këngëtarët më të suksesshëm të baladave në vitet e fundit, të cilët kanë menduar të sjellin një këngë të dy. Ndërkohë që në konkurrencë do të jenë edhe dy armiket e përbetuara Rezarta Shkurta dhe Rozana Radi, kjo e fundit në një duet me Mc Kresha, reperin kosovar me të cilin po përjeton një lidhje dashurie. Por, nëse do flisnim për konkurrencën brenda muzikës hip-hop, janë edhe Big Basta, po ashtu Noizy, i cili kësaj here vjen në bashkëpunim me Dudën. Deri në zbulimin e emrave të rinj, nuk dihet ende nëse këtë vit konkurron Dafina Zeqiri, një nga këngëtaret më të pëlqyera në Kosovë. Tashmë nga emrat Big ka konkurruar Jonida Maliqi, ndërsa ka reformuar shtatzanë këngën me titull “Thesar pa emër”. Po ashtu, pritet të këndojë në këtë edicion të “Kënga Magjike” këngëtarja Besa Kokëdhima.
Mungojnë Flori, Elvana, Çiljeta, Zajmina
Por këtë vit mungojnë në konkurrim Flori Mumajesi, Elvana Gjata, Çiljeta e Zajmina, që mund të jenë pritur nga publiku si emra të tjerë konkurrentë për këtë edicion. Të katër këta këngëtarë, që janë dhe bashkëpunëtore në krijimet e reja, kanë pasur një verë me klipe e koncerte. Me sa duket, ata do të përgatisin këngë për konkurrim në edicionin e ri në “Top Fest” në “Top Channel”, ndërsa kanë qëndruar jashtë “Kënga Magjike”. Gjithsesi, emra të tjerë këngëtarësh pritet të zbulohen në javët në vazhdim deri në publikimin e listës zyrtare të pjesëmarrësve. Në edicionet e përvitshme, numri i këngëtarëve konkurrentë i është afruar shifrës 60, ku shumë prej tyre kanë qenë këngëtarë të rinj, si dhe të ardhur nga Kosova e Maqedonia. Një nga të veçantat e këtij festivali në vite, ka qenë rikthimi në garë i emrave të njohur të muzikës, të cilët në disa raste i janë rikthyer konkurrimit pas shumë vitesh.











