“Gratë në parlament” sjell orgji e perversitete që i gjen edhe në politikën tonë

Oct 29, 2011 | 14:05

Ndodh që në një sallë parlamenti të shijosh teatrin, ndërsa në një skenë teatri të dëgjosh të flitet për politikën. Por për prapaskenat janë kureshtarë të gjithë. Premiera, që hapi stinën artistike të Teatrit të Metropolit këto ditë në Tiranë, është një komedi që mban titullin “Gratë në parlamet”, që në fakt Aristofani e ka shkruar 2400 vite më parë. Por një grup aktorësh të rinj djem e kanë sjellë në aktualitet duke përjetuar metamorfozë, ndërsa shfaqen në skenë si femra politikane. Devis Muka, Visjan Ukcenaj, Besmir Bitraku, Roland Saro, Klodian Hoxha, Alban Musa, Lenc Kaja, Genti Deçka, Endri Çela, Kiu Çaushaj sjellin nga fantazia e shfrenuar deri tek orgjitë, në rangjet e larta politike. Një nga aktorët kryesorë, Devis Muka, tregon për këtë eksperiencë pa tabu në teatër.
Po vini në skenë komedinë “Gratë në parlament”. Si një vepër e shkruar nga Aristofani 2400 vite më parë, si e keni përshtatur për ditët që jetojmë?
Është e çuditshme se si një vepër e shkruar 2400 vite më parë, nuk ka nevojë për asnjë ndryshim ose përshtatje, pasi ajo është shumë koherente dhe e prekshme për kohën që po jetojmë. Vetëm “babai i komedisë” si Aristofani mund të shkruajë një vepër të tillë, që të prekë një sëmundje të pashërueshme në të gjitha kohërat, siç është “pushteti”.
Shfaqja luhet nga aktorë meshkuj, por që sjellin role femrash. Është kjo një ironi e hapur për politikanet shqiptare që mund të kenë humbur feminitetin e tyre?
Regjisorja Elma Doresi është përpjekur t’i qëndrojë strikte antikitetit në disa elemente, dhe një nga to është interpretimi i roleve të femrave nga meshkujt, pasi femrat në atë periudhë deri në mesjetë nuk lejoheshin të luanin në teatër. Për sa i përket ironisë me relitetin politik, nuk mund të bëjmë gabim të merremi me relitetin tonë, pasi teatri si më parë dhe tani merret me fenomenin dhe jo me relitetin e përkohshëm. Ne bëjmë teatër për të dhënë kënaqësi dhe për të përcjellë mesazhe universale dhe jo për të bërë gjyqe për individë të veçantë.
Ndërkohë, ideja kryesore është se një grup grash, protagoniste të kësaj shfaqjeje, kanë si qëllim të bindin burrat për t’u dhënë dorë në qeverisje dhe për të shmangur kaosin. Me ç’mënyrë e bëjnë këtë gratë e kësaj komedie?
Gratë në këtë komedi përdorin armën më të fuqishme dhe më seksuale që kanë “Mendjen“. Në qoftë se ka gra që përdorin gjëra të tjera për të ardhur në pushtet, ju siguroj që do ta kenë të shkurtër kohën e tyre.
Në shfaqje presupozohet që ndodhin perversitete, përdhumime dhe madje orgji… Deri ku e keni shtyrë fantazinë me këto elemente?
Të gjitha ndodhin, por nuk është një fantazi jona, sesa pasqyrimi i realitetit të kohës. Do ishte një mangësi, në qoftë se nuk do t’i kishim qëndruar strikt autorit dhe fenomeneve të kohës që ai pasqyron. Por, ju siguroj se orgjia duket më bukur se kurrë kur ajo vishet me komedinë e Aristofanit, pasi autori godet perversitetin politik, jo atë seksual.
Nëse do t’u vendosnim emra konkretë të politikaneve shqiptare, personazheve tuaj, cilët mund të ishin ata?
Ju siguroj që, nëse personazhi im do ishte një politikane shqiptare, i gjithë vendi do ishte në një kaos të vërtetë, ku të gjithë njerëzit do vraponin drejt seksit dhe jo drejt parasë, prandaj është shumë e vështirë të gjesh politikanë të tillë.
Çfarë i bën gratë e këtij parlamenti të padurueshme, por të adhurueshme?
Politika e bërë nga meshkujt është e mërzitshme, ndërsa e bërë nga femrat është seks. Por kujdes, pasi mendja e një femre mund t’i kthejë të gjitha frikërat e një mashkulli në realitet, kur ajo vishet me pushtet.

KLOTILDA HARKA

© Panorama.al

Te lidhura