
Reagimi pas lirimit nga Gjykata të Bashos, i akuzuar për vrasjen e gruas.
Gjyshërit e Elenit: Kushedi sa ka derdhur që të lirohet!
Gjyshërit e Eleni Bashos kërkojnë drejtësi për vrasjen e mbesës së tyre, e cila u qëllua me dy plumba më 2 shkurt 2012 në Shkozë të Tiranës.
“Kërkojmë drejtësi dhe identifikimin e vrasësit”, është apeli i dhënë nga gjyshërit e Eleni Bashos, dy ditë pasi i shoqi i Elenit, shtetasi Ilia Basho, u lirua nga burgu për mungesë provash edhe pse ishte akuzuar për organizimin e ngjarjes që i mori jetën laborantes dentare. Gjyshërit e Elenit jetojnë në një shtëpi njëkatëshe të rrethuar me një mur të lartë në fshatin Andon Poc në Gjirokastër. Eleni është rritur aty dhe po ashtu, pas vrasjes së ndodhur në Tiranë, është varrosur aty. Të pyetur në lidhje me lirimin e Ilia Bashos, gjyshërit e Elenit thonë se “ndoshta është edhe i pafajshëm”. “Nuk besoj që të vrasë bashkëshorten që e pati për 20 vite”, deklaroi gjyshi i viktimës për News 24. Ndërsa gjyshja, e cila duket e është më e revoltuar, thotë: “U mbush bota me këto fjalë, çfarë të themi ne tani?! Kush e di sa ka derdhur Ilia Basho që e nxorën! Ai të marrë masa për Elenin, ai ta gjejë vrasësin. Kam që dje pa ngrënë, dua të çaj barkun… jo sepse doli ai. Ai të dalë, të mbledhë fëmijët…, po puna është si i hëngri fjalët që s’di gjë për gruan?”. Në të njëjtin fshat, Andon Poc në Gjirokastër, por në një lagje tjetër, gjenden edhe familjarët e Ilia Bashos. Gjyshi i tij, Nikolla Basho, është i rezervuar në deklarimet e tij lidhur me ngjarjen. Ai është mjaftuar duke thënë se nipi i tij është i pafajshëm. “Ai ka sakrifikuar për të qenë pranë familjes së tij duke lënë jetën si emigrant në Greqi”, thotë Nikolin Basho.
Familja e Elenit në Tiranë

Ndërkohë që gjyshërit e Elenit kanë reaguar për lirimin nga burgu të Ilia Bashos, të afërmit e laborantes dentare nuk kanë mbajtur asnjë qëndrim. Ditën që Ilia Basho la pas ambientet e burgut dhe mbërriti në banesën e tij në Shkozë, është vënë re se familjarët e Elenit nuk kanë qenë të pranishëm në pritjen familjare që i është bërë 39-vjeçarit pas qëndrimit për më se dy muaj në burg. Po kështu, përgjatë dy ditëve, të afërmit e Eleni Bashos nuk kanë mbajtur asnjë qëndrim në lidhje me lirimin e të dyshuarit nga Gjykata. Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur më 2 shkurt 2012, Thanas Dodi, babai i Eleni Bashos, është shprehur për gazetën “Panorama” se shteti duhej t’i gjente autorët e krimit. “E vranë me plumba pas shpine. E vranë si burracakë, si ordinerë. Një krim i ulët dhe i poshtër, që nuk ka ndodhur as në kohët kur Shqipëria funksiononte me kanun. Kurrë nuk është dëgjuar më parë për gravrasje të tillë. Ky krim i shëmtuar përbën një sfidë për shtetin dhe ligjet e tij. Pasiguria ka arritur kulmin. Kriminelët, me këto lloj ekzekutimesh, japin mesazhe se ata janë mbi ligjin. Dhe në rast se vrasësi i Elenit nuk gjendet, atëherë vërtet është mbi ligjin. Në lidhje me të shoqin e Elenit, babai i saj është shprehur se “nuk e kam akuzuar në asnjë moment Ilian për vrasjen e Elenit dhe as po e akuzoj. Normalisht, e kam pyetur se çfarë mund të dijë rreth ngjarjes, ndonjë gjë më tepër nga ne, duke qenë se ata ishin burrë e grua dhe më ka thënë që edhe ai është si ne. Pra, nuk di asgjë tjetër përveç faktit që i kanë vrarë gruan”.
Zbardhet vendimi i Gjykatës, ja pse u lirua nga burgu Ilia Basho

Vrasja e Elenit, Prokuroria: Nuk gjetëm prova për dyshimet
TIRANE – Ilia Basho, i hetuari për vrasjen e bashkëshortes së tij, Eleni Basho, nuk rrezikon të prishë provat e as të largohet, dhe dyshimet ndaj tij nuk është arritur të mbështeten në prova. Me këto argumente, Gjykata e Tiranës vendosi të hënën pranimin e kërkesës së Prokurorisë për lirimin nga qelia të të dyshuarit Basho. Gjykata e kryeqytetit zbardhi vendimin që ndryshoi masën e sigurisë ndaj Bashos nga “arrest me burg” në “detyrim për paraqitje”, një kopje e të cilit u sigurua nga gazeta. Zëvendësimi i masës së sigurisë u bë me kërkesë të Prokurorisë. Pas gati tre muajsh hetime, organi i akuzës nuk mundi të siguronte prova që të mbështesnin dyshimet se Ilia Basho është organizatori i vrasjes së bashkëshortes së tij më 2 shkurt të këtij viti në Shkozë të Tiranës. Burime pranë organit të akuzës sqaruan për “Panoramën” pas vendimit të Gjykatës, se “nuk ka dyshime, mbi dëshmi dhe prova të bazuara, Ilia Basho lidhet me shkak dhe me motiv me organizimin e vrasjes së Eleni Bashos, por nuk provohet se është ai personi që ka kryer veprimet në terren për realizimin e veprës penale”. Ilia Basho u la i lirë me kërkesë të Prokurorisë. Organi i akuzës kërkoi zëvendësimin e masës nga arrest me burg në detyrim paraqitje pasi afati hetimor 3-mujor po shkonte drejt fundit, ndërsa nuk ishin gjetur prova të reja. Në vijim publikohet i plotë vendimi i Gjykatës për zëvendësimin e masës së sigurisë ndaj Bashos.
VENDIMI I PLOTE
Gjatë seancës gjyqësore rezultoi se: Më datë 02.02.2012, rreth orës 18:30, shtetasja Eleni Basho po shkonte në banesën e saj që ndodhet në lagjen “Shkozë” pranë ambienteve të firmës “Sina Beton”. Disa metra para se të mbërrinte në banesë, kësaj shtetaseje i ka dalë një person me armë zjarri, i cili i ka qëlluar dy herë. Si pasojë e këtyre të shtënave ka ngelur e vdekur shtetasja Eleni Basho. Nga hetimet e kryera, deklarimet e personit në hetim dhe të personave që kanë dijeni për veprën penale, ekziston dyshimi i arsyeshëm se autori i kësaj vepre penale është shtetasi Ilia Basho, vepër penale kjo e cila dyshohet të jetë kryer nga ky person në bashkëpunim. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin Nr. 215 AKTI, datë 24.02.2012, ka vendosur vleftësimin si “të ligjshëm” të ndalimit të personit nën hetim Ilia Basho. Caktimi e masës së sigurimit “arrest në burg” ndaj personit nën hetim Ilia Basho në bazë të nenit 238 të K. Pr. Penale. Pas zhvillimit të hetimeve organi i akuzës ka kryer veprimet e nevojshme hetimore. Në përfundim të tyre, duke qenë se nuk ekziston rreziku për marrjen e provave, pasi ato janë marrë të tëra, nuk ekziston as rreziku i ikjes së personit në hetim dhe se nga hetimet nuk është bërë e mundur që dyshimi të mbështetet në provat përkatëse, ka kërkuar zëvendësimin e masës së sigurimit nga “arrest në burg” me atë të “detyrimit për t’u paraqitur” në Policinë Gjyqësore. Gjykata çmon se kjo kërkesë e organit të akuzës është e drejtë. Kështu që duhet zëvendësuar masa e sigurimit personal nga “arrest në burg” në “detyrim për t’u paraqitur” në Policinë Gjyqësore çdo ditë të hëne, ora 09:00, ndaj personit nën hetim Ilia Basho. ar.ba
© Panorama.alPolicia
Lirimi nga burgu i Ilia Bashos për mungesë provash ka mbledhur në një analizë të hollësishme të çështjes drejtuesit e Policisë së Tiranës, shefat e sektorëve dhe të komisariateve. Në një mbledhje që ka zgjatur disa orë është pranuar vështirësia në zbardhjen e vrasjes së Eleni Bashos më 2 shkurt të këtij viti, pasi krimi është cilësuar si i kryer me pagesë. Sipas burimeve nga Policia, është vendosur që një grup prej disa oficerësh të Policisë Gjyqësore të hetojnë me imtësi ngjarjen. “Lirimi i Ilia Bashos nuk përbën ndonjë rrezik për hetimin e ngjarjes, pasi ai vazhdon të jetë me masë sigurie, pavarësisht se tashmë është në gjendje të lirë. Por hetimi i ngjarjes me metoda speciale në shumicën e rasteve jep rezultate produktive dhe për këtë arsye besojmë se tani është edhe një moment i përshtatshëm për t’i përdorur”, thanë burimet e Policisë.











