TIRANE – Pak kohë pasi zëvendësministrja e Brendshme, Iva Zajmi, hapi zyrtarisht fushatën e “rekrutimit” vetëm për femrat në Policinë e Shtetit, në zyrat e pritjeve në Drejtoritë e Qarqeve mësohet se ka pasur një fluks aplikimi. Fushata nisi vetëm dhjetë ditë më parë dhe gjatë takimeve informuese e sensibilizuese nëpër rrethe, ka pasur një interesim që nuk ishte parashikuar i të tilla përmasave nga ana e vajzave. Sipas burimeve nga Policia e Shtetit mësohet se më të interesuarat për të vazhduar studimet në Shkollën e Policisë, në kursin për Patrullën e Përgjithshme janë vajza të moshës kryesisht nga 18 deri në 20 vjeçe, që nuk kanë arritur të fitojnë një të drejtë studimi në shkollat e larta. Nga Shkolla e Policisë është përcaktuar edhe një kuotë pranimi për nisjen e studimeve vitin që vjen, që mësohet të jetë jo më shumë se 150 pranime. Në fazën e parë të konkursit, atë të testimit me shkrim, do të shpallen fituese të gjitha ato vajza që do të arrijnë të grumbullojnë mbi 60 pikë. Por, seleksionimi deri në arritjen e kuotës së përcaktuar, do të kryhet gjatë fazave të tjera, që janë konkursi fizik dhe pjesa tjetër e dhënies së gjurmëve të gishtave dhe kontrollit shëndetësor e psikologjik. Të njëjtat burime sqaruan se në këtë fazë konkurrimi nuk do të pranohet asnjë aplikant mashkull, por vetëm femrat. Kjo fushatë ka nisur për eliminimin e disa pengesa lidhur me pranimin dhe karrierën e grave në Policinë e Shtetit.











