“Jo vetëm kryeministri, por edhe personazhe të tjera të politikës imitohen lehtë”

Oct 22, 2011 | 14:36

Flet Rezart Veleshnja, aktori 26-vjeçar i “Portokalli”-së që imiton Berishën, profesorin dhe Sisin

Me aftësinë e një kameleoni, ai mund të transformohet lehtë në skenën e “Portokalli”-së nga mashkull në femër, nga një personazh periferik televiziv në politikanin me karrierë, nga profesori nevrik në djalin e pazotë e që kërkon ndihmë për të gjetur një nuse. Rezart Veleshnja, 26 vjeç, rrëfen sekretet e imitimit, ndërsa bën një kategorizim të politikanëve shqiptarë, në të thjeshtë dhe të vështirë për t’u imituar.
Ti je një nga aktorët e rrallë që del në skenë i transformuar. Është strategji jotja për të mos u njohur në rrugë?
Jo, s‘ka lidhje me ndonjë strategji personale. Kështu kanë ardhur karakteret dhe kështu kam bërë, edhe pse unë nuk identifikohem fare. Ka raste që s‘më njohin njerëzit në rrugë, përgjithësisht policët e qarkullimit rrugor (qesh).
Këtë sezon të ri u shfaqe në rolin e Kryeministrit Sali Berisha. E ke imituar Berishën më parë?
Po, e kam imituar pikërisht në spektaklin “Portokalli”. Kemi qenë tre aktorë në skenë: unë, Agron Llakaj dhe Kreshnik Ibrahimi në variantet- Berisha i vjetër, student, dhe i vogël. Unë kam imituar Berishën në rrethanat që ai ka qenë student, një imitim që është bërë para dy vitesh, kur unë kisha pak më shumë se një vit që kisha hyrë në trupën e aktorëve të “Portokalli”-së. Tani m’u dha shansi për ta imituar Berishën.
Është Berisha personazh i vështirë për t’u imituar, apo hyn te karakteret që imitohen lehtë?
Berisha është personazh që imitohet, dhe di që brenda trupës sonë  e imiton edhe Florian Binaj. Pastaj është mjeshtëria e grimit që bën të vetën, që e plotëson gjithë figurën në portretizimin e saj, përveç realizimit aktorial. Sigurisht që ka detaje që duhet t’i kapësh nga ky karakter, që as unë nuk jam shumë i kalitur plotësisht me Salën. Megjithatë, them se e kam kapur disi, jam në linjën e këtij personazhi.
Mirë Berishë, por edhe femër… Transformimi i personazhit në gjini tjetër e bën rolin më të vështirë?
Në fakt, u mendua që kësaj here të sillnim çiftin Rameo dhe Salea, dy personazhe që janë të vjetër dhe për t’i sjellë ashtu siç janë, ashtu siç flasin në mitingje e takime politike, ishte ideja e skenaristëve dhe regjisorit, që të hidhej diçka ndryshe në variantin e Shekspirit. Dhe u mendua pikërisht numri që pamë.
Do të kishe dëshirë ta takoje Berishën, do guxoje t’i dilje përballë qoftë edhe për shaka në variantin femër?
Po, do kisha dëshirë ta takoja një herë për kuriozitet.
Ndërsa nëse do i shkoja për takim në variantin femër, jam i bindur që do më nxirrte nga zyra, se e di që është shumë familjar. Por gjithsesi, nëse do e bëj një gjë të tillë, do hiqja paruken dhe do i drejtohesha me fjalët: “Unë jam ai që të imitoj ty, të lutem më jep një tokë andej nga jugu!” (qesh)
Meqenëse po flasim për politikanët në “Portokalli”, ti cilin politikan tjetër mund të imitosh?
Nuk e kam menduar, por janë disa politikanë që i kam imituar. Di të them që personazhet që janë në politikën shqiptare, imitohen shumë lehtë.
Nëse do t’i kategorizonim ata në personazhe të vështira dhe të thjeshta për t’u imituar, mund të përmendje emra?
Personazhe të thjeshtë përveç Sali Berishës do të përmendja Jozefina Topallin, Lulzim Bashën, Bamir Topin, Spartak Ngjelën, Edi Ramën, Alfred Moisiun, Erion Braçen etj. Ndërsa tek personazhet e vështirë mund të përmend Fatos Nanon, i cili është i vështirë për t’u imituar për shkak të zërit, dhe që mund të imitohet vetëm nga pamja e jashtme. Po ashtu, Arta Dade e Ilir Meta hyjnë tek të vështirët, por ama nëse aktorët i vihen një personazhi të caktuar, ata patjetër arrijnë ta imitojnë.
Personazh i përhershëm është profesori. Fshihet ndonjë person real, ekziston profesori i “Portokalli”-së në Tiranë?
Ekziston në një përqindje të vogël, pra ideja fillestare është marrë nga një personazh real, e pastaj karakteristikat e tjera janë të veshura mbi atë person. Nuk bëhet fjalë për profesorin tim siç është folur, bëhet fjalë për një drejtor shkolle në Tiranë, tek i cili kam marrë zanafillën për pamjen e jashtme, mënyrën si pi cigare, tipin që bërtet, pastaj të tjerat janë shtuar. Të them të drejtën, nga të gjithë personazhet e mi, ky është që e bëj me aq qejf sa dhe vetë qesh, kur shkruajmë tekstin bashkë me dy vajzat (nxënëset në rol).  Mendoj se me profesorin ia kam arritur qëllimit, pasi ka qenë për mua një person që e kam parë nga afër, ndryshe nga Berisha, të cilin e kam parë vetëm nga ekrani.
Ndihet xhelozi mes aktorëve të “Portokalli”-së pas kuintave? Ti do mund të veçoje të preferuarit mes kolegëve?
Nuk bëhet fjalë për xhelozi mes nesh, për faktin se çdo aktor ka të drejta të plota mbi personazhet që bën. Domethënë, asnjë aktor nuk di të bëjë atë që bën tjetri, dhe kështu që s ‘ka pse të ketë xhelozi.  Shumë nga këto personazhe janë shumë të bukur dhe të veçantë, dhe kjo vetëm kompleton spektaklin në tërësi. Për sa u përket të preferuarve të mi, i vetmi është Naqja me frazën “Alo Fëllënx eee”. Është karakteri më i bukur që më pëlqen pafund, ndërsa si aktor veçoj Romir Zallën, është aktor shumë i madh.
Ju ka ndodhur të imitoni njëri-tjetrin, si reagoni?
Patjetër nga i pari deri tek i fundit ia kemi arritur. Është e lehtë dhe e imitojmë njëri-tjetrin të gjithë.
Të jesh aktor humori në Shqipëri është favorizuese apo jo për një karrierë të mëvonshme?
Këtu në Shqipëri njësoj është. Artistët nuk janë të favorizuar, përfshi këtu aktorët e dramës, ashtu dhe të komedisë.
Ndërkohë, nëse do flisnim për jetën tënde… Nuk je përfolur ndonjëherë për marrëdhëniet me femrat, kjo lloj fame me doza humori i bën femrat të afrohen apo të largohen?
Është shumë i thjeshtë afrimi për impaktin e parë. Por, sa të shohin, bëjnë pak bisedë dhe ndodh që e heqin kuriozitetin shpejt. Por unë mendoj që njohja e njeriut nuk lidhet me famën, dhe unë nuk shfrytëzoj famën për të njohur sa më shumë femra.
Asnjëherë s’ke folur për hobet e tua jashtë skenës, cilat janë ato?
Motorët dhe makinat janë hobi im, gjithashtu kam pasion udhëtimet në mal në borë, që i bëj çdo dimër dhe që i kam planifikuar edhe këtë fundvit.

© Panorama.al

Te lidhura