“Kali që kapet, shin lëmën” ose debati mbi TVSH-në

Oct 21, 2011 | 10:05

ERVIN BUSHATI

Kohët e fundit është disku tuar mes njerëzve dhe në media, ndonëse më pak seç e meriton, një ide për të reduktuar ose dhe zeruar TVSH-në për disa ushqime dhe shërbime bazë për konsumatorin shqiptar. Para se të merrte një trajtë logjike dhe ekonomike, diskutimi u politizua për të kaluar menjëherë në torbën e çështjeve që ne mendojmë se nuk i përkasin realisht jetës sonë. Kjo, kuptohet, në radhë të parë për faj të vetë politikës – si një institucion social përherë e më i pabesueshëm dhe punëkot në sytë e shoqërisë sonë, gjithmonë e më shumë skeptike. Të gjitha vendet e botës kryesisht operojnë me një skemë të tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) të diferencuar, pra me parametra të ndryshëm për mallra dhe shërbimet respektive. Në Europë dhe në vendet më të pasura mallrat dhe shërbimet bazike si ushqimet, barnat, edukimi, shërbimet mjekësore, energjia elektrike, gazi etj., janë me një TVSH (VAT) të reduktuar e deri zero. Lejomëni të sjell këtu rastin e Anglisë, një nga vendet më të pasura në botë, që TVSH-në për ushqimet e ka zero. Po kështu, kjo taksë varion nga 0 në 5% në shumicën e vendeve europiane, dhe kjo bëhet me vetëdije për të mbrojtur sa më shumë shtresat më në nevojë, që bazojnë strukturën kryesore të shpenzimeve të tyre me ushqime dhe shërbimet e tyre të përditshme jetike.
Shqiptarët janë 8 herë më të varfër se mesatarja e familjeve të eurozonës (GDP per capita). Në këtë kontekst, një masë e tillë mbrojtëse është jo vetëm logjike, por e domosdoshme për të mbrojtur deri dhe shtresën e mesme sociale, duke gjykuar nga niveli i ulët ekonomik i familjeve në vendin tonë. Shtuar këtu dhe krizën që po kalon e gjithë ekonomia botërore, kjo masë duhet të zbatohet menjëherë.
Kundërargumenti i Kryeministrit ishte me faktin se ulja e TVSH-së dëmton prodhuesit vendas. Sa për komentin e Kryeministrit, aq më tepër sot dhe në këtë situatë krize, duket sa absurd ashtu si dhe gjithmonë demagogjik në retorikën dhe logjikën e tij. Me sa duket, këtë radhë ai as është lodhur gjatë për të gjetur një sebep, sado të thjeshtë, se pse do të kundërshtonte një nismë të opozitës që po ndërmerr një politikë pozitive në mbrojtje të interesave të të gjithë shqiptarëve.
Zbritja e TVSH-së do të sillte në reduktimin e menjëhershëm të çmimeve në treg: sepse 20% e çmimit që paguajnë qytetarët në treg sot është TVSH, që e përfiton shteti, dhe jo prodhuesi. Çmimi më i ulët do të sillte një fuqi të rritur blerëse të kërkesës që do të konsumonte më shumë mallra. Blerësit do të ishin më të kënaqur me çmime më të ulëta dhe do të konsumonin më shumë; ndërsa tregtarët dhe prodhuesit do të shisnin më shumë mallra në këtë rast. Kjo vlen njësoj si për mallrat e vendit, ashtu dhe ato të huaja, që do të rrisnin xhiron e tyre në shitje dhe në fitime, si rrjedhim. Me kaq dhe shumë shkurt dua të mbyll një argument super të thjeshtë jo vetëm për një ekonomist, por për çdo qytetar që beson akoma te racionaliteti në jetë dhe në treg.
Problemi i vërtetë i qeverisë është administrata fiskale dhe të ardhurat gjithmonë në rënie në buxhetin e shtetit. Kjo është arsyeja e vërtetë pse e refuzon një masë të tillë logjike maxhoranca. Niveli i lartë i informalitetit dhe evazionit fiskal në ekonomi bën që qeveria të mbledhë taksat në mënyrën më të lehtë për të, por më të dëmshme për konsumatorin: në burim.
Duke mos pasur aftësinë, dëshirën dhe vullnetin politik për një skemë fiskale funksionale, më të drejtë, por, në të njëjtën kohë dhe më kërkuese e më me pak hapësira për të bërë para politikanët – qeveritë gjithmonë ia kalojnë barrën fiskale konsumatorit direkt. Një skemë në ndihmë të ekonomisë dhe konsumatorit, natyrisht që do të ishte më e ndërlikuar dhe e vështirë në zbatim, por do të linte dhe më pak hapësirë për ata që përfitojnë para dhe favore nga një politikë e tillë fiskale me vare.
Sot, shqiptarët, pa dallim, paguajnë karburantin pavarësisht nëse kanë një makinë ose jo. Shteti i tyre “lehtësoi” taksat për automjetet, por vështirësoi jetën e gjithë qytetarëve që e paguajnë koston e shtuar të karburantit dhe energjisë sa herë që blejnë bukën e përditshme.
Shpjegimin më të saktë, në sintezë, na e jep urtia popullore me shprehjen: “Kali që kapet, shin lëmën”. Edhe shteti ynë e zbaton forcën, abuzivitetin dhe taksat vetëm mbi ata që jetojnë brenda ligjit. Pjesa tjetër e shoqërisë është duke jetuar me filozofinë e sofrës së pushtetit dhe jo të ligjit e shtetit për të gjithë njësoj. Dritat i paguajnë – përditë e më shtrenjtë – ata që janë mësuar të paguajnë gjithmonë, gjysma tjetër nuk paguan fare; taksat i paguajnë vetëm bizneset e ndershme, jo ata që janë kriminale dhe në ortakëri me politikën; në gjykatë dënohen ata që zbatojnë ligjin, dhe jo ata që vrasin, korruptojnë e blejnë çdo gjë që lëviz në këtë vend.
Kush zbaton sot ligjin, paguan, sillet si qytetar dhe nuk ka sadopak gen kriminal, le të bëjë pjesën e vet në “lëmin” e pushtetit. Ndërkohë, politika dhe vasalët e saj do të “shijnë” si t’ua ketë qejfi.
Fatkeqësisht: shteti ynë është i vërtetë, me peshë dhe i rëndë vetëm me ata që e marrin seriozisht.

© Panorama.al

Te lidhura