
Thoma Kumaraku, ndaj të cilit këngëtarja Greta Koçi ka bërë denoncim në polici për kanosje, shpjegoi ngjarjen duke thënë se nuk ka kryer kërcënime ndaj askujt dhe shprehu dyshimet e tij se padia është një histori që po përdoret për të shtyrë kthimin e borxhit prej rreth 18 mijë dollarësh, që ka si detyrim babai i këngëtares. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Kumaraku, punonjës i një banke private, tregon se si është njohur me Fatmir Koçin, babain i këngëtares së njohur. Ai rrëfen takimin e fundit me Greta Koçin, takim që sipas tij u krye me dëshirën e këngëtares dhe ku ajo i premtoi që do i shlyente paratë që i kishte borxh i ati. “Por, të njëjtën ditë kur ajo më premtoi se do më kthente paratë, më kërkoi policia për t’u paraqitur në Drejtorinë e Tiranës, pasi ajo kishte bërë kallëzim për gjobëvënie”, thotë Kumaraku.
Kur jeni takuar për herë të parë me babanë e këngëtares Greta Koçi?
Babanë e Gretës, Fatmir Koçin, e kam takuar për herë të parë në vitin 2001. Atëherë sapo isha shpërngulur në Tiranë dhe kërkoja të hapja një biznes. U interesova për një lokal që ndodhej në një pallat pranë Gjykatës së Tiranës. Mora vesh se pronari quhej Fatmir Koçi. Më tha që është pronar i një firme “Aifa & Co” dhe se për të marrë lokalin që interesohesha duhej të paguaja 26 mijë dollarë. Ramë dakord dhe bëra pagesën, duke firmosur mandatin e arkëtimit. Rreth 15-20 ditë pasi kisha paguar shumën e dollarëve, mora informacione se ai ishte mashtrues dhe kërkova kthimin e menjëhershëm të parave. I thashë se në rast se nuk do m’i kthente paratë, do t’i drejtohesha organeve kompetente.
Babai i Gretës, menjëherë pas kërkesës që i bëra për kthimin e shumës, më premtoi që për shumën e paguar do të bënim një marrëveshje për një apartament banimi, po tek e njëjta zonë ku ndodhej lokali. Ma kërkoi këtë mirëkuptim me pretekstin se paratë e mia i ka dërguar në Bullgari për të blerë ashensorë. Duke qenë përpara kushteve, ku unë krijova bindjen se isha i mashtruar, vendosa të pranoj me mirëbesim që të isha sa më afër me problemin tim.
Kur filloi problemi me Fatmir Koçin?
Pas marrëveshjes që bëra me të për të marrë apartamentin, humba të gjitha kontaktet me babanë e Greta Koçit, sepse ai qëndronte i fshehur, ngaqë e kërkonin edhe persona të tjerë për probleme të tilla. Pas kësaj, unë e kam parë rastësisht në ekranin e televizionit, kur ishte arrestuar. Kështu unë fillova procedurat gjyqësore, me padi civile, ku ai u përfaqësua nga e shoqja, Afërdita, e cila në asnjë moment nuk e ka pranuar që unë kam derdhur shumën prej 26 mijë dollarësh.
Si përfundoi çështja gjyqësore që ju kishit hapur kundër Fatmir Koçit?
Në Shkallë të Parë, në Apel dhe në fund, në Gjykatën e Lartë, unë kam fituar të drejtën për rikthimin e parave.
Aktualisht sa ju detyrohet për t’ju shlyer babai i Greta Koçit?
Aktualisht shuma që ai më detyrohet dhe duhet të më paguajë është 18 650 dollarë amerikanë. Pjesën tjetër ma ka shlyer para disa vitesh. Fillimisht më kanë dhënë 4 mijë dollarë, pas një takimi të rastësishëm në Prokurori, kur u ndeshëm në korridore, në vitin 2008. Unë kisha bërë një kallëzim kundër tij dhe ndodhesha për të njëjtën arsye që ndodheshin edhe ata. Disa muaj u tregua i rregullt me pagesat dhe arriti të me kthejë një pjesë, derisa shuma që më detyrohet mbeti kaq, 18 650 dollarë, aq sa më detyrohet edhe sot.
Po me Greta Koçin kur keni kontaktuar për herë të fundit?
Në lidhje me Greta Koçin sjellja e saj karshi meje ka qenë shumë korrekte. Më kujtohet një rast kur kisha datën e këstit dhe mora në telefon te numri i shtëpisë për t’i kujtuar. M’u përgjigj Greta në telefon dhe më tha, “Xhaxhi Tomi të kam thënë që e vogël dhe xhaxhi Tomi do të them deri ditën e fundit që prindërit e mi të likuidojnë shumën e dollarëve”. Thënie të cilën ma tha edhe në takimin e fundit që ma kërkoi ajo, mbasi kisha komunikuar me mediat. Ka qenë ditë e enjte, data 13 tetor 2011, kur ajo më mori në telefon dhe më tha që donte të më takonte për të pirë një kafe. Unë e pyeta se për çfarë dhe ajo më thotë që duhet të sqarojmë problemin e shumës së parave që të ka babai im. Dhe unë pranova. Atë ditë kam qenë te familja e një mikut tim, të cilët janë në dijeni të telefonatës që ajo më bëri. Kemi pirë kafe në një lokal që e zgjodhi ajo, nga ora 16:30 deri në orën 17:00. Kur e takova i thashë që unë nuk kisha punë me të. Dhe ajo më tha: “Babai im nuk ka guxim të vijë të të takojë për problemin e parave dhe erdha unë si përfaqësuese e tyre”. Më pas, më ka thënë tekstualisht kështu: “Ore xhaxhi Tomi, ne ty t’i kemi çuar paratë te Zyra e Përmbarimit. Nuk i ke marrë ti? Madje për këtë shumë ke firmosur edhe ti vetë”. Unë i them, më vjen shumë keq për ty si vajzë e re, me një emër të mirë që mbron me fanatizëm padrejtësisht babanë tënd. Por kjo nuk është e vërtetë dhe në moment i tregoj vërtetimin e Përmbarimit, sipas të cilit unë nuk kisha kryer asnjë veprim financiar.
Pasi pa vërtetimin pati ndonjë reagim nga Greta?
Bëri gjoja të paditurën dhe në sekondë më thotë: “Prindërit e mi janë të moshuar, janë pa punë. Babanë e kam me zemër dhe nuk ka mundësi që t’i kthejë paratë.
“Pretendimi për borxh babait, kur unë isha vetëm 10 vjeçe”
Greta Koçi: Akuzat në kulmin e karrierës sime në art e politikë
Këngëtarja Greta Koçi mendon se pretendimet për borxh të pakthyer nga babai i saj apo nga vetë ajo, janë akuza që vijnë qëllimisht në kohën kur karriera e saj ka arritur kulmin. Veç aktivitetit artistik, Greta Koçi pak ditë më parë u anëtarësua në Forumin Rinor të PD-së. “Kam lindur në vitin 1991 dhe desh zoti linda në kohën kur demokracia në Shqipëri ishte në hapat e para. Në moshën e adoleshencës mësova për sistemin komunist, sesi për një gabim të një personi të familjes, të gjithë pjesëtaret e tjerë të familjes e pësonin me burgime, internime dhe një shkatërrim total të familjes!!!. Kjo gjithmonë edhe nëse do të kishte diçka të vërtetë në gjithë këtë histori të trilluar”. Kështu është shprehur dje këngëtarja Greta Koçi në një deklaratë për gazetën “Panorama”. “Unë nuk e njoh këtë person dhe mund të them që ky person ka qëllime të caktuara që organet e Drejtësisë do të zbulojnë se çfarë fshihet mbas gjithë kësaj,sepse pikërisht tani kur karriera ime është në standarde të larta, vjen ky sulm pa asnjë shkak ndaj meje”, theksoi më tej këngëtarja. Sipas saj, çudia më e madhe në gjithë këtë trillim, është se për periudhën për të cilën pretendohet të ketë pasur konflikt civil me babain e saj, personi në fjalë, ajo ka qenë vetëm 10 vjeçe. “Atëherë lind pyetja pse nuk u kujtua ky zotëri para 10 viteve e në vazhdim, por kujtohet pikërisht tani???. Në rrethana të tilla, unë mendoj që njerëz të tillë, duhet të ndëshkohen para ligjit, për shpifje dhe prishje të imazhit publik dhe unë menjëherë, do t’i drejtohem organeve të Prokurorisë me një kallëzim penal kundër këtij personi”, tha më tej Greta Koçi. Ajo theksoi se “me të vërtetë që është e çuditshme kur dëgjon gjëra të tilla”. Këngëtarja theksoi se me gjithë këtë histori, ndihet mirë që mundi të sqarojë të gjithë opinionin publik për sa i përket “kësaj shpifjeje të rëndomtë” kundër saj.
ETLEVA DELIA











