
Ligji i ri i përgatitur nga Ministria e Ekonomisë pritet të zgjidhë një hapësirë ligjore, që favorizonte hapur kompanitë e mëdha në furnizimin me energji elektrike. Ndryshimet në ligjin “Për sektorin e energjisë elektrike”, në pamje të parë liberalizojnë tregun e energjisë elektrike, duke i bërë të gjithë aktorët konkurrentë mes njëri-tjetrit, por nga ana tjetër, i japin zgjidhje një problemi, që duket se po “varfëron” KESH-in dhe, si rrjedhojë, edhe konsumatorët e tjerë familjarë. Nga ndërhyrja që po bën METE në ligj, pritet që të ardhurat e KESH dhe, si rrjedhojë të buxhetit të shtetit, të rriten minimalisht me 30 milionë euro në vit.
Problemi
Në bazë të ligjit, në tregun vendës të konsumatorëve të energjisë ka dy lloj klientësh. Klientë tariforë dhe klientë të kualifikuar. Klientët tariforë e blejnë energjinë me çmime të rregulluara nga Enti Rregullator i Energjisë, ndërsa klientët e kualifikuar furnizohen me energji elektrike nga tregu i parregulluar. Këta të fundit ose mund të futen në tregun e lirë vetë, ose mund të furnizohen nëpërmjet furnizuesve të kualifikuar. Pra, klientët tariforë, në një farë mënyrë mbrohen nga luhatjet e çmimit nga ERRE. Kjo e fundit i përcakton çmimet e energjisë në fillim të vitit. Kjo mënyrë funksionimi e ligjit ka bërë që të gjithë klientët e tjerë të kualifikuar të shkëputen nga tregu i lirë dhe i parregulluar i çmimeve dhe të futen në skemën e klientëve tariforë. Pra, që furnizohen nga CEZ Shpërndarje dhe jo direkt nga tregu i lirë. Sipas të dhënave nga Ministria e Ekonomisë, “Kalimi i klientëve të kualifikuar në klientë tariforë është vërejtur edhe te konsumatorët shumë të mëdhenj të energjisë elektrike, ose të lidhur në tension të lartë, kryesisht të industrisë minerare dhe asaj të prodhimit të çimentos.” Në këtë mënyrë, KESH është i detyruar të furnizojë me energji CEZ edhe për fabrikat e mëdha, por me tarifa të rregulluara nga ERRE. Kjo “hile” e përdorur nga konsumatorët e mëdhenj të energjisë elektrike po i kushton miliona euro humbje KESH-it. Ky i fundit është i detyruar të plotësojë kërkesën e energjisë elektrike që ka CEZ Shpërndarje. Sipas të dhënave të METE, “kërkesa e CEZ Shpërndarje sh.a. për energji elektrike për këtë vit, për këtë kategori konsumatorësh parashikohet të jetë rreth 800 milionë Kwh, ose rreth 15 për qind e kërkesës vjetore të kërkuar nga KESH sh.a. Kjo shifër nuk përfshin kërkesat e reja për trajtimin si klientë tariforë të konsumatorëve të tjerë industrialë gjatë vitit 2012.”. Nga ana tjetër, KESH është i detyruar të plotësojë kërkesën e CEZ Shpërndarje. Kjo, edhe kur kapacitetet e hidrocentraleve janë të pamjaftueshme apo mungesa e reshjeve e ul ndjeshëm prodhimin. KESH në të tilla raste është i detyruar të blejë jashtë energji dhe t’ia shesë CEZ Shpërndarje me çmimin e miratuar në fillim të vitit nga ERRE. Sipas METE, në kushte të tilla, KESH vihet përballë dy detyrimeve: të sigurojë energji elektrike për të gjithë kërkesën e shoqërisë CEZ Shpërndarje sh.a, që është shumë më e lartë se prodhimi i hidrocentraleve të KESH-it dhe të përballojë një kosto më të lartë për sigurimin e saj.
Zgjidhja
Zgjidhja që i është dhënë në ligjin e METE, është largimi nga skema e tarifave të rregulluara të konsumatorëve të mëdhenj të energjisë elektrike. Sipas METE, projektligji i ri “Për sektorin e energjisë elektrike” do të përbëjë një hap përpara në liberalizimin e tregut të energjisë elektrike. Në këtë ligj parashikohet edhe propozimi i KESH sh.a., që konsumatorët e energjisë elektrike, të lidhur me rrjetin 110 kw e lart të transmetimit të energjisë, si dhe ata, që pavarësisht se nuk janë të lidhur në këtë rrjet, por që konsumojnë mbi 50 milionë kwh energji elektrike në vit, të konsiderohen automatikisht klientë të kualifikuar dhe të furnizohen me energji elektrike në treg të lirë nga furnizuesit e kualifikuar. Vetëm nga kjo ndërhyrje parashikohet që KESH dhe, si rrjedhojë buxheti i shtetit, të fitojë rreth 30 milionë euro në vit. METE sqaron se aktualisht nga ERRE janë licencuar shtatë shoqëri tregtare, të cilat mund të kryejnë aktivitetin e furnizimit me energji elektrike të klientëve të kualifikuar në tregun e lirë (me çmime të parregulluara). Me këtë ndërhyrje, sipas METE, energjia e prodhuar nga HEC-et ekzistuese me kosto të ulur dhe kapitali 100 për qind shtetëror do të shkojë për furnizimin e konsumatorit familjar dhe bizneseve të vogla e të mesme. “Këto ndryshime duhen bërë shpejt, në mënyrë që të gjithë operatorët e tregut të jenë të përgatitur për të operuar normalisht në vitin 2012 dhe ERRE të ketë mundësi të marrë në konsideratë këto ndryshime, në përcaktimin e çmimeve dhe tarifave për sektorin e energjisë elektrike, për vitin 2012. Hartimi i këtij projektligji është bërë në përputhje me direktivat e Bashkimit Europian për sektorin e energjisë elektrike.
ARISTIR LUMEZI











