
“The Guardian” analizon triologjinë ballkanike.
“U ‘gostitëm’ me një spektër stereotipash të personazheve me aftësi të kufizuara”
Shtetet e Ballkanit kanë bërë një goxha marrëveshje me triologjinë shekspiriane “Henri VI”. Ato jo vetëm që duhet t’i bëjnë ballë katrahurës të gjithfarë dukëve, familjeve të tyre dhe ndryshimeve të aleancave të tyre, – një akt mjaft i vështirë edhe pa pengesën gjuhësore, – dhe secili duhet ta bëjë këtë nga e para. Duke e ndarë triologjinë mes tri kompanive, Globe mund të përfitojë tri gjuhë në një tregim të vetëm, por ata zvogëlojnë ngarkesën epike të historisë, ku bijtë mbartin hesapet e nisura nga etërit e tyre.
Ky është një turp, sepse gjatë zhvillimit të triologjisë, kurora, në mënyrë perverse, duket se bëhet më pak e rëndësishme. Çdo pjesë fillon me një fron në skenë, e cila tkurret në çdo rast nga një gadana e praruar te një copë kryqi i drunjtë dhe në fund, një stol i ulët, më i përshtatshëm për një mjelëse sesa për një madhëri. Urrejtja harron kauzën e saj të parë. Goditja e pozitave është arsyeja e vërtetë e konfliktit mes gjeneratave. Në mënyrë të përsëritur të rinjtë nuk respektojnë më të moshuarit dhe një tjetër grup flokëthinjurish të rrudhosur do të zhduken.
Pjesa I e “Henri VI” nga Teatri Kombëtar i Beogradit hapet me një skenë plot me trupa që vijnë në jetë në fund të betejës. Çuditërisht, serbët të sigurojnë se kjo mbetet një histori shumë angleze. Veshjet e tyre, jelekët e lëkurtë mund të jenë siguruar lehtësisht nga një bastisje në pyllin e Sherwoodit dhe një tryezë e rrumbullakët në stilin e Mbretit Artur dominon skenën, duke u thyer ashtu si konflikti me Francën që çon në një përfundim të copëtuar dhe Anglia kthehej kundër vetvetes.
Nikita Milivojeviç drejton një prodhim fizikisht të ilustruar me një ndjenjë humori dhe qartësi të vërtetë, ndonëse maskaradat e vazhdueshme për të përcjellë detajet ndonjëherë ndihen të panevojshme. Duke shpallur aleancat si të niste një luftë civile, dukët lyejnë ballin me vijat e luftës, me bojë të kuqe dhe të bardhë… Shumë shpesh, shpejtësia narrative është sakrifikuar në favor të skenave individuale – edhe pse e fundit prej tyre, një skenë në të cilën dy të dërguarit grindavecë përpiqen çmendurisht të mbledhin hirin e derdhur Henrit V, përsëri në urnën e tyre, është thënë.
Është gjithashtu një histori e lashtë për Teatrin Kombëtar të Shqipërisë, të cilët kishin pjesën e dytë, megjithëse me veshjet e tyre kombëtare me guna dhe fustanella. Statikë dhe me pamjen e pushtetarëve, me rrobat e tyre të purpurta, oborrtarët e Henrit duken si një copë e senatit të Cezarit. Duke pasur parasysh murmurimat e konspiracionit rreth Henrit shkollar, pa shije të Indrit Çobanit, nuk është pa vend, por është jashtëzakonisht i ngathët. Është shumë i varur në tekst, duke harruar se gjysma e publikut mezi arrin ra ndjekë.
Xhek Kejdi, rebel i Bujar Asqeriut, një Rambo baritor, sjell një goditje të nevojshme, por efekti prishet nga veprimet e pasuesve të tij kryengritës. Ne jemi “gostitur” me një spektër të plotë të stereotipave të të paaftëve: një aktor luan personazh me një krah, me një gjymtyrë brenda një bluzë, dikush tjetër përpiqet të bëjë si i verbër, si dhe një shumëllojshmëri të vështirësive të dukshme të të nxënit. Për nga rehatia ngjan si në vitet 1950.
Lavdi Zotit, më pas, Teatri Kombëtar maqedonas i Bitolës i sjell gjërat në vend në pjesën përfundimtare të Henriadës me një prodhim të guximshëm karikaturesk, luajtur në një shumëllojshmëri uniformash ushtarake që të kujton kompaninë teatrore “Propeller”. Vënia e regjisorit amerikan John Blondell është e para që kap brutalitetin e luftës, – Cliffordi vdes me një hu të ngulur në fyt, – por edhe nuancat individuale të personazheve.
Mbreti Henri i Petar Gorkos fillimisht luan tiranin. Ai i ka të gjitha veglat, duke përfshirë një Mbretëreshë Margaret me taka vrasëse (Gabriela Petrushevska), por i refuzon ata për një jetë të lirë prej politikës. Pasardhësi i tij, Eduardi i Ognen Drangovskit, është në çdo inç të tij princi playboy. Martin Mirchevski dhe Filip Mirchevski janë të shkëlqyer si dy vëllezërit e tij ziliqarë.
Kryevepra e Blondellit është rimodelimi i dy roleve, të Warwick dhe Mbretit Louis të Francës, në gra. Ndërsa burrat luftojnë për egot e tyre, që jetonte me armiqësitë e shkuara dhe ambiciet personale, Mbretëresha Margaret dhe këto gra mendojnë vetëm për të ardhmen dhe fëmijët që do të ulen në fron në vitet që do të vijnë.
MATT TRUEMAN
Kritikat e “blogjeve”
Ndërsa “suksesi i jashtëzakonshëm” i teatrit shqiptar mori dhenë dhe u lavdërua dhe nga Kryeministri i vendit, shfaqja e Teatrit Kombëtar ka marrë gjithë vëmendjen e kritikëve të huaj. Mjafton të klikosh në internet me emrin e shfaqjes dhe të dalin një sërë shkrimesh kritike mbi pjesën e vënë nga shqiptarët dhe në të gjitha rastet nuk janë pozitive, veç ndonjë komenti poshtë shkrimeve, me shumë gjasë ndonjë shqiptar patriot. Ka nga ata që thonë se nuk u duhet vënë veshi këtyre kritikave, sepse në një rast ai që e ka shkruar është me origjinë serbo-kroate e kush e di është çështje nacionalizmi, një tjetër është thjesht kritik me doktoratë, një tjetër është student që ka fituar çmime si kritik drame… të tjerat janë blogje… Nuk po i marrim fare në konsideratë ata që shkruajnë me pseudonime. Por çudia është që në këto blogje nuk ka ndonjë kritik, qoftë dhe student që të flasë pozitivisht për pjesën shqiptare. Ndërsa dje ishte “The Guardian” që shkruante për triologjinë. Autori nuk i ngrinte në qiell as serbët e as maqedonasit, u vinte në dukje të mirat e të këqijat, por tek shqiptarët të mirat sikur nuk duken. Dhe “The Guardian” nuk është një blog.
Berisha: Keni çuar në Londër arritjet europiane të Shqipërisë
Kryeministri takon trupën e Teatrit Kombëtar pas kthimit

Pas kthimit nga Londra, ku ngjitën në skenën e Festivalit Botëror të Shekspirit pjesën e dytë të triologjisë “Henri VI”, trupa e Teatrit Kombëtar është pritur nga Kryeministri Sali Berisha. Sipas njoftimit nga zyra e shtypit të Këshillit të Ministrave, “kryeministri u shprehu falënderimet e tij, njëherësh kënaqësinë, për prezantimin e shkëlqyer që i bënë artit skenik shqiptar, mbi të gjitha, “bash në skenën e Shekspirit”. “Jam ndier i emocionuar, kur më informuan se interpretimi juaj dhe prezantimi i trupës shqiptare në tërësi është pritur me kureshtje dhe është vlerësuar tepër pozitivisht nga publiku dhe media britanike”, mësohet të jetë shprehur Berisha. Sipas këtij njoftimi, Berisha është shprehur se ky sukses është dëshmi e ruajtjes së traditës së krijuar nga korifenjtë e Teatrit Kombëtar, që patën vënë në skenë Shekspirin që në vitet ’60, si edhe e përkthimeve të mrekullueshme të Nolit, që e ka bërë Shekspirin të flasë shqip. “Ju keni përfaqësuar në Londër arritjet më europiane të Shqipërisë, të cilat janë ato në fushën e artit dhe, së bashku me këngëtarët e muzikantët, jeni bërë ambasadorët më të shquar të kombit”, u shpreh Kryeministri. Nga ana tjetër, drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami, në emër të trupës së aktorëve e falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e dhënë në “pjesëmarrjen e suksesshme të Teatrit Kombëtar në këtë event të rëndësishëm kulturor botëror, si dhe për përkrahjen dhe inkurajimin që arti dhe artistët shqiptarë kanë gjetur tek ai”. Ai i dhuroi Kryeministrit një foto të shfaqjes, ku nga publiku valëvitej flamuri shqiptar, si dhe katalogun prezantues të vënies në skenë të 10 kryeveprave të Shekspirit, në 67 vjet histori të Teatrit Kombëtar, me mjeshtërit e aktrimit shqiptar, si dhe me monumentet e trashëgimisë kulturore, që nga antikiteti, si teatri i Butrintit, Bylisit, Apolonisë, Orikut etj. Më tej, Kryeministri bisedoi me aktorët dhe regjisorin e pjesës.
© Panorama.al











